Reshjet e shumta të kohëve të fundit kanë sjellë probleme serioze për kulturat bujqësore, veçanërisht për grurin dhe elbin, ku lagështia e tepërt e tokës po konsiderohet një ndër faktorët kryesorë në rënien  e prodhimit.

Sipas specialistëve të bujqësisë, kullimi është kusht thelbësor për zhvillimin normal të këtyre kulturave. Teprica e ujit dëmton rrënjët, ul aktivitetin mikrobiologjik të tokës, prish strukturën e saj dhe rrit rrezikun e sëmundjeve tek bimët.

Situata paraqitet më e rënduar në bashkinë e Maliqit, ku ka ende sipërfaqe të konsiderueshme të mbuluara me ujë.  Edhe në Qendrën e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore raportohen rreth 2 hektarë nën ujë, pavarësisht masave të marra.

Specialistët kërkojnë hapjen urgjente dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të kanaleve kulluese, si dhe plehërim plotësues nga fermerët. 

“Kjo shkakton dëme të mëdha të te këto kultura. Rrënjët dalin në sipërfaqe, ulet aktiviteti mikrobiologjik i tokës,  prishet struktura e tokës nga ngjeshja dhe prania e ujit.

Është e domosdoshme të merren masa për kullimin. Duhet të hapen kanalet kulluese. Këto kanale kulluese duhet të jenë në gatishmëri”, tha Përparim Kuqo, specialist pranë qendrës së transferimit të teknologjive bujqësore.

Rendimenti i këtij viti pritet të jetë i kufizuar, sidomos në parcelat që kanë mbajtur lagështirë për një kohë të gjatë, me ndikim më të theksuar në zonën e Maliqit.