Banorët e fshatrave Rrile e Barbulloje në Lezhë prej 6 ditësh ndodhen të rrethuar nga uji. Pavarësisht mbështetjes me bazë ushqimore po përballen me vështirësi të shumta. Shërbimi Social është angazhuar në shpërndarjen e ushqimeve për popullatën dhe begatitë.
Paraprakisht përllogariten 500 hektarë të përmbytura në Lezhë. Kanalet kulluese vijojnë të jenë me nivele të larta, duke mos favorizuar evadimin e ujërave. Ndërsa emergjencat civile dhe ushtria kane rinisur punën për forcimin e argjinaturës së Vainit.
Rrëshqitja e dherave ka dëmtuar disa rrugë në mbarë vendin. Shembja e masivit shkëmbor, prej ditës së djeshme ka bllokuar rrugën Qukës-Qafë Plloçë. Për pasojë, segmenti u devijua në një korsi të re, e hapur disa ditë më parë nga kontraktori, duke lënë të kuptohet se një situatë e tillë pritej. Në zonë po punon kompania mirëmbajtëse “2T”, e cila po vendos edhe shufra dhe rrjeta metalike për parandalimin e rrëshqitjeve të tjera.
Kjo është hera e katërt që shënohen rrëshqitje inertesh që prej inaugurimit të këtij segmenti rrugor, dy prej të cilave masive. Loti i tretë i aksit rrugor karakterizohet nga formacione të paqëndrueshme të tokës, duke sjellë edhe rrëshqitje të vazhdueshme.
Në bashkinë Pogradec, Komisionet e verifikimit kanë konstatuar dëme në 62 familje, të cilave u janë shpërndarë ndihma ushqimore.

Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Bashkinë, Forcat e Armatosura, po punojnë pa ndërprerje për të mbyllur çarjen e krijuar në argjinaturën e lumit Devoll, e shkaktuar nga prurjet e shumta të ditëve të fundit.
Për të mundësuar mbërritjen e mjeteve dhe materialeve inerte deri në pikën e dëmtuar, po ndërtohet një rrugë e përkohshme me gjatësi 3,2 kilometra.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Prefektin, Nertil Jole, Kryetarin e Bashkisë, Gëzim Topçiu, zv.ministrin, Arian Jaupllari dhe Drejtorin e DUK Korçë, Gentian Aliçkolli, inspektuam zonën e Sheqerasit, ku ekipet e DUK Korçë po punojnë për rehabilitimin e çarjes në argjinaturën e lumit Devoll.
Ministri Salla bëri të ditur se ngritja e pritës provizore ka ndalur depërtimin e ujit në fushën e Maliqit dhe ka krijuar kushtet që, gjatë këtyre ditëve pa reshje, uji të tërhiqet nëpërmjet rrjetit kullues, ndërsa vijohet me mbylljen përfundimtare të argjinaturës.
“Prioritet absolut mbetet mbyllja e çarjes për të shmangur çdo përmbytje të mundshme. Ekipet janë në gatishmëri të plotë dhe puna po zhvillohet me intensitet maksimal, 24 orë në 24. Çdo orë që fitojmë është e rëndësishme për sigurinë e zonës përpara reshjeve të radhës”, deklaroi Salla gjatë inspektimit.
Në zonën e prekur janë shtuar mjetet e rënda dhe kapacitetet logjistike, ndërsa po vendosen masivisht gurë dhe materiale të tjera mbushëse për të garantuar stabilizimin e argjinaturës.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë të informojë publikun mbi ecurinë e ndërhyrjeve dhe situatën në terren.
Pavarësisht rënies së nivelit të ujit pas mbylljes se argjinaturës së Lagunës së Vainit, situata e krijuar nga përmbytjet në Lezhë mbetet e vështirë.
Kryesisht në Njësitë Administrative Shënkoll dhe Kolsh (Barbullojë dhe Rrilë) ka ende banesa të rrethuara nga uji dhe qindra hektarë tokë bujqësore të përmbytura.
Banorët thonë se prej 6 ditësh ndodhen nën ujë dhe pavarësisht mbështetjes me bazë ushqimore po përballen me vështirësi të shumta.
“Plasi argjinatura po se plasi apo se shkojnë njerëzit me eksavatorë dhe marrin dhe për të mbushur vendet e veta.Çdo gjë është në ujë, s’po na vjen kush”, shprehen banorët.
Në kushtet e përmbytjeve, Bashkia Lezhë ka shtuar ndërhyrjet në terren për të garantuar ndihmën për banorët e prekur.
Prej ditës së dielë, Shërbimi Social është angazhuar në shpërndarjen e ushqimeve për popullatën dhe bagatitë.
“Të gjitha ekipet në 24/7 kanë qenë në mbështetje të familjeve në nevojë. Në Shën Koll kemi mbështetur 150 familje, 100 në Kolsh dhe 60 në Zejnen. Kemi shpërndarë edhe ushqime për kafshët. Bashkia e Lezhës është në territor. Çdo familje që ka nevojë bashkia do të jetë pranë tyre", tha Marte Fetaj, drejtoreshë e shërbimit social.
Tërheqja e ujit në zonat e përmbytura në Lezhë po vijon me ritme të ngadalta, pasi kanalet kulluese vijojnë të jenë me nivele të larta, duke mos favorizuar tërheqjen e shpejtë të ujërave.
Shpërndarja e ndihmave po vijon paralelisht me monitorimin e situatës në të gjitha zonat e prekura, ndërsa strukturat e emergjencave dhe ushtria kanë rinisur punën për forcimin e argjinaturës së Vainit.

Edhe pse vijon të jetë nën ndikimin e reshjeve të dobëta të shiut, në qarkun e Lezhës kemi një përmirësim të situatës. Niveli i ujit në sipërfaqet bujqësore ka filluar të tërhiqet, teksa grupet e punës vijojnë për vlerësimin e dëmeve dhe përforcimin e argjinaturës së lumit Drojë.
Bashkia Kurbin
Sot do të vazhdojë puna për devijimin e shtratit dhe përforcimin e argjinaturës së lumit Drojë, kjo në varësi të kohës dhe prurjeve të lumit.
Grupet e punës vijojnë me punën vlerësimin e dëmeve.
Nga OSHEE do të vazhdojë puna për riparimin e linjës së fshati Skuraj.
Bashkia Lezhë
Sot do të vijojë puna për përforcimin dhe ngritjen në lartësi të argjinaturës së dëmtuar me mjetet e DRUK, bashkisë, FA dhe operatorëve privatë.
Vijon puna për vlerësimin e dëmeve.
Vijon puna për shpërndarjen e ndihmave, të ardhura nga RMSH dje dhe pjesa që do vijë sot (300 pako në total).
Vazhdon të ulet niveli i ujit në sipërfaqet bujqësore në zonat e njësive administrative Zejmen, Kolsh, Shënkollë.
Ekipet e MZSH kanë punuar dhe do punojnë për largimin e ujit në bodrume/parkingjet e pallateve në Shëngjin e Lezhë.
Nga OSHEE raportohet se furnizimi me energji është normal.
Bashkia Mirditë
Do mbahen në monitorim dy banesat që rrezikohen nga rrëshqitja e tokës ndërsa mjetet bashkiake duke parë reshjet e shiut, do ndërhyjne ku është me emergjente. Aksi Rreshen Bukmirë vazhdon të monitorohet dhe të ndërhyhet, pasi ka segmente me rrezik shembje.
Grupet e punës për vlerësimin e dëmeve do të vazhdojnë evidentimin e dëmeve.
Furnizimi me ujë ka vazhduar rregullisht, kurse me energji elektike ka patur ndërprerje të herë pas hereshme por është rikthyer.
Hidrovorët punojnë të gjithë me kapacitet të plotë.
Niveli i lumit Drin ka pësuar rritje por është brenda kuotave jo problematike, po kështu dhe lumit Mat.
Strukturat vendore dhe ekipet e Emergjencave Civile në qarkun e Korçës po vijojnë punën për normalizimin e situatës nga reshjet e shiut.
Në bashkinë Pogradec, Komisionet e verifikimit kanë konstatuar dëme në 62 familje, të cilave u janë shpërndarë ndihma ushqimore, ndërsa vijon identifikimi i rasteve të tjera. Probleme janë regjistruar përgjatë lumenjve Verdovë dhe Rëmenj, si dhe në grykëderdhjen pranë gurores, ku janë kryer ndërhyrje për menaxhimin e rrjedhjeve.
Në aksin Pogradec–Bucimas ka ceduar rreth 50 metra nga korsia e biçikletave, ndërkohë që në rezervuarin Stropskë 2 janë konstatuar shkarje dherash në një sipërfaqe prej rreth 4 dynymësh, ku ekipet e emergjencave vijojnë vlerësimin. Në njësinë administrative Dardhas, janë pastruar 4 akse rrugore, ndërsa në gjithë qytetin vijon pastrimi i pusetave dhe asfaltit.
Edhe në bashkitë e tjera të qarkut, reshjet kanë shkaktuar probleme. Në Devoll, në fshatin Progër është punuar për sistemimin e shtratit të lumit në zonat ku pritat u çanë, si dhe për rehabilitimin e segmenteve rrugore të dëmtuara nga erozioni. Në Hoçisht është ndërhyrë në lumin e Borshit, për shkak të përmbytjes së një sipërfaqeje të konsiderueshme tokash bujqësore.
Në Bashkinë Korçë, vijojnë ndërhyrjet për pastrimin e rrugëve dhe tombinove në Voskopojë, Bulgarec dhe Voskop, si dhe riparimi i argjinaturave të dëmtuara. Po monitorohen prurjet e lumit të Kamenicës dhe degëzimeve mbi Dvoran, ndërkohë që vazhdon puna për funksionalizimin e rrugës Tudas–Lavdar–Bozdovec–Mazrekë.
Në Kolonjë është devijuar rrjedha e lumit pranë urës së Qinamit për të shmangur rrezikun, ndërsa në Starje dhe Prodan janë kryer punime për largimin e ujërave dhe pastrimin e shtratit të lumit. Në qytetin e Ersekës është pastruar pusetë qendrore e ujit, me NJVKSH që konfirmon se uji është i pijshëm.
Në Maliq po punohet për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumenjve Dunavec dhe Devoll me mbështetjen e subjekteve private dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në Pustec situata paraqitet e normalizuar dhe nuk raportohen problematika.
Sipas OSHEE, furnizimi me energji elektrike është i qëndrueshëm në të gjithë qarkun, me përjashtim të zonës Kurtesh ku 11 abonentë mbeten pa energji. Ndërkohë, ARRSH bën të ditur se në aksin Qafë Plloçë–Qukës vijon pastrimi i inertave, me qarkullimin që zhvillohet pa probleme falë një rruge sekondare të hapur.
Komente












