Moti me shi dhe rrebeshe në gjithë vendin ka shkaktuar problematika në disa zona. Më kritike ka qenë situata në disa fshatra të Tropojës, për të cilën ka reaguar edhe Partia e Lirisë.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar për situatën e përmbytjeve në Tropojë. Meta shpreh solidaritet me banorët dhe iu bën thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë menjëherë.

“Solidaritet me banorët e Tropojës në këto momente kritike të përmbytjes! U bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse të reagojnë menjëherë në ndihmë!”, shkruan Meta.

Rithemelimi i Sali Berishës e sheh tragjike situatën e shkaktuar nga reshjet në vend. Duke bërë një pasqyrim të situatës në qytete, Rithemelimi i kërkon kryeministrit të lërë propagandën në Facebook dhe të dalë të shoh realitetin e Shqipërisë nën ujë.

‘Ne do ndjekim çdo qark, çdo problematikë të banorëve, të cilët dëmtohen si pasojë e indiferencës së qeverisë dhe bashkive të tyre. I bëjmë thirrje Ramës të lërë llogjet në Facebook dhe të shohë Shqipërinë nën ujë, pa dritë, me vetëm një rrëke shi. Kryebashkiakët nuk janë më shumë se sekretarë të parë partie, të emëruar jo, të zgjedhur. U bëjmë thirrje banorëve të këtyre bashkive të mbajnë shënim gatishmërinë e tyre, sa herë paniku dhe rreziku u kanë trokitur te dera.’- tha Fjoralba Dizdari.