Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë orëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Vjosë, i cili ka arritur rreth 5.6 metra në pikën e Urës së Mifolit.

Burime nga zona e Përmetit bëjnë me dije se reshjet e dendura kanë vijuar për disa orë me radhë dhe po bien jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë jugun e vendit. Si pasojë, disa lumenj të vegjël dhe përrenj që derdhen në Vjosë kanë rritur prurjet, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të saj.

Sipas informacioneve shirat pritet të vijojnë me intensitet të lartë edhe në orët në vijim, çka mund të sjellë një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, veçanërisht gjatë orëve të para të ditës së nesërme.

Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave që rrezikohen nga dalja e lumit nga shtrati të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin masa paraprake, pasi situata pritet të përkeqësohet.


Lajmi kryesor:

Shiu ‘paralizon’ vendin/ Evakuohen 180 banorë në Durrës, 800 shtëpi të përmbytura! 15 banesa nën ujë në Shkodër! Kritike situata në Gjirokastër (VIDEO)