Moti i keq në shtetin fqinj Itali ka ndezur alarmin e kuq në rajonin e Emilia Romagna teksa mediat italiane raportojnë për 2 të vdekur dhe 1 të zhdukur. Shirat e rrëmbyeshëm prej 48 orësh kanë tejkaluar reshjet nga Janari në Prill duke vënë në rrezik evakuimi rreth 5 mijë banorë kryesisht në Bolonja, Ferrara dhe Ravenna.
Lumenjtë që dalin nga shtrati kanë vërshuar në zonat e banuara dhe nëpër fusha teksa këto pamje me dron paraqesin më qartë situatën kritike.
Përmbytjet kanë shkaktuar problematika me shkollat, linjat hekurudhore si ajo Bolonja –Rimini, disa rrugë në zonën e Ravenna dhe në Apenine janë mbyllur.
Në terren, përpos ekipeve të zjarrfikësve dhe vullnetarëve te mbrojtjes civile, është dërguar dhe ushtria.
Zona e alarmit të kuq në Emilia-Romagna sa vjen e po zgjerohet në anën lindore dhe gjendja kritiket pritet të vijojë edhe të enjten e 4 majit. Nga zona e fushës së Bolonjës, në fakt, alarmi shtrihet edhe në kodrat e fushat e Bolonjës dhe Romagna-s. Ajo që është shqetësuese janë vërshimet e lumenjve Idice, Sillaro, Santerno, Senio, Lamone dhe Montone ndërsa shumë zona janë pa energji elektrike.
Dy të vdekur dhe një i zhdukur është bilanci i përmbytjeve që kanë përfshirë rajonin e Emilia Romagna në Itali. Ndërkohë sipas mediave italiane 5 mijë njerëz janë në rrezik për tu evakuuar në zonën e Ravenës.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan vërshimin e Lamones, në Romagna, ku zjarrfikësit evakuuan disa banorë në disa shtëpi të përmbytura, pa energji elektrike dhe në ujë.