Zëvendësministri i Brendshëm i Greqisë, Vangelis Liakos, dha dorëheqjen këtë të shtunë, pas raportimeve në media se bizneset e dy motrave të tij kishin përfituar kontrata të dhëna drejtpërdrejt nga disa bashki greke, me vlerë totale rreth 1.4 milionë euro.
Sipas mediave greke, një firmë kontabiliteti e drejtuar nga njëra prej motrave të Liakos kishte përfituar kontrata me vlerë 1.14 milionë euro nga gjashtë bashki që prej vitit 2019.
Ndërkohë, biznesi i motrës tjetër kishte përfituar gjatë së njëjtës periudhë 13 kontrata të dhëna drejtpërdrejt nga katër bashki, me vlerë totale 256,694 euro, kryesisht për shërbime komunikimi, marrëdhënie me publikun dhe konsulencë në fushën e turizmit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Liakos mohoi çdo përfshirje në aktivitetet profesionale të motrave të tij.
“Që në momentin e parë kam deklaruar në mënyrën më kategorike se nuk kam pasur kurrë asnjë përfshirje në aktivitetet profesionale të motrave të mia dhe se nuk ekziston përgjegjësia familjare”, tha ai.
Liakos deklaroi se ishte bërë objekt i një “sulmi të pamoralshëm dhe vulgar” dhe se, pas disa ditësh akuzash, kishte vendosur të dorëhiqej me shpresën se “këtij kanibalizmi parazgjedhor do t’i vijë fundi”.
Siç raporton Kathimerini çështja ka shkaktuar tensione brenda partisë qeverisëse Demokracia e Re. Pavarësisht përpjekjeve të zyrës së kryeministrit për ta konsideruar çështjen të mbyllur, deputetët e partisë ishin të ndarë nëse Liakos duhej të dorëhiqej apo jo.








Komente
Komento