BRAZIL - Në botërorin e MotoGP ndizen sirenat e alarmit për Çmimin e Madh të Brazilit që kthehet në kalendar pas më shumë se dy dekadash. Vendi amerikano-latin është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut këto ditë, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të pjesshme të pistës së rinovuar të Goianës ku do të zhvillohet gara e radhës së këtij botërorit. Pista e emëruar sipas legjendës 'Ayrton Senna', sot u zgjua e zhytur në ujë pas shiut të rrëmbyeshëm që goditi zonën në orët e fundit.

Imazhet e shpërndara në rrjetet sociale thonë më shumë se fjalët, pasi pjesë të pistës janë të transformuara në pellgje uji, kthesat e fundit janë të pakalueshme për momentin dhe një nënkalim plotësisht i përmbytur. Skena që, për momentin, e bëjnë të vështirë të imagjinohet aktiviteti normal i pistës.

Parashikimi i motit premton pak pushim dhe flet për reshje të mëtejshme shiu në ditët kyçe të fundjavës, duke filluar nga e premtja, kur pilotët dhe ekipet pritet të fillojnë punën në pistë me seanca më të gjata se zakonisht. Ky detaj, në këto kushte, rrezikon të bëhet një pengesë e mëtejshme.

Në fakt pritej që të kishte reshje të tilla gjatë javës së Çmimit të Madh të Brazilit, por ai që kapi të gjithë në befasi ishte intensiteti i këtyre reshjeve që 'mbytën' Goianan dhe pistën e saj.

Parashikimet thonë se reshjet do të vazhdojnë për pjesën e mbetur të kësaj jave dhe organizatorët mund të detyrohen të anulojnë garën e dytë të sezonit në MotoGP.