BRAZIL - Pas një viti e gjysmë në krye të pankinës së Flamengos, trajneri Filipe Luis nuk do jetë më timonieri i ekipit. 40-vjeçari i cili si futbollist u bë i njohur për performancat fantastike me Atletico Madridin dhe Chelsean, u shkarkua nga klubi pas ndeshjes së fituar 0-8 kundër Madureiras në gjysmëfinalen e 'Cariocas'.

Vendimi ishte marrë që para ndeshjes, por ish-mbrojtësi u informua vetëm pas konferencës për shtyp pas ndeshjes në stadiumin 'Conselheiro Galvao'. Atij iu dha lajmi nga drejtori sportiv Jose Boto në një bisedë të shkurtër që zgjati më pak se një minutë dhe nuk iu dha asnjë shpjegim zyrtar.

Meqë skuadra ishte larguar tashmë, ai nuk mundi t'u thoshte lamtumirë lojtarëve dhe pritet të vizitojë qendrën stërvitore të klubit në ditët në vijim për të folur me ta. Vendimi ishte marrë nga presidenti Luiz Eduardo Baptista, i cili është i pakënaqur me performancat e ekipit në fillim të këtij sezonit.

Pavarësisht rinovimit të kontratës deri në vitin 2027, thuhet se tensionet midis Filipe Luís dhe hierarkisë së klubit ishin rritur, veçanërisht drejtorit sportiv Boto.

Luis Filipe u ul në stolin e Flamengos më 30 shtatorin e vitit 2024 dhe për një vit e gjysmë e udhëhoqi ekipin në 99 ndeshje, me një mesatare pikësh prej 2.09 për ndeshje, një paraqitje shumë e mirë. Trajneri ia doli që në këtë hark kohor t'i dhuronte klubit tetë trofe, mes të cilëve Kupa Libertadores, titulli kampion në Brazil dhe Kupën, ndaj një vendim i tillë i ka befasuar të gjithë tifozët e këtij klubi.

Megjithatë, një fillim i vështirë i vitit 2026, i shoqëruar me trazira të brendshme dhe performanca të paqëndrueshme, çuan në largimin e tij.