Qendra operacionale e emergjencave civile të bashkisë Fier vijon të jetë në gatishmëri të plotë edhe pse rreziku mund të themi që ka kaluar.

Kështu është shprehur në një prononcim për mediat kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi teksa ka pohuar se nga të dhënat e marra nga hidromatësi në Memaliaj niveli i ujrave të Vjosës ka filluar të bjerë ndjeshëm.

'Kishte një rritje të ujit në lumin Vjosë dhe kulmi arriti rreth mesditës. Besoj se nuk kemi rrezik dhe me siguri rreziku ka kaluar dhe s'do të kemi problem sonte për daljen e lumit Vjosa nga shtrati. Jemi këtu, do të vijojmë që të monitorojmë situatën, Qendra Operacionale e Emergjencave Civile është në gatishmëri', tha ai. 

Maksimumi i prurjeve është regjistruar rreth orës 14:30 në nivelin 7 çka do te thotë që ai nivel prurjesh pritet të vijë rreth orës 19:00- 20:00 në fshatrat fundorë të njësive Levan dhe Novoselë. Por duke patur parasysh përvojen e viteve të kaluara ky nivel nuk përbën rrezik për daljen e lumit Vjosa nga shtrati.

Lajm i mirë është që niveli i ujrave të Vjosës ne zonën Tepelene - Memaliaj ka filluar të bjerë dhe krahasuar me mesditën rënia është rreth 70-80 cm, ç'ka do të thotë sipas Subashit që rreziku ka kaluar dhe orët e natës do të jenë orë të qeta dhe pa probleme.

Subashi ka pohuar gjithashtu se situata do të monitorohet dhe mjetet dhe forcat e emergjencës do të qëndrojnë në gatishmëri edhe për disa orë për çdo eventualitet të mundshëm.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Përmbytje në Delvinë e Finiq, evakuohen 6 familje! Izolohen 10 fshatra në Mirditë! Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati