Apeli i Posaçëm ka rrëzuar ankimin e Eralbi Breçanit për zëvendësimin e masës së arrestit në burg. Gjykata e ka lënë në qeli djalin e ish-funksionarit të policisë, Erzen Breçanit, sipas vendimit të GJKKO.

Breçani akuzohet për trafikimin e 446 kilogramëve kokainë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në nëntor 2023 ishte i shpallur në kërkim, por u vetëdorëzua në Spanjë në prill të këtij viti dhe u ekstradua në qershor në Shqipëri.

Sipas SPAK, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal pjesë e të cilit ishte Ergys Dashi dhe Ervin Mata, dyshohet financues dhe porositës i sasive të mëdha të kokainës nga përtej oqeanit. Atij i atribuohet, zbuluar përmes komunikimeve të “SkyEcc” sasia e 446 kg kokainë e sekuestruar në Holandë në dhjetor të 2021, me bashkëpunëtorë edhe Ismail Zenelin e Besmir Murtatin.

I gjithë aktiviteti kriminal i trafikimit të kokainës që vinte nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Europian nga Eralbi Breçani, dyshohej se pastrohej brenda vendit nga babai i tij, ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Me veprime aktive të kundërligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga droga të djalit Eralbi Breçani, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre. Babë e bir kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave.

Përveç trafikut të narkotikëve, grupi ku bënin pjesë babë e bir, shfrytëzonin pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.