Motrat e mbretit Ahmet Zogu si u
përgatit vizita në vendet skandinave

Motrat e mbretit Ahmet Zogu si u<br />përgatit vizita në vendet skandinave
Shqiptarja.com vazhdon sot publikimin e kujtimeve të gazetarit dhe deputetit të viteve ''30, dr. Zoi Xoxa.

Një thirrje e papritur në Pallat

Isha në zyrë, kur një ditë më thirrën në adjutanturë. Zef Seregji, kryeadjutanti i Pallatit më priti me shumë fisnikëri dhe më tha se më kërkonte mbreti.

Mbeta i habitur. Unë s’kisha kërkuar ndonjë audiencë. Ç’mund të më donte mbreti? Sado që e vrava mendjen, s’e gjeta dot arsyen. Zef Seregji më përcolli gjer në Pallat. Prita ca në sallën e mysafirëve, pastaj Sotir Martini erdhi e më përcolli gjer në studion e mbretit. Atë studio unë e njihja, se kisha hyrë edhe disa herë të tjera. S’kishte ndryshuar aspak: po ajo dhomë e gjatë me tri dritare nga veriu, e shtruar me qilima persiane, me disa rafte me libra gjatë mureve dhe me një tryezë të madhe në krye, duke pasur përsipër një kuadër shumë të madh të Nënës mbretëreshë.

Sipas zakonit, u ngrit dhe më dha dorën. Më tha se ishte shumë i kënaqur prej meje sepse, si me anë të gazetës, ashtu edhe me anë të Parlamentit, po i bëja shërbime të mira atdheut.

Unë e kuptova se këto komplimente kishin një qëllim dhe po prisja me padurim se ku do të dilte.

Më tha se më kishte thirrur, se tani ai kërkonte prej meje edhe një shërbim tjetër.

Më foli gjatë e gjerë se udhëtimet e pjesëtarëve të familjes mbretërore në botën e jashtme kanë një rëndësi të madhe politike. Shqipëria, mjerisht, është pak e njohur në botën e jashtme dhe, në shumë vende, edhe për të keq. Ne kemi shumë armiq që harxhojnë para të madhe për ta paraqitur Shqipërinë, me anë të shtypit dhe të mjeteve të tjera propagandistike, si një vend të egër, prapanik, ku gratë mbahen të mbyllura, pa asnjë të drejtë, ku njerëzit vriten në mes të ditës si egërsira, ku një i huaj s’mund të shkelë në vendin tonë, se rrezikon jetën etj. etj. Udhëtimet e pjesëtarëve të familjes mbretërore në botën e jashtme, po të bëhen me një program të organizuar mirë, mund të japin rezultate shumë të dobishme. Përkundrazi, po të mos të organizohen siç duhet dhe po mos të udhëhiqen prej një personi me talent, mund të arrijnë rezultate të hidhura. Kjo na ndodhi, mjerisht, në udhëtimin e motrave të mia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke e ditur se atje kishte dy personalitete me rëndësi ndërkombëtare si Faiku dhe Fan Noli, unë nuk e studiova mirë punën dhe motrat i shoqëruan dy persona të paaftë. Po ju them me turp se shtypi i Shteteve të Bashkuara na bëri qesharakë, se shoqëruesit nuk ditën të organizonin dhe ta udhëhiqnin punën. Ai udhëtim dha rezultate negative dhe më mirë të mos ishte bërë.

E pinte shumë cingaren. Gjatë këtij bisedimi kishte ndezur nja dy cigare, pothuaj njërën pas tjetrës. Më kishte ofruar edhe mua, po unë e kisha refuzuar, duke i thënë se nuk e pija. Për respekt, më vinte si zor ta pija përpara tij.

Ia kisha ngulur sytë dhe po e përpija, duke mos e kuptuar se ku donte të dilte me tërë këtë fjalim të gjatë. Më në fund, erdhi:

-E shoh të arsyeshme që ne të bëjmë një udhëtim në shtetet skandinave, ku na njohin pak ose aspak dhe, ata që na njohin, më shumë për të keq sesa për të mirë. Kam menduar që motrat e mia të bëjnë një udhëtim zyrtar në ato shtete. Por me një kusht, që ky udhëtim të na japë rezultate të mira dhe t’u japë shkas fletoreve të atjeshme të flasin mirë për ne. Për t’ia arritur këtij qëllimi, gjithë puna varet nga shoqëruesi i motrave të mia. Dhe këtë radhë u binda që shoqëruesi duhet të jetë një gazetar, një gazetar serioz dhe me talent. Ju jeni një person me kulturë, njihni gjuhë të huaja dhe kini një penë të bukur.

Filloi të më bëjë kaq lëvdata, sa unë ula sytë i turpëruar dhe kushedi si do të isha skuqur në fytyrë.

-Kam shumë besim tek ju dhe jam i bindur se ky udhëtim do dalë me sukses. E uroj me gjithë zemër, jo kaq për motrat e mia, sesa për emrin e Shqipërisë, që ato do të përfaqësojnë. Pra, ju kam  caktuar si shoqëruesin e motrave të mia për këtë udhëtim zyrtar në Danimarkë dhe në Suedi. Janë lajmëruar edhe konsujt e nderit që kemi në Kopenhagë dhe në Stokholm. Motrat e mia do të jenë në dispozicionin tuaj: do të bëjnë ashtu siç do t’i porosisni ju. Asgjë nuk do të bëjnë me kokën e tyre, për të shmangur çdo gafë.
Heshti dhe vuri buzën në gaz. Dukej se priste përgjigjen time, po unë nuk e dhashë menjëherë, sepse e ndjeva veten të tronditur. Pastaj i thashë, pothuaj me gjysmë zëri:

-Lartmadhëri, për mua është një nder shumë i madh që të jem shoqëruesi i motrave tuaja, po trembem ta pranoj një mision kaq të lartë, se nuk kam besim në vetvete se mund t’ia dal mbanë me sukses. Ky do të jetë një udhëtim zyrtar diplomatik në viset Skandinave. Po unë s’jam marrë kurrë me jetën diplomatike dhe trembem se mos, pa dashur, mund të bie në ndonjë gabim ose të bëj ndonjë gafë, që të sjellë pasoja të hidhura për emrin e mirë të Shqipërisë dhe kështu të dështojë ai qëllim i lartë, që Ju dëshironi të arrini.
Ju denjuat të thoni shumë fjalë të mira për mua si gazetar. Ju falem nderit shumë. Atëherë, Ju lutem, më lini në rolin e gazetarit. Duke i shoqëruar princeshat vetëm me këtë cilësi, unë do bëj çmos për t’ia dalë në krye, duke ardhur në kontakt me shtypin e huaj, duke përgatitur intervista dhe duke organizuar konferenca shtypi. Po, për sa i përket pjesës diplomatike, unë mendoj se do të ishte mirë që Ju të ngarkonit një person që të kishte autoritetin, mprehtësinë dhe përvojën e një diplomati të njohur e të çmuar në rrethet ndërkombëtare.
I mbaj mend fare mirë fjalët e mbretit dhe fjalët e mia pse, me të dalë nga ajo audiencë, unë mbajta edhe një ditar, ku e përshkrova ngjarjen hollësisht, ditar që e dogja më vonë nga frika e fashistëve, që më bastisnin vazhdimisht shtëpinë dhe ky ditar mund të më vinte në bela. Po tani mund të them sinqerisht se ato fjalë nuk m’u frymëzuan nga një ndjenjë “modestie”, por nga një ndjenjë “frike”. Aty për aty, unë e mora me mend se duhej të isha shumë i matur dhe mos të merrja një përgjegjësi të tillë mbi vete, sepse, po të dilte djalë, siç thotë populli, Princeshat do të merrnin meritën për vete dhe mua mund të më jepnin vetëm ndonjë thërrime lëvdate, disa fjalë të bukura dhe asgjë tjetër; ama, po të dilte çupë, dajakët do t’i haja unë dhe çfarë dajaku se! Më mirë “përgjegjësinë” ta merrte dikush tjetër.
Unë nuk munda ta kuptoj aty për aty se ç’përshtypje i bënë mbretit fjalët e mia. Thoshin të tjerët, po edhe unë e kisha vënë re, se ai kishte si një maskë në fytyrë: nuk e tregonte as gëzimin, as hidhërimin. Vetëm disa më kishin thënë se, kur vihej me shpatulla pas murit nga bashkëbiseduesi i tij, ai vetëm kafshonte lehtë buzën e poshtme.

Kështu e pashë unë të kafshojë lehtë buzën e poshtme, duke m’i ngulur sytë me ngulm, mbase që të kuptonte nga sytë e mi në ishin të sinqerta ato fjalë, apo ishin vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë.

Si më vështroi edhe pak, pastaj më tha:

-Në kulturën, në inteligjencën dhe në prudencën tuaj, unë kam më shumë besim se në të gjithë ata të Ministrisë së Jashtme. Ata i kam provuar. Ju do të jeni i vetmi shoqërues i motrave të mia dhe këto ditë do të niseni. Ky udhëtim do të jetë për të mirën e atdheut dhe unë e di fare mirë se ju nuk kurseheni kur është fjala për të mirën e Atdheut. Ju të jeni gati. Po patët nevojë për gjë, ja thoni Zefit. Sidoqoftë, do të takohemi edhe një herë përpara se të niseni.

U ngrit në këmbë, shenjë që audienca mbaroi. Edhe unë u ngrita, i shtrëngova dorën dhe dola.

Sapo dola, Sotir Martini më priti me aq përzemërsi, sa s’më hodhi krahët në qafë: i kishte bërë përshtypje audienca shumë e gjatë.
-Duhet të jetë ndonjë punë me shumë rëndësi, që Lartmadhëria të mbajti aq gjatë, - më tha ai me buzën në gaz dhe me një kureshtje të madhe për të mësuar gjësendi.

-Po ne gazetarët jemi llafazanë, Sotir, dhe s’mendojmë t’i kufizojmë fjalët as kur jemi përpara mbretit, i cili denjon dhe nuk na e prish.
-Ishalla për hair, - m’u përgjegj Sotiri, i cili s’u bind nga përgjigjja ime dhe e mori si përgjigje evazive.

Shkova në shtëpi, i dalldisur në mendime. Desha të shfreja me dikë, po nuk guxoja. E kuptoj se ky udhëtim duhej mbajtur sekret. Po me kë të shfreja? Gruaja është më e sigurt, sidomos kur është nga ato që nuk vete të dërdëllisë me plakat e mëhallës. E dija se gruaja ime ishte fjalëmbajtur, ndaj mund edhe t’ia hapja zemrën. Ia thashë ngjarjen gjatë e gjerë. Ajo u hodh përpjetë nga gëzimi. Gratë e kanë mendjen te fustanet dhe filloi menjëherë nga porositë: - Mua të më blesh një peliçe, se kanë të gjitha shoqet, pastaj fëmijëve t’u blesh... dhe filloi të numërojë një tok gjëra për fëmijët. Por e preu fjalën dhe u ftoh, kur më pa mua të dalldisur.
-Po ti sikur s’je i kënaqur.
-Aspak. Ti mendon fustanet, po unë mendoj përgjegjësinë e madhe. E di çdo të thotë që një familje mbretërore të shkojë për vizitë “zyrtare” në një shtet të huaj? Do të thotë njëmijë telashe: pritje, përcjellje, vizita, dreka, darka, fjalime, intervista etj, etj. E ku i di unë të gjitha këto? Po në bëfsha ndonjë gabim “politik”? Atëherë të merr dreqi! Fillojnë të shkruajnë gazetat e ta bëjnë qimen tra! Duhet t’i bësh sytë katër, se të merr dreqi kur të duash!

Unë ia thashë mbretit se nuk isha i zoti për këtë mision, por ai m’u përgjigj se kishte besim tek unë. Një fjalë goje! Ama sikur të bëj ndonjë gafë, ai i pari do të m’i japë dajakët më të fortë. Ç’më duhen mua qiqra në hell!

-Po si do t’ia bësh? – më pyeti gruaja, së cilës iu shua entuziazmi, kur më pa shumë të sëkëlldisur.

-Të shohim. Mbreti më tha se do të më thërriste edhe një herë tjetër, pa të shohim.

Mirëpo, pas dy ditësh, tek isha duke punua në gazetën “Drita”, ra zilja e telefonit dhe më thanë të paraqitesha menjëherë në Pallatin e Princeshave. E kuptova se për këtë punë do të ishte fjala. Po pse në Pallatin e Princeshave? Kujtova se mbreti mund të kishte shkuar atje dhe mbase donte të më fliste përpara të motrave. Paraqitem. Në dhomën e pritjes shoh të hyjë princesha Ruhije. Ajo më tha se mbreti kishte folur me mua për udhëtimin që do të bënim bashkë në Shtetet skandinave dhe tani ajo më kishte thirrur që të më njoftonte se do të niseshim të nesërmen dhe se në orën tetë të mëngjesit të ndodhesha në adjutanturë. Pasaportat diplomatike dhe të gjitha formalitetet e tjera ishin gati. Edhe biletat e vaporit ishin blerë. Duhet të niseshim varg se ato do t’i përcillte edhe trupi diplomatik gjer në Durrës.
Isha vënë përpara një pune të kryer dhe s’më mbetej më të thosha asnjë gjysmë fjale. Iu përgjigja se nuk do të mungoja të ndodhesha në orën e caktuar dhe dola.

E mblodha mendjen dhe nisa të përgatitem për t’u paraqitur si duhet. Shkova drejt në shtëpi dhe e lajmërova gruan të më bënte gati valixhen, duke mos harruar frakun, bonzhurin dhe ndërresat e tjera.
 
LEXONI DHE
 Zoi Xoxa: Pse Zogu mbante“Princin” e Makiavelit nën jastëk


Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com print
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ben Blushi: Çfarë kemi arritur në 112 vjet (një ilaç kundër pesimizmit)

Ben Blushi: Çfarë kemi arritur në 112 vjet (një ilaç kundër pesimizmit)