SHBA- SHBA është pushtuar nga një tjetër stuhi dimërore e cila ka goditur jugun dhe lindjen e vendit. Deri më tani janë anuluar më shumë se 3 500 fluturime, si dhe mbi 500 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike. Të paktën 12 persona kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit për shkak të stuhisë.
 
Gjatë ditës së enjte priten reshje dëbore në shtete si Pensilvania apo New York me shtresat e dëborës të cilat pritet të arrijnë deri në gjysmë metri lartësi.
 
Stuhia, e cila u përshkrua nga Shërbimi Kombëtar Meteorologjik si një event i përmasave historike ka rrëzuar pemë e shtylla tensioni të shumta përgjatë jugut të vendit.
 
Sipas meteorologëve kjo është stuhia më e fortë që ka goditur qytetin e Atlantas, që prej vitit 1973. Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave deklaroi se kishte nisur ndihma të shumta si ushqime dhe gjeneratorë, në qendrat e emergjencës në vend.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)