MPJ ashpërson tonet: Dënon
ndërhyrjen e Rusisë në Krime

MPJ ashpërson tonet: Dënon<br />ndërhyrjen e Rusisë në Krime
TIRANË- Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar për herë të dytë në lidhje me krizën në Ukrainë.

Këtë herë diplomacia shqiptare ka ashpërsuar tonet duke dënuar ndërhyrjen me forca ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë, “në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.”

Në deklaratën e bërë publike dje, 3 mars 2014  ministria e Jashtme “shpreh mbështetjen e saj të vendosur për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës”.

“MPJ është në sintoni të plotë me qëndrimet e NATO-s dhe të aleatëve tanë strategjikë dhe e ka shprehur vullnetin e saj duke ju bashkuar qëndrimit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian gjatë mbledhjes plenare të OSBE-së të mbajtur sot në Vjenë.”- nënvizohet në njoftimin për shtyp që mban datën 3 mars 2014.
 
Ndërkohë në një deklaratë të bërë publike nga kjo ministri  të shtunën e 1 marsit, (Pikërisht ditën kur parlamenti rus i dha OK Putin për të dërguar trupat në Ukrainë)  çmohej rëndësia e patjetërsueshme e integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës por nuk përmendej fare emri “Rusi”

REAGIMI I PLOTË I MINISTRISË SË JASHTME (3 mars 2014)
Ministria e Punëve të Jashtme dënon ndërhyrjen me forca ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë, në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.  

Duke dënuar veprimet politike që synojnë legjitimimin e përdorimit te forcës, MPJ-ja shpreh mbështetjen e saj të vendosur për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës, si edhe të drejtën e popullit të Ukrainës për të përcaktuar të ardhmen e vet, pa ndërhyrje nga jashtë. 

MPJ bën thirrje që të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe marrëveshjet e nënshkruara, duke evituar çdo përdorim force që prodhon efekte destabilizuese të rënda për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe bën thirrje për rikthimin e dialogut politik, si mjeti legjitim që do të çonte drejt normalizimit të situatës. 

MPJ vlerëson angazhimin e Autoriteteve të Ukrainës për respektimin e vlerave demokratike, të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve dhe thekson rëndësinë e një procesi politik gjithëpërfshirës, që të përmbushë aspiratat demokratike të të gjithë popullit të Ukrainës.

MPJ mbështet fuqimisht vendosjen sa më të shpejtë të vëzhguesve ndërkombëtarë të OKB-së dhe OSBE-së në zonën e Krimesë dhe Ukrainës Lindore, për t’i dhënë mundësi konkrete Bashkësisë Ndërkombëtare që të informohet në kohë reale dhe në mënyre transparente mbi zhvillimet e situatës.

MPJ është në sintoni të plotë me qëndrimet e NATO-s dhe të aleatëve tanë strategjikë dhe e ka shprehur vullnetin e saj duke ju bashkuar qëndrimit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian gjatë mbledhjes plenare të OSBE-së të mbajtur sot në Vjenë.

Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme  për situatën në Ukrainë (1 mars 2014)
"Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për përshkallëzimin e situatës në Ukrainë.
Ministria e Punëve të Jashtme çmon rëndësinë e patjetërsueshme të integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës.

MPJ beson se respektimi i së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjeve të nënshkruara dhe evitimi i përdorimit të forcës, që sjell me vete efekte destabilizuese për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, është kuadri i vetëm që ofron zgjidhje të situatës.

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh besimin se një veprim i sinkronizuar dhe vendimtar i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për stabilizimin e situatës dhe për krijimin e frymës së besimit."

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Gjyqi për Vangjush Dakon në GJKKO, ish-kryebashkiaku mungon në seancë! Akuzohet për dy raste shpërdorimi detyre, ja çfarë kërkoi avokati

Gjyqi për Vangjush Dakon në GJKKO, ish-kryebashkiaku mungon në seancë! Akuzohet për dy raste shpërdorimi detyre, ja çfarë kërkoi avokati