Moti i keq, përmbyten rrugët rrëshqitje dherash në Bajram Curri
Shtabet e Emergjencave janë ngritur në të gjithë vendin për shkak se duke filluar nga mesdita e sotme pritet një përkeqësim i motit, me reshje të shumta që mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje të tokës VIDEO
Shtabet e Emergjencave janë ngritur në të gjithë vendin për shkak se duke filluar nga mesdita e sotme pritet një përkeqësim i motit, me reshje të shumta që mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje të tokës.
Buletinet e instituteve të specializuara meteorologjikë njoftojnë se përkeqësimi i motit mund të shoqërohet fillimisht me reshje me intensitet mesatar, që do të vijnë duke u shtuar.
Ora 13:30 - Rrëshqitje dherash në Bajram Curri
Rruga Bajram Curri- Valbonë është bllokuar tërësisht rreth mesditës, për shkak të rrëshqitjes së dherave. Mësohet se firma që merret me mirëmbajtjen e rrugës po punon për normalizimin e situatës.
Si pasojë e motit të keq është bllokuar edhe një pjesë e rrugës Fierzë-Lekbibaj.
Ora 10:20 - Rikthehet energjia në Kukës Grupi i riparim-avarive ka bërë të mundur riparimin e defektit në linjën e tensionit të lartë në Qafe Mali, duke rikthyer energjinë në qytetin e Kukësit.
Moti i keq këputi linjat e tensionit të lartë mbrëmjen e djeshme, ndërsa energjia u rikthye rreth orës 10:20.
Ora 09:20 - Pezullohet puna në disa sektorë në Portin e Durrësit
Si pasojë e motit të keq është pezulluar puna në disa sektorë në Portin e Durrësit.
Fillimisht puna është ndërprerë në sektorin e peshkimit, ku është ndaluar dalja në det e peshkarexhave për arsye sigurie.
Ora 08:56- Këputen telat përcjellës në Qafë Mali, Kukësi pa energji
Mësohet se linja e OST-së në Kukës ka defekt si pasojë e këputjes së telave përcjellës nga moti i keq.
Defekti ka ndodhur në linjën e tensionit të lartë në Qafe Mali. Mësohet se grupi i riparim-avarive ndodhet në terren dhe po punon për riparimin e defektit.
Ora 08:45 - Bllokohet qarkullimi në aksin Gjirokastër-Kakavijë
Reshjet e shiut kanë shkaktuar vështirësi të shumta në rrugët e Gjirokastrës, kryesisht sa i përket qarkullimit të automjeteve.
Mësohet se në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur postbllok, është bllokuar qarkullimi, pasi rruga është mbushur me ujë.
Që prej orëve të para të mëngjesit janë përmbytur edhe rrugët e gurta në pjesën muzeale në Gjirokastër.