Një valë e fuqishme moti të keq pritet të godasë pjesën më të madhe të Evropës gjatë orëve në vijim të kësaj të enjteje. Qendra Evropiane e Parashikimit të Stuhive (ESTOFEX) ka lëshuar nivelin më të lartë të alarmit për Italinë veriore, duke paralajmëruar për një situatë me rrezik të lartë që mund të shoqërohet me superqeliza, tornado, breshër shumë të madh, erëra shkatërruese dhe reshje intensive.
Sipas parashikimit të publikuar nga ESTOFEX, shkaku i kësaj situate është përplasja e ajrit shumë të nxehtë dhe të lagësht me një masë ajrore më të freskët që po depërton në kontinent. Ky kontrast pritet të krijojë kushte për zhvillimin e stuhive të fuqishme në një brez të gjerë që shtrihet nga Spanja deri në Ukrainë dhe Bjellorusi, ndërsa rreziku më i madh parashikohet nga Deti Balear deri në Italinë veriore.
Meteorologët kanë vendosur nivelin 3, më të lartin në shkallën e alarmit, për Italinë veriore, ku pritet të ketw stuhi të shumta deri në orët e vona të natës. Këto stuhi mund të prodhojnë breshër me përmasa shumë të mëdha, erëra me fuqi shkatërruese, tornado dhe reshje të dendura. Sipas ESTOFEX, zhvillimi i tyre mund të jetë i shpejtë dhe kompleks, me stuhi që bashkohen dhe ndryshojnë drejtim brenda pak orësh.
Një nga shqetësimet kryesore janë reshjet intensive. Në rajonin e Ligurias dhe përgjatë kufirit mes Italisë dhe Zvicrës, sasia e shiut mund të arrijë deri në 200 milimetra, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje dherash. Parashikimet tregojnë se gjatë pasdites dhe mbrëmjes stuhitë mund të zhvendosen nga Italia drejt Adriatikut verior, Sllovenisë dhe Kroacisë.
Përveç Italisë, niveli 2 i alarmit është shpallur për një brez të gjerë nga Spanja deri në jug të Polonisë, ku priten stuhi të forta me breshër të madh dhe erëra të fuqishme. I njëjti nivel është vendosur edhe për lindjen e Marokut dhe perëndimin e Algjerisë. Ndërkohë, niveli 1 mbulon pjesë të Spanjës, Francës juglindore, Gjermanisë jugore, Çekisë, Polonisë jugore, Bjellorusisë dhe Ukrainës. Një paralajmërim i veçantë është lëshuar edhe për Holandën dhe Gjermaninë veriore, ku kushtet atmosferike favorizojnë formimin e tornadove.
ESTOFEX thekson se bëhet fjalë për një nga situatat më të rrezikshme të motit të këtij sezoni në Evropë, pasi në të njëjtën kohë pritet të shfaqen pothuajse të gjitha fenomenet ekstreme atmosferike. Për këtë arsye, autoritetet në vendet e prekura u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet e shërbimeve meteorologjike dhe paralajmërimet e mbrojtjes civile.









Komente
Komento