Rrugët në territorin e Qarkut të Shkodrës janë të gjitha të kalueshme, përfshirë akset ku pa pasur reshje dëbore Bogë-Theth, e Tamarë-Vermosh. Autoritetet apelojnë që drejtuesit e makinave të kenë goma dimërore nëse udhëtojnë drejt destinacioneve malore të përfshira nga dëbora.
Vetëm në rrugën e Prekalit dhe Kirit, ku pati shembje, grupet janë duke punuar në terren për të nxjerrë nga izolimi banorët, të cilët për të mbërritur në zonat urbane, duhet të përdorin rrugën alternative përmes Thethit.
Bashkitë e qarkut të Shkodrës karakterizohen nga reshje të shiut të shoqëruara me erë, dhe vetëm në disa fshatra të Malësisë së Madhe, Zagorë, Vrakë dhe Kelmend, ka probleme me furnizimin me energji elektrike, ku ekipet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.
Viti i Ri nisi me temperatura nën zero gradë dhe reshje dëbore, por tashmë vendi është përfshirë nga reshjet e shiut, të cilat pritet të jenë më intensive në orët në vijim e të zgjasin deri më 7 janar. Qarqet më të rrezikuara shfaqen Shkodra dhe Kukësi, por edhe në Vlorë, autoritetet apelojnë për kujdes gjatë të hënës më 5 janar, ku priten reshje të dendura shiu që mund të shkaktojnë përmbytje. Ndërkohë në Tiranë, Elbasan, Korçë, Fier dhe Berat, sipas parashikimeve të Institutit të Gjeo-shkencave, do të ketë reshje mesatare.
Ndërkohë situata paraqitet problematike dhe në Vlorë. Trageti i linjës Vlorë-Brindisi dhe anasjelltas, është pezulluar për shkak të motit të keq. Deri në një njoftim të dytë emigrantë që ishin në vendlindje për festat e fundvitit dhe kishin planifikuar kthimin për në shtetin fqinj, do të duhet të presin në përmirësim të situatës.
Me qëllim shmangien e përplasjeve, trageti i linjës Vlorë–Brindisi po qëndron në det të hapur, në pjesën e radës. Autoritetet portuale në Vlorë ndërkohë, kanë ndaluar edhe lundrimin e mjeteve të peshkimit.
Ndërkohë në Durrës, tragetet lëvizin normalisht, vajtje ardhje drejt Barit. Edhe anijet e tonazhit të mesëm dhe të madh kanë vijuar lundrimet. Ndërsa peshkarexhat janë në kalatë.
Qyteti i Vlorës është prekur nga moti i përkeqësuar. Era e fortë bregdetare vazhdon edhe këtë të dielë me shpejtësi rreth 15 metër për sekondë. Era bregdetare ka bërë që deti të jetë me dallgë të larta që shkojnë deri në 1.5 metra.
Kjo bën që mjetet e peshkimit dhe ato lundruese të mos dalin dot në det për këtë arsye lundrimi i tyre vazhdon i pezulluar. Ndërkohë trageti i linjës me Brindisin edhe ai nuk do të lundrojë pasi forca e detit është në rritje çka ka bërë që të pezullohet edhe lundrimi i tij.
Ky traget po qëndron në radë, në det të hapur për të shmangur përplasjet që mund të shkaktohen me kalatat e portit detar.
Komente











