TIRANE - Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore, si dhe rrëshqitje të dherave në mjaft zona të vendit. Situata paraqitet problematike në Fier, shirat e rrëmbyeshëm kanë sjellë përmbytje të tokave bujqësore në komunën Mbrostar, si dhe në komunën Qendër-Libofshë. Edhe në zonën e Topojës ka pasur mjaft probleme për shkak të fryrjes së lumit Seman.

Ndërkohë, korrespondentët e “A1Report” bëjnë me dije se në Berat ka pasur rrëshqitje dherash. Më konkretisht bëhet fjalë për aksin “Berat-Poliçan-Skrapar”, ku për shkak të motit të keq, në këtë aks bien edhe gurë shkëmborë dhe dhera.

Sa i përket aksit Elbasan- Tiranë, mësohet se nuk ka probleme. Sipas drejtorit të Emergjencave Civile në Prefekturën e Elbasanit, Mustafa Arapi, probleme ka në zonën e Urës e Murrashit, në aksin Elbasan-Qafë Thanë, ku ka pasur rënie dherash. Ai këshillon drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes.

Ndërkohë, bëhet me dije se në zonën Kodër Vilë në qytetin e Durrësit, uji ka hyrë në disa banesa. Në zonën e Currilave njëra korsi e rrugës është bllokuar nga shkarja e dherave dhe po e njëjta situatë paraqitet edhe në aksin nga Universiteti i Durrësit deri në Currila.

Redaksia online
(eç/sf/shqiptarja.com)