TIRANË, 17 Gusht /ATSH- I. Vata/-Ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet një deklarate për mediat sqaron në lidhje me çështjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën prill 2009 deri në korrik 2010.
MPB sqaron se "në bazë të ligjit nr. 8668, datë 23.11.2000, "Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit", i ndryshuar, afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje edhe me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit".
Ministria e Punëve të Brendshme vijon shpjegimin duke u shprehur se "Gjatë periudhës prill 2009 - korrik 2010, në qeverisjen e kaluar, për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit janë lëshuar rreth 156 mijë pasaporta me afat vlefshmërie jo të saktë, 10 vjet, ndërkohë që duhet të ishin 5 vjet".
"Me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, Ministria e Punëve të Brendshme duke konstatuar problematikën, mori masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e tij. MPB propozoi shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave me një vit shtesë, duke i bërë këto pasaporta të vlefshme për 6 vjet, në mënyrë që t'u lihet kohë shtetasve të marrin masat për pajisjen me pasaportë të re biometrike. Propozimi i MPB-së është miratuar në Kuvend në prill 2014, ku përcaktohet se "Afati i vlefshmërisë së pasaportave biometrike të lëshuara gjatë periudhës 1 prill. 2009 - 31 korrik 2010, me afat vlefshmërie 10 vjet, për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë deri në 16 vjeç në kohën e aplikimit, zgjatet me 1 vit nga dita e plotësimit të afatit ligjor prej 5 vitesh", thuhet në deklaratë të MPB.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme prej gushtit te 2014 ka vijuar me njoftimin e shtetasve qe preken nga ky problem, si dhe ka marrë të gjithë masat e nevojshme për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportë. /a.ke/