Moti i keq/ Balluku-qytetarëve: Të gjitha akset do të jenë të kalueshme! 5 ditët e ardhshme mos dilni për turizëm, temperaturat do të jenë ekstreme! Kurseni energjinë

Paralajmërimet për uljen ekstreme të temperaturave dhe problematikat e para nga moti i keq, kanë bërë që Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, t’u kërkojë qytetarëve të shmangin turizmin dimëror në 5 ditët e ardhshme.

"Tregohuni të kujdesshëm, zinxhir, rripin e sigurimin, rrugë të hapura, është bërë kriporja e të gjitha akseve. Në 5 ditët e ardhshme nuk është koha për të shkuar në dëborë”, tha Balluku.

Apelin tjetër ministrja e kishte për përdorim të kujdesshëm të energjisë elektrike pasi prej temperaturave të ulta është rritur kërkesa për konsum.

“Ka shumë kërkesë për energji 24 mijë megavat orë kërkesë 80% më shumë, do kemi prodhim do importojmë, kemi marrë masa për furnizim të plotë. Mund të ketë zona pa energji por do marrim masa. Tregohuni të kujdesshëm me përdorimin e energjisë, mos e shpërdoroni”, tha Balluku.

Për të garantuar furnizim pa ndërprerje vendi do të vazhdoj të importoj energji elektrike me çmime tepër të kripura për shkak të krizës globale. Vetëm në ankandin e fundit të kryer nga KESH, energjia elektrike është blerë me çmim mesatar 258.53 euro për megavat.

Mesazhi i plotë i ministres Balluku

Situata e rënduar e motit më detyron sot që të kem një komunikim informues me të gjithë qytetarët për t’ju dhënë disa të dhëna të cilat do të jenë të rëndësishme për ditën sot apo për ditët në vazhdim. Kushtet atmosferike të rënduara, me temperatura të cilat do të arrijnë limite rekord në këto momente, do të ketë gjithashtu dhe reshje dëbore në zona duke nisur nga Veriu dhe më pas në Lindje dhe në Juglindje, por edhe reshje shiu gjatë gjithë këtyre ditëve.

Ajo që është më shumë shqetësuese janë temperaturat për të cilat janë dhënë informacione dhe unë nuk po i referohem për të mos krijuar konfuzion, por priten temperatura minus pothuajse në të gjithë Shqipërinë, madje edhe në ultësirën Perëndimore.

Për këtë arsye do ta nis nga infrastruktura. Të gjitha akset nacionale janë të aksesueshme. Të gjitha kompanitë janë në terren dhe kanë marrë masa për ti mbajtur këto akse të hapura pa asnjë lloj ndalimi. Megjithatë unë dua ti bëj thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve se është shumë, po shumë e rëndësishme që ju të tregoheni të kujdesshëm, të ecni me ngadalë, të keni pajisjet që duhet për raste të tilla, kur ka ngrica dhe dëborë siç janë zinxhirët, apo mbi të gjitha të vendosni rripin e sigurisë. Ne do t’ju garantojmë të gjitha rrugët e hapura, edhe rrugët dytësore, siç janë ato të Verilindjes, apo të Veriut, apo të Lindjes, të cilat shpesh herë kanë problematika, ne do të punojmë ditë e natë për ti mbajtur të hapura. Është bërë kriposja e të gjitha akseve, por na duhet bashkëpunimi juaj në këto momente.

E duhet thënë dhe diçka tjetër. Me këto temperatura unë e di që edhe fëmijët do t’ju kërkojnë që të dilni nga shtëpia dhe të shkoni nëpër zona malore aty ku ka dëborë apo aty ku mund të argëtoheni, por nuk është rasti në pesë ditët e ardhshme pasi me të vërtetë do të kemi temperatura të ulëta, minus, rekord të cilat do të krijojnë probleme si për drejtimin e automjeteve ashtu dhe për kushtet e tjera të sigurisë rrugore.

Gjithashtu, më duhet t’ju japë një informacion të detajuar përsa i përket energjisë në kushtet e këtyre agjentëve atmosferikë kaq të vështirë. Ne kemi marrë masat në të gjithë Shqipërinë. Operatori i Transmetimit (OST), OSHEE edhe KESH janë në gatishmëri. Në kaskadë jemi duke prodhuar në fuqi të plot, megjithatë rritja e kërkesës, e cila është e madhe, e kemi nisur muajin janar me 14 mijë megavat orë kërkesë ditore, ndërkohë që sot dhe në ditët në vazhdim parashikohet që të kemi 24 mijë megavat orë kërkesë ditore, pra siç e kuptoni rreth 70-80% më shumë, gjë e cila do të bëjë që të kemi një presion shumë të madh mbi sistemin energjetik dhe përveç prodhimit të kaskadës do të na duhet sigurisht ti drejtohemi importit. Megjithatë ne kemi marrë masat e duhura për të furnizuar të gjithë qytetarët, të gjitha bizneset kudo që ndodhen në territorin tonë.

Duhet kuptuar që për shkak të kushteve atmosferike shumë të rënduara, për shkak të erës së fuqishme, temperaturave minus shumë të ulëta, por edhe dëborës që do të bjerë nëpër rajone të ndryshme mund të kemi edhe avari gjatë këtyre 5 ditëve, të cilat ne do të mundohemi me të gjithë njerëzit tanë që janë kudo të shpërndarë nëpër Shqipëri në gatishmëri në këto momente që ti sistemojmë sa më parë, që të kthejmë rrjetin energjetik menjëherë në çdo banesë, në çdo biznes. Megjithatë kërkohet mirëkuptimi juaj.

Do të kërkoja edhe diçka tjetër. Pikërisht për shkak të konsumit të madh, pikërisht se çdo familje do të kërkojë që të qëndrojë në të ngrohtë, apo edhe industria do të duhet që të ofrojë më shumë shërbime në këto ditë të ftohta, do të kërkoj që të jemi të kujdesshëm, të mos e  shpërdorojmë energjinë, të mundohemi dhe të kuptojmë që kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe në vendin tonë ne po punojmë që gjithçka të jetë normale.

Mos harrojmë që Qeveria Shqiptare ka vendosur që të mbrojë të gjithë konsumatorët, qofshin këta familjarë, bizneset e vogla apo bizneset e mesme nga kriza energjetike, kështu që së bashku në këtë moment ne duhet ti qëndrojmë këtij sulmi, këtij sulmi natyror, i cili do të zgjasë pak ditë, por që do të na vejë në një sprovë të re.

Atëherë dhe njëherë kërkoj vëmendjen tuaj për të gjitha rrugët në territorin e Shqipërisë që ne do ti mbajmë të hapura. Autoriteti Rrugor Shqiptar është në krye të detyrës, për të gjitha kushtet energjetike të cilat do të jenë të vështira për shkak të kapaciteteve të shtuara që do të kërkohen nga qytetarët, por edhe për shkak të kushteve atmosferike që do të krijojnë avari, ne do t’ia dalim edhe në këtë sfidë që kemi me motin, por padyshim duam edhe mbështetjen tuaj.

Ju uroj të gjithëve fundjave të mbarë! Qëndroni të sigurt, kujdesuni për veten dhe për familjarët tuaj. Na duhet të jemi të kujdesshëm në rrugë dhe të kursejmë energjinë elektrike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:15
VIDEOLAJM/ Rrugët e vendit të mbuluara nga bora, ARRSH në aksion  në akset rrugore

Teksa zona të të tëra në vend janë mbuluar nga bora Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar pamje teksa është në aksion me borëpastruese dhe duke hedhur kripë për të mbajtur të hapura akset rrugore.

"Në segmentin rrugor Qafë Qarri- Korçë-Dardhë-Voskopojë ka pasur reshje dëbore???? me intensitet mesatar. Mjetet borëpastruese janë në terren për të bërë pastrimin e plotë të aksit dhe shpërndarjen e kripës.  Qarkullimi kryhet pa probleme. Drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje, pasi priten temperatura të ulëta, të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë dhe të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore", njofton ARRSH.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • 136: 21/01/2022 20:28

    bravo, ti po qe je marinare e duhur per anijen ton qe po mbytet zonje.. ups ... zonje thash?? mfal se te ofendova zonjusha eskort... boji zborin qe ke msu gjith jeten ksaj anijes tone linda. jepi fort dhe na trego eksperiencen tende te eskelences si marinare.. te perqafoj nga larg

    Përgjigju
  • Neri: 21/01/2022 20:00

    Barvo. Keshtu duhet. Veprim dhe keshillim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje