VLORË- Trageti me 77 persona në bord u ankurua në portin e Vlorës pas dy orësh. Era e fortë, por edhe dallgët e shumta të krijuara në det vështirësuan ankorimin e tragetit.
Report Tv mëson se trageti ishte nisur nga Brindisi i Italisë në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm dhe ka mbërritur në Vlorë në orën 15:30, ndonëse ishte parashikuar që të mbërrite në 14:00, por ka patur vonesa.
Nga ana tjetër, trageti është nisur me vonesë edhe nga Brindisi i Italisë, pasi duhej të nisej në orën 22:00. 77 pasagjerët në bord mbetën të bllokuar për rreth 20 orë, ndërsa nuk mungojnë edhe ankesat për kushtet.
"Ishin shumë orë brenda në traget. Si ka mundësi që nuk ka asnjë doktor brenda? E kisha motrën pak pa qejf. U lodhëm, asnjë ndihmë në traget për të ngrënë apo për të pirë ujë", shprehet një pasagjere.
Për shkak të motit të keq që ishte parashikuar, Kapitaneria Vlorë njoftoi një ditë më parë së është ndaluar lundrimi i mjeteve të vogla, por edhe anijeve të peshkimit deri në mëngjesin e 23 prillit.
Pas thuajse 2 orësh në det të hapur, ankorohet në portin detar të Vlorës trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë. Pasagjerët kishin që prej orës 06:00 të mëngjesit që qëndrojnë në det, pasi në orën 6 të mëngjesit u nisën prej Brindisit. Ankorimi i tragetit u vonua për shkak të motit të keq.