Durrësi u zgjua sot i përmbytur. Reshjet intensive të shiut, kanë shkaktuar dëme kolosale për qytetarët e Durrësit. Sistemi i kanalizimeve nuk i ka përballuar prurjet e mëdha të ujit, ndërsa pusetat e bllokuara e kanë agravuar situatën, duke mbushur rrugët me ujë. 

Situata mbetet problematike në ish-Kënetë, tek paraburgimi i Durresit si dhe në Spitallë. Nga të dhënat paraprake janë rreth 800 shtëpi të përmbytura dhe të rrethuara nga uji. Janë evakuuar 180 banorë deri tani dhe janë strehuar tek shtëpia e pushimit të ushtrisë (konvalishencë)

Qarkullimi në qytet u paralizua gjatë paradites. Qindra makina mbetën nën ujë nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri. Procesi mësimor është pezulluar në të gjithë qarkun e Durrësit për shkak të pamundësisë së lëvizjes nxënësve. Janë mbyllur çerdhet, kopshtet e shkollat. I rrethuar nga uji është dhe Universiteti Aleksandër Moisiu. Dhjetëra banesa, biznese dhe ambiente nëntokësore janë dëmtuar, pasi uji ka deportuar në garazhe dhe katet e para të pallateve.

Përmbytjet nuk kanë kursyer as burgun e Durrësit. Qelitë në katin e parë janë mbuluar nga uji dhe të paraburgosurit u transferuan në katin e dytë. E përmbytur është edhe Veliera e Durrësit, një projekt i kontestuar, që ka kushtuar mbi 800 milionë lekë, duke u kthyer në një shembull tipik të problemeve infrastrukturore.

Në orët e fundit krahas Shkodrës, Durrësit dhe Lezhës, edhe Gjirokastra po përballet me përmbytje masive, përrenj dhe lumenj të rrëmbyeshëm që kanë dalë nga shtrati.  Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, është përmbytur lagjja e poshtme të qytetit ‘18 shtatori’, ndërsa niveli i ujit është rritur shumë edhe në zonën e njohur si Ura e Lumit.

Ndërkohë, lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në pikat e tij më të dobëta në fshatin Murqinë e Mallkuç në Fushë- Krujë duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore e duke bllokuar dy lagje në fshatin Murqine.

Prurjet e shumta nga reshjet e shiut bllokuan hyrjet e pallateve në Lezhë kryesisht në lagjen “Besëlidhja”.  Për shkak të prezencës së ujit në oborre, u anulua procesi mësimor në dy shkolla të Lezhës, “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”.  Lumi Drin përmbyti edhe shëtitoren në lagjen “Skënderbeg”. Për shkak të shirave pati rritje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër. Janë 1010 hektarë tokë të përmbytura në gjithë territorin e Lezhës.

Në zonën e Kurbinit rreth 1500 ha tokë bujqësore janë nën ujë konkretisht pranë mbikalimit të Patokut në autostradë si dhe në njësinë administrative Mamurras. Rreth 100 banesa në Kurbin u rrethuan nga uji. Në fshatin Fushë-Mamurras është ndërprerë mësimi. Bashkia Kurbin kërkon mbështetje me 4 kamionë të kalueshmërisë së lartë për evakuimin e banorëve, dy varka dhe një pompë me për largimin e ujrave. Në Shkodër raportohet për 15 banesa të përmbytura.

Mosfunksionimi i kanaleve kulluese solli përmbytje në të gjithë ultësirën e Krujës. Hektarë të tërë janë nën ujë kryesisht në zonën e Bubqit, Mallkuçit, Murqines, Bilajt, Dervenit, Gramzës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:45
Njëri pas tjetrit të kapur në litar, VIDEO nga evakuimi i banorëve në Durrës për shkak të përmbytjeve

Skuadrat e Emergjencave Civile të Tiranës kanë qenë ditën e sotme në ndihmë të banorëve të Durrësit të prekur nga vërshimi i ujërave prej reshjeve intensive të ditës së sotme.

Në pamjet e shpërndara nga operacionet e shpëtimit duken qartë rrethanat dhe momentet sfiduese për forcat zjarrfikëse dhe rrezikun për jetën që i kanosej banorëve nga rrjedha e rrëmbyeshme e ujit.

Ora 22:36
23-vjeçari në Gjirokastër shpëtohet nga mbytja, zjarrfikësit e nxjerrin nga rrjedha e ujërave të rrëmbyeshëm në rrugët e qytetit

1767735700_gjirooooo.JPG

Një djalë 23 vjeç është shpëtuar mrekullisht nga mbytja në Bllokun e Furrave, lagjja Punëtori, qyteti i Gjirokastrës. Punonjësit zjarrfikës arritën që ta nxirrnin nga rrjedha e ujërave të rrëmbyeshëm, duke e shpëtuar nga vdekja.

Ora 22:24
Moti i keq/ Koçiu: Në Shkodër situata nën kontroll, s’ka problematika

1767735039_kociuuu.JPG

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, pas takimit me Shtabin e Emergjencave për situatën e krijuar me reshjet në orët e fundit, sqaroi se në qarkun e Shkodrës situata është nën kontroll dhe që aktualisht nuk ka raportime për problematika.

Deklarata e plotë:

Së bashku me kryetarin e bashkisë, me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me Prefektin e Qarkut Shkodër, me Policinë e Shtetit, me Ministrinë e Mbrojtjes, me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe gjithë strukturat përkatëse, jemi duke monitoruar të gjithë situatën e reshjeve në vend.

Për hir të së vërtetës, vendi ashtu siç e dimë, është prekur nga një situatë reshjesh të dendura gjatë këtyre 24 orëve dhe ndërkohë pritet edhe nesër të kemi po të njëjtin situatë. 

Për këtë arsye, të gjithë strukturat janë bashkë duke monitoruar jo vetëm në qarkun e Shkodër, por edhe në Durrës, po ashtu në Kukës kemi pasur një situatë, në Fier, në Vlorë; duke monitoruar gjithë vendin për të pasur më shumë koordinim së bashku, por edhe për të shmangur çdo lloj situate problematike që vjen nga reshjet.

Sa i përket qarkut të Shkodrës, jemi duke monitoruar shkarkimet për shkak të lumit Buna, por edhe të liqenit të Shkodrës, me qëllim që të mos kemi situata të përmbytjes në zonat urbane, por patjetër edhe në tokat bujqësore. 

Aktualisht që flasim, situata është nën kontroll, sapo dolëm nga një mbledhje e Komitetit të Emergjencave në Bashkinë e Shkodrës,
e cila u koordinua nga kryetari i bashkisë pikërisht për të rakorduar së bashku me strukturat e KESH-it dhe strukturat e tjera, me qëllim mbajtjen nën kontroll edhe të shkarkimeve, por edhe të prurjeve nga kjo situatë e reshjeve, për të shmangur përmbytje të mundshme. Nuk kemi problematika. 

Patjetër do të monitorojmë reshjet e shkarkimet gjatës natës dhe paraditen e ditës së nesërme, që është, të themi, një fazë emergjence, dhe shpresojmë shumë, që nga nesër pasdite, të kemi një reduktim të reshjeve duke përmirësuar kështu edhe situatën.

Për momentin jemi nën kontroll, institucionet janë të gjitha në këmbë dhe bashkërisht po monitorojmë çdo problematikë e çdo shqetësim.

Dua t’u bëj një thirrje qytetarëve që të ndjekin të gjitha rekomandimet dhe këshillat e autoriteteve vendore e qendrore, të cilat bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj faze që jemi duke kaluar.

Ora 21:06
Shiu i rrëmbyeshëm merr përpara qytetarin në Gjirokastër! Përmbytet edhe zona Ura e Lumit (VIDEO)

Në orët e fundit krahas Shkodrës, Durrësit dhe Lezhës, edhe Gjirokastra po përballet me përmbytje masive, përrenj dhe lumenj të rrëmbyeshëm që kanë dalë nga shtrati. 

Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, është përmbytur lagjja e poshtme të qytetit ‘18 shtatori’, ndërsa niveli i ujit është rritur shumë edhe në zonën e njohur si Ura e Lumit.

Situatën kritike në Gjirokastër e ilustron plotësisht edhe videoja e një qytetari, të cilin e merr përpara uji i rrëmbyeshëm që po vërshon në disa prej rrugëve të qytetit.

Ora 20:32
Përmbytet lagjja ‘18 Shtatori’ në Gjirokastër, uji vërshon nëpër rrugët e qytetit, bizneset nën ujë

 

Situata nga përmbytjet në qytetin e Gjirokastrës vijon që të jetë problematike. Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, është përmbytur lagjja e poshtme të qytetit ‘18 shtatori’.

Uji ka vërshuar nëpër rrugët e qytetit, duke marrë përpara edhe makina, ndërsa janë përmbytur edhe biznese.

Ora 19:48
Oborri i Universitetit 'Aleksandër Moisiu' në Durrës kthehet në 'pishinë olimpike'

1767723151_universitetidurresit.jpg

Si një pishinë olimpike duket oborri dhe territori para Universitetit "Aleksandër Moisiu" pasi është përmbytur nga reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin dhe qytetin bregdetar gjatë ditës së sotme.

Ora 19:19
Përmbytjet në Lezhë, banori tregon bagëtitë e ngordhura: Kohë e vështirë për ne!

Përmbytjet e shkaktuara nga moti i keq në qarkun e Lezhë kanë lënë pas jo vetëm toka dhe rrugë nën ujë, por edhe histori humbjesh. Një prej banorëve të zonës, shtëpia e të cilit u rrethua nga uji, ka humbur pulat, qingjat dhe kafshë të tjera që mbante për jetesë.

“Kjo ka ardhur nga Zoti dhe nga Bashkia që nuk pastron kanalet, është kohë e vështirë për ne”, tha ai për Report TV, duke treguar para kamerës dëmet e shkaktuara nga përmbytja dhe kafshët e mbytura nga uji që hyri brenda oborrit dhe banesës.

Sipas të dhënave më të fundit, gjatë 24 orëve në qarkun e Lezhës kanë rënë rreth 150 mm reshje shiu. Vërshimi i ujërave ka përmbytur rreth 2.600 hektarë tokë bujqësore dhe ka rrethuar nga uji 150 banesa në bashkitë Lezhë dhe Kurbin.

Ora 19:05
Moti i keq/ Del nga shtrati përroi i Ficos në Gjirokastër, uji merr përpara mjetin! Përmbyten rrugët në lagjen Varrosh (VIDEO)

 

Situata në Gjirokastër paraqitet kritike nga moti i keq. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka dalë nga shtrati përroi i Ficos duke marrë përpara gjithçka që i del. Ndërkohë, janë përmbytur rrugët në lagjen Varrosh.

Në pamjet e kamerës së sigurisë së një banese shihet momenti kur rrjedha e përroit të Ficos i cili doli nga shtrati merr përpara një makinë që ishte e ndaluar në lagjen Varrosh në zonën muzeale, shumë pranë shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadaresë.

Si pasojë e motit të keq gjysma e qytetit është pa energji elektrike. Deri më tani nuk ka raportime për evakuime, ndërsa reshjet kanë shkaktuar edhe dëme në biznese në pjesën e mëposhtme të qytetit.

Ora 18:50
Përmbytjet në Durrës, banorët flasin për Report TV: Askush nuk ka ardhur për ndihmë!

Reshjet e dendura dhe moti i keq kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në disa lagje të Durrësit, duke futur ujin në shumë shtëpi dhe duke lënë banorët pa energji elektrike.

Situata është problematike në lagjen 14, ku dhjetëra banesa janë përmbytur që prej orëve të para të mëngjesit. Një nga të prekurit nga përmbytjet, Gëzim Sulejmani, tregoi përmes një interviste për Report TV pamje nga shtëpia e tij e  përmbytur.

Sulejmani tha se banorët nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore.

‘Ka 20 shtëpi të përmbytura në këtë lagje, Jemi që në mëngjes kështu, askush nuk ka ardhur. Banorët po përpiqen vetë të nxjerrin ujin nga banesat’ tha ai për Report TV.

Probleme të ngjashme raportohen edhe në lagjen 17, në zonën e Ish-Kënetës. Një banore e kësaj zone ndau gjithashtu pamje nga banesa e saj e përmbytur, duke thënë se asnjë përfaqësues i shtetit nuk ka ardhur në zonë për të vlerësuar situatën.

Ajo shpjegoi se shumica e banesave në lagje janë rrethuar nga kanale ujore, çka ka përkeqësuar gjendjen.

“Në lagjen tonë, pjesa më e madhe e banesave ndodhen nën ujë sepse shumica e banesave rrethohen nga kanale ujore. Askush nuk është paraqitur. Kemi telefonuar në mëngjes” tha ajo duke shtuar se banorët po përpiqen vetë të nxjerrin ujin nga shtëpitë.

 

Ora 18:32
Moti i keq në vend/ Proda falënderon efektivët në terren: Mirënjohje për punonjësit e policisë në shërbim të qytetarëve

1767721040_aa.JPG

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shprehur mirënjohjen për punonjësit e Policisë, të cilët kanë treguar përgjegjshmëri, angazhim dhe sakrificë në shërbim të qytetarëve, si pasojë e kushteve të vështira atmosferike.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë në Durrës dhe në shumë zona të tjera të Shqipërisë kanë qenë në terren gjatë gjithë ditës së sotme dhe vijojnë ende, duke ndihmuar përdoruesit e rrugës dhe banorët e rrezikuar nga përmbytjet, me profesionalizëm dhe humanizëm.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

'Përkushtim, sakrificë, mirënjohje dhe respekt nga qytetarët. Shërbimet e Policisë në Durrës, e në shumë zona të vendit, me përkushtim, sakrificë dhe profesionalizëm, në ndihmë të përdoruesve të rrugës dhe të banorëve në rrezik nga përmbytjet.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, shpreh mirënjohje për punonjësit e Policisë, të cilët përgjatë gjithë ditës së sotme dhe vijojnë ende, kanë treguar përgjegjshmëri, angazhim, sakrificë dhe humanizëm në shërbim të qytetarëve, duke u ardhur në ndihmë si pasojë e motit shumë të keq, si dhe falënderon qytetarët që kanë dërguar në adresat e Policisë dhjetëra mesazhe falënderimi dhe video nga puna e punonjësve të Policisë në terren. Në shërbim të qytetarëve, 24/7', thuhet në njoftim. 

Ora 18:28
Moti i keq në Qarkun e Vlorës/ Reshjet e dendura rrisin ndjeshëm nivelin e Lumit të Vjosës

 

Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë orëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Vjosë, i cili ka arritur rreth 5.6 metra në pikën e Urës së Mifolit.

Burime nga zona e Përmetit bëjnë me dije se reshjet e dendura kanë vijuar për disa orë me radhë dhe po bien jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë jugun e vendit. Si pasojë, disa lumenj të vegjël dhe përrenj që derdhen në Vjosë kanë rritur prurjet, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të saj.

Sipas informacioneve shirat pritet të vijojnë me intensitet të lartë edhe në orët në vijim, çka mund të sjellë një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, veçanërisht gjatë orëve të para të ditës së nesërme.

Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave që rrezikohen nga dalja e lumit nga shtrati të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin masa paraprake, pasi situata pritet të përkeqësohet.

Ora 17:25
Durrësi në kaos nga moti i keq, uji vërshon nëpër banesa (VIDEO)

 

Të shumta janë banesat e përmbytura ditën e sotme nga reshjet e dendura të shiut që kanë prekur vendin kryesisht ditën e sotme.

Durrësi është një prej qarqeve më problematike në vend së bashku me Lezhën. Nga pamjet shihet sesi uji ka vërshuar brenda shtëpive në Durrës.

Ora 17:15
Moti i keq në Kurbin/ Përroi vërshon në rrugët e Laçit, përmbyten shtëpi e biznese! Paralizohet aksi Milot-Mamurras

 

Bashkia e Kurbinit është ndër zonat më të prekura nga përmbytjet në Qarkun e Lezhës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Dalja nga shtrati e përroit që kalon përmes qytetit të Laçit, si dhe vërshimi i përrenjve malorë, kanë krijuar një situatë dramatike për banorët.

Uji ka përmbytur rrugë kryesore, biznese dhe banesa, ndërsa janë dëmtuar edhe shumë automjete. Si pasojë e përmbytjeve, qarkullimi rrugor është paralizuar në disa zona të qytetit të Laçit, si dhe në fshatrat Zhejë dhe Gjorm.

Probleme serioze janë shënuar edhe në aksin nacional Milot–Mamurras, ku lëvizja e mjeteve është bërë e vështirë. Autoritetet vendore ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Ora 16:48
FOTOLAJM/ Qytetari del me skaf në rrugët e qytetit, Laçi i përmbytur nga shirat e dendur

1767714468_lavarka.jpg

Pas sërfit në rrugët e Durrësit, një tjetër qytetar në Laç ka dalë në qarkullim me motoskaf.

Edhe Laçi ashtu si shumë qytete të Shqipërisë është prekur nga përmbytjet masive si pasojë e motit të keq që ka sjellë reshje intensive shiu. Disa shtëpi raportohen të përmbytura gjithashtu dhe toka bujqësore.

Ora 16:48
Durrësi i përmbytur/ Ministri Vengu: 23 forca, 8 mjete të emergjencave civile dhe 7 motopompa në punë

 

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, njoftoi se 23 forca dhe 8 mjete të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile janë angazhuar në Durrës.

7 motopompa janë në operacion për përballimin e situatës së përmbytjeve, prej të cilave 4 me kapacitet të lartë.

Mjetet po operojnë në zonën e Shkozetit, në autostradën Durrës–Tiranë dhe në rrugën e Burgut për menaxhimin e situatës në terren.

Ora 16:46
Ministri Salla nga Durrësi: Hidrovori Spitallë në funksion me kapacitete të plota, ndërhyrje të koordinuara për të mbajtur nën kontroll situatën e reshjeve

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një inspektim në hidrovorin Spitallë, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, prefektin e qarkut dhe drejtorin e Ujitjes dhe Kullimit Durrës, për të monitoruar nga afër situatën e krijuar si pasojë e reshjeve intensive që kanë përfshirë zonën.

Gjatë inspektimit, Ministri Salla theksoi se Durrësi është përballur me një intensitet shumë të lartë reshjesh gjatë orëve të fundit, çka ka sjellë disa problematika të lidhura me përmbytjet dhe prurjet e shtuara.

“Jemi në rezervuarin e Spitallës për të monitoruar nga afër situatën në të cilën ndodhet Durrësi sot, me reshje të rrëmbyeshme dhe problematika të evidentuara gjatë orëve të fundit,” u shpreh ministri.

Ai nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm mes institucioneve, duke theksuar se bashkëpunimi mes bashkisë, emergjencave civile, bordeve të kullimit, prefekturës dhe strukturave teknike është thelbësor për menaxhimin e situatës.

“Duhet të vijojmë me të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, sidomos duke pasur parasysh se, sipas parashikimit të motit, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim,” tha Salla.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se strukturat janë në gatishmëri për të ndjekur situatën në kohë reale dhe për të ndërhyrë sipas nevojës, me qëllim mbajtjen nën kontroll të prurjeve dhe parandalimin e përmbytjeve të mëtejshme.

Institucionet përkatëse do të vijojnë monitorimin e situatës në orët dhe ditët në vijim, në funksion të mbrojtjes së tokës bujqësore, infrastrukturës dhe sigurisë së qytetarëve.

Ora 16:34
Moti i keq në Kukës/ Ura në fshatin Orgjost rrezikon të dëmtohet nga prurjet e lumit, banorët kërkojnë ndërhyrje

 

Vazhdon të mbetet e rënduar situata në territorin e Bashkisë Kukës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ndonëse në këto momente ato kanë pushuar.

Në fshatin Orgjost, ura që lidh mbi 1000 banorë të zonës rrezikon të dëmtohet seriozisht për shkak të fryrjes së lumit nga prurjet e shumta të ujit.

Banorët kanë dërguar për Report Tv foto dhe video ku shihet qartë se prurjet e lumit kanë gërryer bazamentet e betonit në hyrje dhe dalje të urës, e cila është e tipit ushtarak.

Sipas banorëve, në rast të përkeqësimit të situatës, ata nuk do të lejojnë fëmijët të shkojnë nesër në shkollë, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat e emergjencave civile në nivel lokal dhe qendror.

Aktualisht, fshati Orgjost ka mbetur pa energji elektrike, e cila është ndërprerë rreth 30 minuta më parë.

Ora 16:30
Reshjet e dendura të shiut në qarkun e Shkodrës, del nga shtrati përroi i Glinës në Vaun e Dejës, uji vërshon mes qytetit

 

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në qarkun e Shkodrës, përroi i Glinës ka dalë nga shtrati në territorin e Bashkisë Vau i Dejës.

Përroi i Glinës ka vërshuar përmes qytetit të Vaut të Dejës, ndërsa janë shkaktuar përmbytje në unazën e qytetit dhe në rrugën kryesore.

Ora 16:12
Fushë-Krujë/ Lumi Ishëm del nga shtrati, përmbyten qindra hektarë toka bujqësore, situatë problematike në disa fshatra

 

Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në pikat e tij më të dobëta në fshatin Murqinë e mallkuç duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore e duke bllokuar dy lagje në fshatin Murqine.

Ndërkohë situata për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese vijon që të jetë problematike në disa fshatra si Bubqi, Gramza, Derveni, Luzi, Malkuçi, Murqina, Bilaj, ku përpos qindra hektarëve tokë bujqësore që ndodhet nën ujë ka dhe rrugë e akse të përmbytura.

Situata nuk ka asnjë lloj përmirësimi pasi nuk ka asnjë ndërhyrje nga ana e strukturave të bashkisë, prefekturës apo emergjencave civile.

Ndërkohë reshjet kanë ndaluar por sipas parashikimeve pritet që të rifillojnë.

Ora 16:03
Reshjet e shiut/ Prefektura Shkodër: Lumenjtë nën kuotat e rrezikut, po mbahen nën monitorim

1767712167_aa.JPG

Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë rritje të prurjeve në lumenj dhe përrenj në territorin e Qarkut Shkodër, megjithatë deri në këto momente situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër bën me dije se, sipas të dhënave nuk janë evidentuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat apo digën e Rezervuarit të Shtodrit. Nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir dhe Gjadër mbeten nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion dhe në gatishmëri të plotë.

Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet me intensitet të lartë kanë shkaktuar prezencë uji në një banesë në fshatin Hoten, ku është ndërhyrë menjëherë nga grupet e Emergjencave Civile. 

Nga informacionet e fundit nga kaskada e Drinit shkarkimet nga HEC Vau i Dejës janë 900 m³/ sekondë. 

Njoftimi i Prefekturës Shkodër:

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër informon mbi situatën aktuale në territorin e Qarkut Shkodër, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit.

Nga informacioni i administruar nga DRUK Lezhë, rezulton se ka pasur rritje të prurjeve nga përrenjtë dhe lumenjtë. Megjithatë, deri në këto momente nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e Rezervuarit Shtodër. Aktualisht, nivelet e ujit në lumin Buna, lumin Drin, lumin Kir dhe lumin Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment.

Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Në fshatin Hoten është raportuar një banesë me prezencë uji, ku banorëve u është dhënë ndihma e menjëhershme nga grupi i Emergjencave Civile. Situata po monitorohet në vijimësi nga strukturat përkatëse.

Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe kanë vijuar reshjet e shiut me intensitet mesatar gjatë gjithë natës dhe në orët në vijim. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të përroit. Në zonat Rrazë dhe Veshtë është konstatuar prezencë uji por pa rrezik për banesat. Po punohet për furnizimin me energji elektrike në zonën e Kelmend. Gjithashtu po punohet për hapjen e kalueshmërisë së rrugës pranë lumit në zonën e Dragovojës.

Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë autorurale. Deri në këto momente nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa.

Në territorin e bashkisë Shkodër, janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Grupi i Emergjencave Civile po kryejnë inspektime në terren dhe janë në monitorim të afërt të çdo situate emergjente.

Situata hidrike paraqitet si me poshte:
Në Kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme. Nivelet e liqeneve paraqiten si më poshtë:
Fierza: 281.2 m
Koman: 174.2 m
Vau i Dejës: 75 m
Shkarkimet aktuale nga hidrocentralet janë të kontrolluara dhe të qëndrueshme: HEC Vau i Dejës 700 m³/s dhe HEC Koman 700 m³/s. Deri më tani nuk raportohen problematika. Prefekti i Qarkut Shkodër, vijon ndjekjen nga afër të situatës në koordinimin me të gjitha strukturat vendore e qendrore për menaxhimin e emergjencave.

Ora 15:56
Moti i keq/ Rrezikon të përmbytet, fermeri në Zadrimë nxjerr delet nga stalla blegtorale (VIDEO)

 

Lezha dhe zonat përreth saj aktualisht raportohen si më të dëmtuarat nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin.

Përveç disa rrugëve të bllokuara, shtëpive dhe sipërfaqeve të përmbytura, në rrezik ndodhen edhe stallat blegtorale.

Report Tv sjell pamje nga zona e Dajçit në Zadrimë, ku fermeri po evakuon një tufë me dele nga stalla, e cila rrezikon të përmbytet.

Ora 15:42
Moti i keq/ Masivi shkëmbor bllokon aksin rrugor Lezhë–Rubik (VIDEO)

 

Reshjet e shiut kanë sjellë rrëshqitjen e një masivi shkëmbor, duke sjellë bllokim të aksit të vjetër rrugor Lezhë–Rubik.

Bllokimi i rrugës ka ndodhur prej orëve të paradites dhe ende nuk ka asnjë ndërhyrje në terren nga strukturat përgjegjëse, duke penalizuar lëvizjen e banorëve.

Ora 15:24
Ekskluzive/ Report Tv sjell pamjet me dron nga Durrësi, shtëpi e makina të mbuluara nga uji (VIDEO)

Report Tv sjell ekskluzivisht pamjet me dron që tregojnë përmbytjet masive në qytetin bregdetar të Durrësit. Gjithçka është nën pushtetin e ujit. Në pamje shihet se si katet e para të godinave janë të mbuluara nga uji, ndërsa garazhet e pallateve janë kthyer si ‘depozita’. 10 familje u evakuuan si pasojë e përmbytjeve.

Reshjet e shiut paralizuan jetën në qytetin bregdetar. Siç shihet edhe në këto pamje me dron, makinat dallohen të zhytyra nën ujë.

Ora 14:54
Moti i keq/ Përkeqësohet situata në Kurbin, përroi del nga shtrati dhe përmbyt disa zona në qytet! Bllokohet aksi Laç-Mamurras

Situata në bashkinë e Kurbinit është përkeqësuar. Dalja nga shtrati e përroit ka përmbytur disa zona të qytetit. Gjithashtu është bllokuar dhe qarkullimi në aksin Laç-Mamurras pranë fshatit Gjorm nga vërshimi i përrenjve malorë.

Ora 14:52
Vërshimi i ujit në burgun e Durrësit, Lamallari: Situata nën kontroll, janë marrë të gjitha masat për normalizimin e gjendjes

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ishte sot në Durrës për të parë nga afër situatën e krijuar në IEVP-në e këtij qyteti pas vërshimit të ujit prej reshjeve intensive të orëve të fundit.

Ministri tha se ka qenë në monitorim të situatës prej orëve të para të të ditës së sotme dhe janë marrë masat e nevojshme për normalizimin e gjendjes.

"Janë marrë të gjitha masat e nevojshme me stakimin e energjisë elektrike në katin e parë dhe evakuimin në katet më sipër. Në mbështetjen tonë kemi edhe pompat me kapacitet të lartë nga Ministria e Mbrojtjes për të larguar ujin", tha ministri Lamallari duke shtuar se po funksionon ndërkohë edhe Komisioni i Emergjencave Civile në Durrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose tha se situata është nën kontroll si dhe po kryhen furnizimet e nevojshme me mjete logjistike.

Ora 14:48
Kukësi përfshihet nga moti i keq, rënie gurësh në aksin që lidhet me Bushtricën

 

I gjithë territori i qarkut të Kukësit vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të lartë. Si rezultat i kushteve të motit akset rrugore nacionale janë nën tryesninë e rënies së gurëve dhe inerteve.

Rënie gurësh dhe inertesh ka pasur në aksin Kukës-Bushtricë.

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.

Aktualisht, problematikë paraqesin rezervuari Helshan 2 dhe rezervuari Bera, ku po ndërhyhet nga bashkia Has për evitimin e problemeve dhe parandalimin e rreziqeve të mundshme.

I gjithë qarku furnizohet me energji elektrike.

Ora 14:38
Reshje të dendura shiu, probleme edhe në Rrugën e Arbrit! Rrëshqitje dherash në segmentin e Xibrit

1767707004_diberrreshqitje.JPG

Reshjet e pandërprera të shiut kanë krijuar probleme edhe në Rrugën e Arbrit.

Në segmentin e Xibrit nga tuneli i Murrizit deri tek tuneli numër dy në fshatin Shkallë ka prezencë të ujit e në disa vende rrëshqitje dherash.

Ndonëse qarkullimi ka vijuar normalisht deri tani, fryrja e tokës si pasojë e reshjeve të pandërprera ka bërë që në shpatet e malit të plasin burime uji që krijojnë shembje të dherave.

Po ashtu, feyrja e zallit të fshatit Xibër - Murriz rrezikon argjinaturën mbrojtëse të rrugës në fshatin Shkallë si dhe rrëmbimin e urës së lagjes "Metaj".

Gjithashtu në tunelin numër 5 të rrugës së Arbrit që del mbi urën e Vashës mungon energjia elektrike në 90% të gjatësisë për shkak të dëmtimit të rrjetit ndriçues.

Ora 14:37
Moti i keq në vend/ Vengu dhe Salla mbledhje me strukturat e emergjencës: Kërkohet gatishmëri e plotë nga institucionet, situata është nën kontroll

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe ministri i Bujqësisë Andis Salla u mblodhën sot në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civil për të raportuar mbi situatën aktuale në vend për shkak të motit të keq që ka prekur Shqipërinë ditën e sotme.

Në mbledhje prezentë ishin dhe prefektët e qarqeve ndërsa ministrat bënë me dije për gatishmëri të plotë nga ana institucionale duke bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të zonave me risk. Vengu theksoi se deri më tani situata është nën kontroll.

“Në qarkun e Durrësit, me kërkesë të prefekturave, komanda mbështetëse e forcave të armatosura,  shtabi i përgjithshëm kanë siguruar dislokimin e mjeteve, pompa thithëse dhe mjete zjarrfikëse të kalueshmërisë së lartë. Nëse do të kërkohet do të bëhet dhe në Lezhë. Reshjet intensive do të vijojnë. Kërkohet gatishmëri maksimale nga të gjitha bashkisë dhe qarqet e vendit. Është kërkuar koordinim dhe nga institucionet shtetërore të energjisë, për sigurimin e energjisë elektrike. Të gjitha hidrovoret janë në funksion të plotë. Kemi evakuimin e 10 familjeve në Durrës dhe Shijak për shkak të rrethimit të banesave nga uji”, tha ministri Vengu.

Gjithashtu Salla tha se ai dhe Vengu do të jenë në terren për të qenë koherent me situatën, si dhe u bënë thirrje institucioneve përkatëse, nga ekipet e emergjencave e deri tek garantimi i energjisë elektrike për zonat e prekura. Deri më tani problematikat më të mëdha janë shfaqur në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës ku raportohet për banesa dhe toka bujqësore të përmbytura.

Ora 14:30
Moti i keq/ 880 ha tokë e përmbytur në Lezhë, 1500 ha tokë në Kurbin! 150 banesa me prezencë uji

Si pasojë e motit të keq që përfshiu vendin, rreth 880 ha tokë bujqësore është përmbytur në Lezhë dhe rreth 50 banesa janë të rrethuara nga uji. Në Kurbin, janë 1500 ha tokë e përmbytur dhe 100 banesa janë të rrethuara nga uji.

Njoftimi i Prefekturës Lezhë

Toka bujqësore të përmbytura rreth 880 ha. Banesa më të izoluara nga uji kemi disa (rreth 50), por akoma nuk kemi banesa te përmbytura.

Në dy shkolla nuk është zhvilluar mësim, Kosova fhe Gjergj Fishta, kurse prezencë uji në oborre ka pasur dhe në shkollën Nën Tereza dhe Beslidhja, për të cilat ekipet e MZSH kanë punuar për largimin e ujit.

Në teritorin e bashkisë Kurbin ne total kemi këtë gjendje:

Toka bujqësore të përmbytura rreth 1500 ha. Banesa të rrethuara nga uji rreth 100 banesa

Me ekipet e EC po punohet mes të tjerave dhe për mbrojtjen e stacionit të pompimit për ujin e pishëm në Fushë Kuqe. Hidrovorët po punojnë me kapacitete maksimale. Kuota e lumit Drin në këto momente ka një rënje me rreth 40 cm që nga ora 08:00 të mëngjesit. Nga bashkia Mirditë deri tani nuk raportohen problematika Në terren ka qenë Prefekti i qarkut dhe Drejtori i Përgjithshëm i AKMC. Mbetemi në kontakt

Ora 14:18
'Edhe nesër reshje intensive në Shkodër e Lezhë', Gjoni për Report Tv: Të enjten do të kemi një përmirësim të motit, por rënie të temperaturave

Vendi ynë është përfshirë këtë të martë nga reshje të dendura shiu, duke shkaktuar përmbytje të rrugëve në pjesën më të madhe të vendit.

Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se përmirësimi i kësaj situate do bëhet duke filluar nga dita e enjte.

“Reshjet do të vijojnë pasditen e sotme dhe ditën e nesërme në të gjithë vendin. Në qarqet, Shkodër Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër do të kemi reshje intensive. Në qarqet e tjera do reshjet e tjera do të jenë mesatare ose lokalisht intensive. Intensiteti i shtuar i reshjeve do të vijojë të sjellë edhe rritjen e prurjeve në lumenjtë Drin, Bunë, Mat, Vjosë, Shkumbin dhe liqenin e Shkodrës. Më kritike situata mbetet në Shkodër dhe Lezhë.

Do të jetë e enjtja që do të sjellë ndërprerjen e reshjeve dhe përmirësimin gradual të situatës- pra tërheqjen e ujit. Problemet do të vijojnë në qarqet Gjirokastër, Lezhë, Kukës- ku ndër të tjera përfshihet edhe rrëshqitja e dherave në zonat malore të këtyre qarqeve", tha Gjoni.

Megjithatë edhe pse nuk do të kemi reshje, vendi do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të ftohta, çka do të sjellë edhe uljen e temperaturave.

"Të enjten dhe të premten vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të ftohta. Do të kemi rënie të temperatrurave, por jo aq sa të ulëta sa ishin në javën e parë të janarit", tha Gjoni.

Temperaturat minimale dhe maksimale të enjten parashikohen:

Në zonat bregdetare 8/9 gradë celcius;

Në zonat e ulëta 7/8 gradë celcius;

Në zonat malore -3/0 gradë celcius.

Ora 14:07
Reshjet e shiut, rëndohet situata në Kukës! Rrëshqitje dherash në hyrje dhe dalje të qytetit

 

Reshjet e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe rënie pemësh në hyrje dhe dalje të qytetit të Kukësit. Konkretisht në segmentin që lidh Kukësin me aksin Kukës–Morinë të Rrugës së Kombit, si edhe me rrugën Kukës–Shishtavec.

Ky segment hyrës-dalës i qytetit ndodhet gjithashtu nën pushtetin e ujit, por aktualisht nuk është i bllokuar për qarkullimin e mjeteve.

Fadroma e Bashkisë Kukës ka ndërhyrë dhe po punon për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e situatës.

Ora 13:27
Moti i keq, disa akse të bllokuara! Rënie gurësh dhe inertesh në zonat veriore, problematika me furnizimin me energji elektrike dhe ujë

1767695057_shkodramoti.jpg

Prej mëngjesit të së martës, reshje shiu me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, janë bllokuar disa akse rrugore, teksa në zonën veriore, ka pasur edhe rënie gurësh e inertesh.

Ndërkaq, probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike raportohen në Durrës.

Në portet e vendit, situata paraqitet e qetë, teksa në Portin e Vlorës, nisja nga Brindizi e tragetit mbetet në varësi të kushteve të motit.

Njoftimi

Raporti mbi situatën e krijuar në vend nga moti i keq

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit që prej orëve të para të ditës së sotme. Për pasojë janë evidentuar disa problematika. Që në momentet e para të gjitha strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë qenë dhe vijojnë të jenë në terren duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.

 Akset rrugore

•Në zonën veriore reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të lartë duke sjellë rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës dhe prurje uji të mëdha.

•Në aksin Bogë-Theth ka pasur reshje dëbore.

Akset ku ka pasur probleme:

•Bajram Curri–Valbonë

•Ura Bujan–Qafë Morinë

•Bajram Curri–Fierzë

•Dedaj-Bogë

•Kukës–Krumë

•Kukës–Shishtavec – Skuraj–Peshkopi

•Dushaj–Lekbibaj në km 4, ka ndodhur një rreshqitje duke vështirësuaR qarkullimin, po punohet për largimin e materialit nga pjesa kaluese e rrugës.

•Në aksin Vorë-Maminas në km 2 ka prezencë të ujit në rrugë.

•Kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren pa ndërprerje për të bërë pastrimin e akseve.

Furnizimi me energji elektrike

•Aktualisht në rang vendi janë 22 fidera jashtë pune, ku rajoni më i prekur është Durrësi, ndikuar nga moti i keq dhe prezenca e ujit në kabina.

•Të gjitha linjat që furnizojnë hidrovorët janë në funksion, përveç segmentit në Synej të Kavajës, për të cilin është duke u punuar.

•Linjat 35kV dhe nënstacionet furnizojnë normalisht me energji elektrike.

 Rrjeti i transmetimit

•Të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.

•Të gjitha brigadat e linjave dhe nënstacioneve janë në gatishmëri.

•Në Nënstacionin Rrashbull 220/110 kV ka prani të shtuar uji në sheshin e nënstacionit. Ekipet e OST-së, në bashkëpunim me Emergjencat Civile po marrin masat e nevojshme për evadimin e ujit.

Situata në kaskadën e drinit

•Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë, prurjet në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës vijojnë të mbeten të larta, pa shfaqur tendencë rënieje.

•Aktualisht, këto njësi prodhimi janë në punë me kapacitet të plotë, me gjithsej 9 agregate në funksion. Uji i ardhur përpunohet për vënien në punë të njësive prodhuese, rezervohet në liqene brenda kuotave të lejuara dhe pjesa tjetër shkarkohet në mënyrë të detyrueshme, me qëllim garantimin e sigurisë së veprave prodhuese.

Furnizimi me ujë

Rajoni Durrës

•Situata paraqitet problematike, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë që vijojnë pa ndërprerje.

•Të gjitha stacionet e pompave janë në funksion të plotë.

•Niveli i kanalit të hidrovorit është maksimal;

•Situata vlerësohet e rënduar, me rrezik për agravim për shkak të vazhdimit të reshjeve intensive.

•Strukturat përkatëse janë në terren dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme.

•Në pjesën tjetër të rajoneve, pavarësisht reshjeve, nuk janë evidentuar problematika në sistemet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.

•Situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa grupet e punës janë në gatishmëri të plotë për të monitoruar nga afër çdo zhvillim dhe për të ndërhyrë menjëherë në rast nevoje.

Portet dhe aeroporti

Porti Durrës

Situata në Portin e Durrësit aktualisht paraqitet normale, pa probleme në veprimtarinë portuale. Po vijon imbarkimi i pasagjerëve për tragetet që kanë lundrim në mesditë. Furnizimi me energji vijon pa problem.

Porti Vlorë

Nuk ka pasur traget në nisje dhe as anije të tjera të ankoruara. Nisja nga Brindizi e tragetit mbetet në varësi të kushteve të motit. Kapiteneria ka pezulluar daljen e anijeve të vogla në gjirin e Vlorës.

Porti Sarandë

Situata e qetë. Trageti i linjës me Korfuzin vijon operimet.

Aeroporti “Nënë Tereza”

Operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vazhdojnë normalisht. Situata meteorologjike në zonën përreth Aeroportit vazhdon të jetë e ngarkuar.

Ora 13:21
“450 hektarë tokë nën ujë”- Pjerin Ndreu tregon si është situata pas reshjeve në Lezhë: Fatmirësisht s’ka banesa të përmbytura

 

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, së bashku me drejtorin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe prefektin e qarkut Lezhë, Taulant Malshi, kanë inspektuar situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut në zonën e Zadrimës.

Teksa u prononcua për mediat, Ndreu ka dhënë informacione të detajuara mbi pasojat e motit të keq në terren.

Ndreu tha se rreth 450 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur si pasojë e reshjeve, ndërsa fatmirësisht sipas tij, deri në këto momente nuk raportohet për banesa të përmbytura.

Ai shtoi se autoritetet vendore po ndjekin nga afër situatën dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.

“Siç e keni parë ka pasur reshje edhe në zonat malore, që karikojnë të gjithë prrenjtë dhe lumenjtë që vijnë nga sipër, plus edhe shkarkimet e hidrocentralit që kanë bërë punën e vetë, kështu që jemi në një situatë problematike. Por nuk jemi në një situatë alarmante. Nuk ka banesa, por ka zona që kanë tokat nën ujë. Janë rreth 450 hektarë në gjithë territorin e Lezhës nën ujë. Gjithë forcat e Bashkisë janë në terren”, tha mes të tjerash Ndreu.

Ora 13:21
Përmbytje dhe në paraburgimin e Durrësit, të burgosurit zhvendosen në katin e dytë të institucionit (VIDEO)

 

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë kaos në vend nga veriu në jug. Në qarkun e Durrësit ka përmbytje masive të rrugëve kryesore si dhe të ndërtesave kryesisht të bodrumeve të pallateve.

Sakaq, përmbytje ka pasur dhe në katin e parë në godinën e burgut ku për pasojë ka pasur spostim të të burgosurve në katin e dytë. Në këtë qendër paraburgimi, të izoluar mbahen kryebashkiaku Erion Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj si dhe ish-deputeti Jurgis Çyrbja, por qelitë e tyre ndodhen në katin e 3-të.

Prefekti i Durrësit Emilijan Jani tha për Report Tv se kati i parë ndodhet nën kuotë dhe se ky është një problem i mbartur duke theksuar nevojën për investime.

Ndërkohë në IEVP Durrës ka shkuar ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, i cili po inspekton situatën nga afër.

Ora 13:06
Shkarkime në Koman e Vau i Dejës, KESH: Prurjet në Kasakadën e Drinit 3500 m3/sek

Prurjet në kaskadën e Drinit kanë vijuar të rriten, dhe kanë arritur në 3500 metër kub në sekondë. Sipas të dhënave të KESH, deri më tani niveli i liqenit të Fierzës ka arritur në 281.2 metër, dhe në të aktualisht as nuk po prodhohet as nuk ka shkarkime.

Ndërsa në liqenin e Komanit niveli është 174.2 metër, dhe aktualisht po shkarkohet 700 metër kub në sekondë. Po ashtu janë hapur edhe portat e HEC-it të Vaut të Dejës dhe po shkarkohen 700 metër kub në sekondë, kurse niveli i liqenit është 75 metër.

Pra aktualisht prej kaskadës po shkarkohen 1400 metër kub për sekondë, ndërkohë KESH thotë se situata po monitorohet me kujdes për të garantuar menaxhim të prurjeve.

Ora 13:06
Moti i keq, IGJEUM: Deri më 8 janar! Të prekura disa qarqe, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës rrezik të shtuar për përmbytje

1767695784_kurbini.jpg

Moti i keq që ka përfshirë vendinm do të vazhdojë të pakën deri më 8 janar, sipas një parashikimi nga ana e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEUM).

IGJEUM thotë se reshje intensive priten edhe të mërkurë, kryesisht në veri dhe jug të vendit.

Vërshime të lumenjve dhe rrëshqitje të dherave, do të ketë në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.

Ndërkaq, Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.

Po ashtu, në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 1000 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Njoftimi i Institutit të Gjeoshkencave

Parashikimi i rrezikut nga përmbytjet

---------------------------------------------------

Sot pasdite (e martë, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07) priten reshje intensive kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte dt.08 Janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.

Parashikimi Meteo

----------------------

Reshjet

Sot pasdite (e martë, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07) në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Lezhë priten reshje intensive. Në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).

Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 1000 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Temperatura

Nesër (e mërkurë, dt. 07) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 9 / 16 °C      

në vendet e ulëta: 9 / 16 °C     

në vendet malore:  3 / 12 °C        

Era

Sot pasdite (e martë, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet.

Ora 13:03
Reshjet e dendura të shiut ‘pushtuan’ vendin, administratori i Manzës zbulon si është situata: Uji po largohet, punonjësit e OSHEE-së janë në terren

1767701253_pamjengashiunedurres.JPG

Administratori i njësisë Manzë në qarkun e Durrësit, Rejdi Shehu, është shprehur se situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut, por shkon drejt normalizimit.

Komentet Shehu i bëri në një lidhje live për Report TV, ku tha se vërshime të ujërave në rrugë pati vetëm në orët e para të mëngjesit, kur rreshjet ishin më të dendura.

Shehu vijoi më tej duke thënë se uji gradualisht po largohet nga rrugët e Manzës, teksa shtoi se situata me energjinë elektrike nuk ka qenë problematike, pasi sipas tij, punonjësit e OSHEE-së kanë qenë në terren.

“Vetëm në orët e para të mëngjesit te shirat e fillimit pati një vërshim të ujit, ndërsa tani thuajse është larguar i gjithë uji. Situata në zonë duket e qetë dhe prezenca e ujit nuk ndodhet në asnjë nga banesat. Asnjë nga fshatrat nuk ka problematika të theksuara me bllokimet nga uji. Energjia elektrike është në rregull dhe punonjësit e OSHEE-së janë në terren”, tha mes të tjerash Shehu.

Ndërkohë gazetari Armir Mehaj duke raportuar nga Komani, ku tha se hidrocentralet kanë vijuar me shkarkimet e kontrolluara të ujërave, pas reshjeve të dendura të shiut.

Ai shtoi se momentalisht ka një kontroll të situatës dhe se nëse do të vijojë i njëjti intensitet i reshjeve, do të ketë një menaxhim të mirë të situatës në HEC-e.

Ora 12:28
Reshjet e dendura të shiut/ Në Durrës përmbytet edhe Veliera, bllokohet qarkullimi i automjeteve (VIDEO)

 

Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin, teksa ka pasur reshje të dendura shiu këtë të martë.

Në Durrës, është përmbytur edhe Veliera, një segment rrugor i realizuar disa vite më parë.

Për shkak të reshjeve të shumta, është bllokuar qarkullimi i automjeteve.

 

Ora 12:13
Moti i keq, bllokohet aksi Tepelenë-Gjirokastër/ Masivi shtufor bie në rrugë, radhë e gjatë automjetesh (VIDEO)

 

Bllokohet aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër në vendin e quqjtur "Shkalla e Zezë".

Një masiv shtufor ka rënë në rrugë duke shkaktuar bllokimin e aksit në fjalë. Kjo ka shkaktuar radhe të gjata pritjeje tek automjetet në të dy anët e rrugës.

Në vendngjarje ka shkuar Policia Rrugore dhe punonjësit e firmës kontraktore për të hequr baltën shtufore.

Ora 12:11
Niveli i ujit thuajse deri në gju, qytetarët e Durrësit në vështirësi për të lëvizur (VIDEO)

Në zonën e tregut në Durrës, qytetarët po hasin vështirësi me lëvizjen.

Uji arrin thuajse deri në gju, por ata po përpiqen të qarkullojnë në rrugët e përmbytura.

Ora 12:02
Përmbytje edhe në lagjen nr. 13 në Durrës, parkimi nëntokësor kthehet në ‘depozitë’ për shirat (VIDEO)

Lagja nr. 13 në zonën e Plazhit në Durrës është gjithashtu e prekur nga përmbytjet.

Në një parkim nëntokësor të një godine, uji ka depërtuar dukshëm dhe vazhdon të ketë prurje. Në pjesën e jashtme, situata vijon e njëjtë si në shumë rrugë të qytetit.

Automjetet janë plotësisht të bllokuara e të mbuluara nga uji.

Ora 12:02
Reshjet, rriten ndjeshëm prurjet në Fierzë! Niveli aktual në 281 metra, situata e qëndrueshme dhe nën kontroll (VIDEO)

 

Reshjet e shumta të shiut në qarkun e Kukësit kanë rritur ndjeshëm prurjet në hidrocentralin e Fierzës. Të dhënat e fundit nga HEC-i i Fierzës tregojnë një rritje të prurjeve deri në 1400 metër kub ujë për sekondë.

Aktualisht, niveli i liqenit të Fierzës është 281.18 metra. Pavarësisht sasisë së konsiderueshme të reshjeve, hidrocentrali i Fierzës vijon të mos prodhojë energji elektrike, me qëllim ruajtjen e rezervave ujore. Fuqia aktive e prodhimit është 0 megavat dhe aktualisht asnjë nga katër agregatët e HEC-it të Fierzës nuk është në punë.

Drejtuesit e hidrocentralit bëjnë të ditur se situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa monitorimi i prurjeve dhe nivelit të liqenit vijon në mënyrë të pandërprerë. Sipas tyre, çdo vendim për vënien në punë të agregatëve apo për shkarkime të mundshme do të merret në përputhje me parashikimet hidrologjike dhe protokollet e sigurisë.

Liqeni i Fierzës, në nivelin maksimal prej 296 metrash, ka një kapacitet ujëmbajtës prej rreth 2.7 miliardë metër kub ujë, çka e bën atë rezervuarin më të madh hidroenergjetik në vend.

Fierzë luan një rol kyç në sistemin energjetik kombëtar, jo vetëm për prodhimin e energjisë elektrike, por edhe për menaxhimin e prurjeve të lumit Drin dhe shmangien e rrezikut të përmbytjeve në zonat e ulëta.

Ora 11:56
Moti i keq/ Durrësi ‘paralizohet’ nga reshjet e shiut, evakuohen 10 familje! Ura e fshatit Borç rrezikon shembjen

Foto: Durrës

Durrësi është ‘paralizuar’ nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin

Përmes një njoftimi Bashkia bën me dije se situatë problematike paraqitet në njësinë administrative Rrashbull si dhe në Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.

Deri më tani janë evakuuar 10 familje, me nga 3-4 anëtarë secila, të cilat janë sistemuar pranë Kovalishencës.

Në kodrën e Currilave janë evidentuar rrëshqitje dheu, ndërsa disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme për shkak të reshjeve të dendura.

Rrugët problematike janë:
Rruga “Mujo Ulqinaku”
Rruga “Hysen Myshketa”
Rruga “Marta Buda”
Rruga “Jahja Ballhysa”
Rruga “Kristo Sotiri”
Rruga “Glaukia”
Rruga “Vaso Pasha”
Rruga “Jeta Re”
Rruga “Vllazërimi”
Rruga “Jezerca”
Rruga “Azem Hajdari”
Rruga “Mbreti Pirro”
Rruga “Enkelejve”

Këto rrugë ndodhen në lagjet nr. 12, 13, 14, 17 dhe 18. Gjithashtu, ka bllokime të qarkullimit nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri.

Ora 11:41
Mbi dërrasë sërfi e lopatë në duar, qytetari lundron në rrugët e Durrësit (VIDEO)

Situata e përmbytjeve në Durrës i ka bërë qytetarët të tregohen krijues me mënyrat për të lëvizur në rrugët e pakalueshme nga uji.

Në pamje shihet një qytetar i cili ka përdorur një dërrasë sërfi dhe një lopatë për të lundruar. Rreth tij gjenden makinat e zhytura në ujë.

Ora 11:34
Moti i keq, Pirro Vengu thërret në mbledhje Komitetin e Emergjencave Civile dhe ministrin e Bujqësisë

1767695784_kurbini.jpg

Foto nga Kurbini

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka thirrur në mbledhje Komitetin e Emergjencave Civile dhe Ministrin e Bujqësisë Andis Salla. Shkak për thirrjen e kësaj mbledhje është bërë situata nga veriu në jug për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Kryesisht në veri të vendi janë raportuar përmbytje të banesave dhe tokave bujqësore, ndërsa probleme me qarkullimin ka në aksin Tepelenë – Gjirokastër për shkak të rënies së inerteve, si dhe në autostradën Tiranë-Durrës nga prezenca e madhe e ujit.

Ora 11:24
Malësi e Madhe/ Reshjet e dendura të shiut, përmbytje nga Përroi i Thatë në Kamicë! Kalimi vetëm me automjete të larta (VIDEO)

 

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë mjaft problematika thuajse në të gjithë vendin.

Në fshatin Kamicë, Njësia Administrative Qendër, si pasojë e prurjeve nga Përroi i Thatë, janë evidentuar dëmtime në rrugën që kalon mbi të, duke sjellë vështirësi e në qarkullim.

Kalimi në këtë zonë bëhet vetëm me automjete të larta.

Ora 11:20
Moti i keq në Shqipëri/ 15 banesa të përmbytura në qarkun Shkodër, probleme me qarkullimin në Gjirokastër! Uji vërshon në tokat bujqësore në Lezhë

1767695207_lezhashkodra.jpg

Foto nga Shkodra dhe Lezha

Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar një situatë problematike në disa zona të vendit.

Më problematike paraqitet situata në Lezhë ku është regjistruar 105 mm reshje shiu dhe në qarkun e Shkodrës. Konkretisht në fshatin Plagë dhe Kanicë në Malësinë e Madhe 15 banesa janë përmbytur për shkak të daljes nga shtrati të përroit të Thatë si dhe dëmtimit të rrugës.

Sakaq, përmbytje janë raportuar dhe në qarkun e Lezhës në banesa e toka bujqësore. Lumi Drin është në kuota kritike pranë nivelit të rrezikut të lartë për të dalë nga shtrati.

Në jug, rënia e inerteve ka bllokuar pjesërisht rrugët nacionale, kryesisht në aksin Tepelenë-Gjirokastër për shkak të rënies së inerteve. Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë për të menaxhuar nivelet e ujit.

Ora 10:49
Moti i keq, në hidrocentralin e Fierzës nuk po prodhohet energji elektrike! Nuk ka as shkarkime të ujërave

1767693306_fierzehecmotiikeq.JPG

Moti i keq që ka prekur gjithë vendin ditën e sotme, ka ‘paralizuar’ edhe punën në disa sektorë, përfshi hidrocentralin e Fierzës.

Sipas burimeve për Report TV bëhet me dije se aktualisht në HEC-in më të madh në vend, Fierzë, nuk po prodhohet energji elektrike.

Po ashtu bëhet e ditur se pavarësisht reshjeve të dendura, ende nuk kanë nisur shkarkimet, me qëllim ruajtjen e rezervës ujore.

Ora 10:35
Përmbyten tokat bujqësore në Krujë, shkak mosfunksionimi i kanaleve kulluese (VIDEO)

 

Që prej mbrëmjes së djeshme vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut.

Kështu  në ultësirën e rrethit të Krujës tokat bujqësore janë përmbytur si pasojë e mosfunksionimit të kanaleve kulluese

Në njësinë administrative Bubq disa rrugë të fshatrave janë të mbuluara nga uji. Aktualisht rrugët janë të kalueshme vetëm me mjete të larta.

Ora 10:07
Përmbytet Kurbini, disa hektarë tokë bujqësore nën ujë! Ndërpritet mësimi në fshatin Fushë Mamurras (VIDEO)

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme edhe në zonën e Kurbinit, ku disa hektarë tokë bujqësore janë përmbytur, ndërsa disa banesa janë rrethuar nga uji, konkretisht në zonën pranë mbikalimit të Patokut në autostradë si dhe në njësinë administrative Mamurras.

Probleme janë evidentuar edhe në fshatin Fushë Mamurras, ku mësimi është ndërprerë për shkak të pranisë së ujit në ambientet shkollore. Banorët shprehen se kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje të dendura shiu, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme kryesisht në bujqësi dhe blegtori.

Ndërkohë, si pasojë e reshjeve, ka pasur rritje të prurjeve në lumenjtë Droja dhe Mat. Fatmirësisht, deri më tani nuk paraqesin rrezik për dalje nga shtrati, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e Mbrojtjes Civile.

Ora 10:06
Moti i keq/ Lumi Gjadër del nga shtrati, shkarje dherash në Fushë-Arrëz! Disa zona në Malësinë e Madhe e Shkodër pa energji elektrike

Vau i Dejës

Në Lezhë, prurjet nga përrenjtë e lumenjtë janë shtuar në sasi të konsiderueshme por deri tani nuk janë konstatuar probleme.

Niveli i ujit nga Ura e Vjetër e Bunës është poshtë kuotës së rrezikut, po ashtu edhe nga lumenjtë Drin, Kir, Gjadër pavarësisht se kanë shtuar prurjet. Situata paraqitet e qëndrueshme edhe në rezervuarin Shtodër.

Hidrovoret Vilun e Cas janë në funksion me nga 5 pompa e në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë.

Në Malësinë e Madhe, vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të Përroit. Furnizimi me energji elektrike paraqitet problematik në disa zona, kryesisht në Kelmend e Shkrel.

Në Vaun e Dejës, lumi Gjadër ka dalë nga nga shtrati, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujit në lagjen “Kapedani”.

Në Fushë-Arrëz ka shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë autorurale.

Në Shkodër nuk ka problematika në qarkullimin rrugor, por rezultojnë pa energji elektrike Postriba dhe Kelmendi, për të cilat po punohet.

 

Ora 09:40
Lagjja 18 në Durrës/ Makinat zhyten në ujë, thuajse i pamundur qarkullimi (VIDEO)

Lagjja 18 në Durrës është përmbytur për shkak të motit të keq. Nga pamjet e siguruara nga Report TV, shihet vështirësia në qarkullim e automjeteve pasi uji ka arritur në nivel të lartë.

Automjetet shihen të zhytura në ujë, të paktën deri në gjysmën e tyre. Lëvizja është e mundur vetëm me automjete të larta.

Disa qytetarë gjithashtu përpiqen të lëvizin në rrugën e përmbytur, por me shumë vështirësi.

Ora 09:36
Vlora përfshihet nga moti i keq/ Automjeti bie në kanalin e Siavit, nuk ka persona të lënduar

1767688805_aksidentivlore.jpg

Këtë të martë, moti i keq ka përfshirë territorin e vendit, me reshje të dendura shiu.

Në Vlorë, një automjet tip “Ford” ka rënë në kanalin e Siavit.

Automjeti ka rënë në një prej kanaleve kryesore kulluese të qytetit.

Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Ora 09:24
Reshjet e shiut në vend/ Nga çerdhet deri në Universitet, pezullohet mësimi në Durrës

Qyteti i Durrësit është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat kanë sjellë probleme të shumta në disa zona të territorit të bashkisë. Si pasojë e përmbytjeve, mësimi është pezulluar në këto çerdhe e kopshte:

Kopshti “Sotir Noka”

Kopshti “Met Hasa”

Çerdhja nr.1

Konvikti “Beqir Çela”

Kopshti “Neim Babameto”

Kopshti “Durrësi i Ri”

Kopshti “Fidanishtja”

Po kështu procesi mësimor është pezulluar në të gjitha shkollat dhe në Universitet.

Ora 09:17
Përmbytje në zonën e Kënetës në Durrës/ Reshjet e dendura të shiut, makinat bllokohen nën ujë (VIDEO)

 

Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin këtë të martë, ku ka pasur reshje të dendura shiu. Një nga qytetet e prekura është edhe Durrësi. 

Nga pamjet e siguruara nga Report TV, shihet se zona e Kënetës është e përmbytur, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e banorëve.

Makinat e kanë të pamundur të lëvizin, për shkak se janë bllokuar nën ujë.

Ora 09:09
Moti i keq, lumi Drin përmbyt shëtitoren në lagjen Skëndërbeg në Lezhë (VIDEO)

 

Shëtitorja në lagjen Skëndërbeg në Lezhë është nën pushtetin e ujit, siç shihet edhe nga këto pamje që sjell Report Tv. Prurjet e shumta të Lumit Drin kanë përmbytur shtetiroren.

Prej oreve të para të mëngjesit të së martës strukturat e Bashkisë Lezhë, kanë dalë në terren ku policia bashkiake ka bllokuar lëvizjen në disa rrugë ku niveli i ujit është i lartë, ndërsa situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshe.

Përmes një njoftimi për zyrtar Bashkia bën me dije se për shkak të reshjeve të shumta dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, situata pritet të rëndohet, ku ju kërkohet të gjithë banorëve që, në rast emergjence apo nëse konstatojnë prezencë uji në banesat e tyre, të kontaktojnë menjëherë strukturat vendore.

"Bashkia Lezhë informon se për shkak të reshjeve të shumta dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, situata në territorin e Bashkisë Lezhë pritet të rëndohet. U kërkojmë të gjithë banorëve që, në rast emergjence apo nëse konstatojnë prezencë uji në banesat e tyre, të kontaktojnë menjëherë në numrin e telefonit: +355 68 367 8727 Bashkia Lezhë është në gadishmëri të plotë dhe po ndjek nga afër situatën për të garantuar ndërhyrje të menjëhershme dhe mbështetje për qytetarët", njofton Bashkia. 

Ora 09:01
Moti i keq/ Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë rënie të gurëve në askin Bajram Curri-Valbonë

 

Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e Qarkut Kukës. Si pasojë, në disa segmente të akseve rrugore nacionale është evidentuar rrezik nga rënia e gurëve dhe materialeve inerte.

Situata më e theksuar sipas Prefekturës Kukës është konstatuar në akset rrugore nacionale të Bashkisë Tropojë, konkretisht në rrugën Bajram Curri-Valbonë, ku janë regjistruar rënie gurësh dhe vërshime uji në disa segmente të saj.

Ekipet e subjekteve kontraktore po punojnë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, veçanërisht në segmentet më problematike të aksit Bajram Curri-Valbonë. Aktualisht, qarkullimi në këtë aks rrugor, si dhe në të gjitha akset e tjera rrugore nacionale në Qarkun Kukës, zhvillohet normalisht

.Sipas raportimeve nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, nuk ka situata emergjente apo problematika të shtuara .Furnizimi me energji elektrike në Qarkun Kukës është pothuajse i plotë, me përjashtim të 16 abonentëve në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër, Bashkia Tropojë.

Prefektura Kukës njofton se strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe janë të gatshme të ndërhyjnë menjëherë në rast të përkeqësimit të kushteve apo shfaqjes së problematikave të reja, në bashkëpunim me emergjencat civile të tre bashkive të qarkut.

Ora 08:35
Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Lezhë! Niveli i ujit arrin deri në 40 centimetra, pezullohet mësimi në dy shkolla

Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë orëve të natës, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytetin e Lezhës. Si pasojë e prurjeve të larta, rrjeti i kanalizimeve nuk ka arritur t’i përballojë, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”.

Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Situata ka krijuar shqetësim për banorët e zonës, të cilët janë përballur me vështirësi gjatë orëve të para të mëngjesit.

Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollat 9-vjeçare “Kosova” dhe "Gjergj Fishta".

Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën nga afër.

Ora 08:19
Moti i keq/ Përmbyten rrugët te Stadiumi dhe te ‘Vollga’ në Durrës, vështirësi në qarkullim (VIDEO)

 

Që prej mbrëmjes së djeshme vendi ynë është përfshirë nga moti i keq dhe me reshje të dendura shiu.

Në Durrës, rrugët e qytetit bregdetar janë në pushtetin e ujit.

Kështu në shëtitoren e Vollgës rrugët janë të mbuluara totalisht nga uji duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe duke e bërë të pakalueshme për qytetarët.

Ora 07:59
Moti i keq/ Vijojnë shkarkimet e ujit në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës (VIDEO)

Reshjet intensive të shirave dhe domosdoshmëria e ruajtjes se perimetrit të nivelit në kaskadës detyruan fillimin e shkarkimeve nga dy pre tre hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Shkarkimet në hidrocentralin e Komanit nisen prej të hënës.

Shkarkimet nga Komani u reflektuan dhe në Vaun e Dejës. Aktualisht në Vaun e Dejës po shkarkohen 700m3 ujë në sekondë ndërsa afro 600 m3  të tjera derdhen nga kaskada e Vaut të Dejës përmes prodhimit me kapacitet maksimal. Niveli i Vaut të Dejës sipas KESH ndodhet në kuotën e 75 metër e 58 cm nga 76 që është kuota maksimale.

Shpresdhënëse për përmirësimin e shpejt të situatës janë të dhënat nga Fierza, e cila aktualisht nuk po prodhon energji duke akumuluar prurje.

Sipas të dhënave nga hidrocentrali më i madh i vendit, niveli aktualisht është 182 metër nga 196 që është kapaciteti maksimal, ndërsa prurjet nga 500 m3 për sekondë që ishin dje gjatë orëve të fundit arritën në 1400 meterkub/ për sekondë.

Kryeministri Edi Rama shkroi se Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë.

“Në kaskadën e Drinit si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, ku aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve. Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë”, thuhet në postimin e Ramës.

 

Ora 07:27
Reshje shiu me intensitet të lartë, veçanërisht në Shkodër e Vlorë...parashikimi i motit për sot (VIDEO)

Ditën e sotme priten reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug të vendit.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shume intensive.

Në qarqet Lezhë, Berat dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

Në zonat bregdetare 13/17 gradë celcius;

Në zonat e ulëta 12/16 gradë celcius;

Në zonat malore 6/9 gradë celcius.