Strukturat vendore dhe ekipet e Emergjencave Civile në qarkun e Korçës po vijojnë punën për normalizimin e situatës nga reshjet e shiut.

Në bashkinë Pogradec, Komisionet e verifikimit kanë konstatuar dëme në 62 familje, të cilave u janë shpërndarë ndihma ushqimore, ndërsa vijon identifikimi i rasteve të tjera. Probleme janë regjistruar përgjatë lumenjve Verdovë dhe Rëmenj, si dhe në grykëderdhjen pranë gurores, ku janë kryer ndërhyrje për menaxhimin e rrjedhjeve.

Në aksin Pogradec–Bucimas ka ceduar rreth 50 metra nga korsia e biçikletave, ndërkohë që në rezervuarin Stropskë 2 janë konstatuar shkarje dherash në një sipërfaqe prej rreth 4 dynymësh, ku ekipet e emergjencave vijojnë vlerësimin. Në njësinë administrative Dardhas, janë pastruar 4 akse rrugore, ndërsa në gjithë qytetin vijon pastrimi i pusetave dhe asfaltit.

Edhe në bashkitë e tjera të qarkut, reshjet kanë shkaktuar probleme. Në Devoll, në fshatin Progër është punuar për sistemimin e shtratit të lumit në zonat ku pritat u çanë, si dhe për rehabilitimin e segmenteve rrugore të dëmtuara nga erozioni. Në Hoçisht është ndërhyrë në lumin e Borshit, për shkak të përmbytjes së një sipërfaqeje të konsiderueshme tokash bujqësore.

Në Bashkinë Korçë, vijojnë ndërhyrjet për pastrimin e rrugëve dhe tombinove në Voskopojë, Bulgarec dhe Voskop, si dhe riparimi i argjinaturave të dëmtuara. Po monitorohen prurjet e lumit të Kamenicës dhe degëzimeve mbi Dvoran, ndërkohë që vazhdon puna për funksionalizimin e rrugës Tudas–Lavdar–Bozdovec–Mazrekë.

Kolonjë është devijuar rrjedha e lumit pranë urës së Qinamit për të shmangur rrezikun, ndërsa në Starje dhe Prodan janë kryer punime për largimin e ujërave dhe pastrimin e shtratit të lumit. Në qytetin e Ersekës është pastruar pusetë qendrore e ujit, me NJVKSH që konfirmon se uji është i pijshëm.

Maliq po punohet për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumenjve Dunavec dhe Devoll me mbështetjen e subjekteve private dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në Pustec situata paraqitet e normalizuar dhe nuk raportohen problematika.

Sipas OSHEE, furnizimi me energji elektrike është i qëndrueshëm në të gjithë qarkun, me përjashtim të zonës Kurtesh ku 11 abonentë mbeten pa energji. Ndërkohë, ARRSH bën të ditur se në aksin Qafë Plloçë–Qukës vijon pastrimi i inertave, me qarkullimin që zhvillohet pa probleme falë një rruge sekondare të hapur.


Lajmi kryesor:

Shembja e argjinaturës/ Barbulloja e Rrila e Lezhës 6 ditë nën ujë, shpërndahen ndihma për banorët! Aksi Qukës- Qafë Plloçë ende i bllokuar