Mozaiku i Tiranës është nominuar për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se ky nominim e pozicionin kryeqytetin në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes.
Gonxhja shtoi se Mozaiku i Tiranës përfaqëson një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore.
“Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily. Projekti “Mozaiku i Tiranës – Ndërhyrje Kulturore”, i realizuar nga SONarchitects, përfaqëson një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore. Ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes.”, shkruan ministri Gonxhja.
Mozaiku i Tiranës është zbuluar në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës.
Restaurimi i Mozaikut të Tiranës është konceptuar në mënyrë të tillë, për të përfshirë edhe një platformë që mundëson ekspozimin e mozaikëve të mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme, si: Apolonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, duke qenë se ato qëndrojnë të mbuluar për t’u ruajtur nga faktorët e motit.
Komente












