Lidhur me këtë çështje, burime nga policia e kryeqytetit thanë se në ambientet e tyre çdo ditë paraqiten persona të shumtë të cilët kërkojnë ndihmën e policisë për mbrojtjen e dhunës së ushtruar ndaj tyre, qoftë ajo fizike apo psikologjike, ku pjesa më e madhe e të dëmtuarave janë femrat.
Kur gratë rrahin burrat
Paraditen e së mërkurës, në komisariatin e policisë së Kavajës ishte paraqitur një 37 vjeçar i cili kishte denoncuar ish-bashkëshorten e tij pasi kjo e fundit kishte ushtruar mbi të dhunë fizike dhe psikologjike. Burime nga policia e Kavajës, thanë për gazetën se 37 vjeçari me iniciale G.H, banues në lagjen numër 5 në Kavajë është shprehur se është dhunuar disa herë nga ish-bashkëshortja e tij, 29 vjeçarja me iniciale A.N. po të njëjta burime thanë se është duke u hetuar mbi këtë pjesë, pasi 37 vjeçari i marrë në pyetje në ambientet e policisë nuk ka dhënë shumë detaje mbi dhunën e ushtruar ndaj tij.
80 vjeçari dhunon 74 vjeçaren
Ndodh të dëgjosh edhe raste të tilla. Këtë të mërkurë, policia e Tiranës ka lëshuar një urdhër mbrojtjeje ndaj një të moshuare 74 vjeçareje e cila në këtë moshë të thyer ka rënë pre e dhunës nga bashkëshorti i saj 80 vjeçar. Sipas policisë, e dhunuara është 74 vjeçarja me iniciale F.B, ndërsa plaku i saj me iniciale Xh.B do të ndiqet në gjendje të lirë.
Dhuna nga xhelozia
Burime pranë uniformave blu në Tiranë thanë se në të shumtën e rasteve të denoncuara, femrat kanë rënë pre e dhunës si pasojë e xhelozisë së bashkëshortit të tyre. Një rast i tillë është regjistruar në Tiranë edhe këtë të mërkurë, ku një vajzë 21 vjeçare është paraqitur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës duke denoncuar bashkëshortin për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Ndërkohë, po të njëjtat burime thanë se ndaj 21 vjeçares me iniciale R.Gj është lëshuar një urdhër mbrojtjeje, pasi ka deklaruar se është dhunuar disa herë nga bashkëshorti i saj me iniciale B.B, 28 vjeç për arsye xhelozie nga ana e këtij të fundit.
Kur prindërit dhunojnë fëmijët
Ndodh që prindërit kur janë në gjendje të dehur mund edhe të ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve. Diçka e tillë mësohet të ketë ndodhur në një fshat të Tiranës. Sipas policisë, një 46 vjeçar me iniciale A.K është arrestuar në flagrancë teksa pasditen e së mërkurës ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij të mitur 13 vjeçe.
ARRESTIMI/ Për tre muaj policia vë në pranga 51 persona
Policia lëshon 400 urdhër mbrojtjeje për dhunë në familje
Policia e Tiranës, që nga fillimi i këtij viti mësohet të ketë lëshuar 400 urdhër mbrojtjeje, persona këta të cilët janë regjistruar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Por, sipas burimeve të policisë, vetëm 2 muajt e fundit, në policinë e Tiranës janë regjistruar 159 urdhra mbrojtjeje në total.
Po gjatë këtyre tre muajve, kush ka qenë muaji me shifrën më të lartë të denoncimeve?
Muaji korrik ka pasur numrin më të madh të kërkesave, ku mësohet të jenë regjistruar rreth 60 të tilla. Ndërsa për muajin Maj janë regjistruar rreth 49 urdhra mbrojtjeje, dhe për muajin Qershor janë regjistruar 50 raste të tilla.
Po gjatë kësaj periudhe, sa ka qenë numri i rasteve të regjistruara për dhunë në familje?
Që nga muaji Maj e deri në muajin Korrik, policia ka regjistruar 128 raste të dhunës në familje. vetëm në muajin Maj ka pasur 35 raste, në muajin Qershor janë regjistruar 52 raste të tilla, ndërsa për muajin Korrik ka pasur një shifër prej 41 denoncimesh.
Po nga rastet e denoncuara në polici, a ka pasur persona të arrestuar?
Po për të njëjtën periudhë kohore, nga muaji Maj deri më Korrik 2015, në prangat e policisë janë vënë gjithsej 51 persona të përfshirë në krimin në familje. në muajin maj janë arrestuar 12 persona, në Qershor 21 të tillë, ndërsa në muajin Korrik janë arrestuar 18 persona.
159
Vetëm në ambientet e policisë së Tiranës, për dy muajt e fundit janë regjistruar në total 159 urdhra mbrojtjeje, ku vetëm në muajin Korrik janë regjistruar 60 raste të dhunës në familje
Tabela
Urdhrat e mbrojtjes Maj- Korrik
Maj 49 Urdhra Mbrojtje
Qershor 50 Urdhra Mbrojtje
Korrik 60 Urdhra Mbrojtje
159 Urdhra mbrojtjeje në total
Dhuna në familje maj- korrik
Maj 35 raste me 12 të arrestuar
Qershor 52 raste me 21 të arrestuar
Korrik 41 raste me 18 të arrestuar
Raste 128 raste të dhunës në familje
51 të arrestuar për dhunë në familje
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)