MPJ: Ja ambasadorët e rinj
në SHBA, Kroaci e Poloni

MPJ: Ja ambasadorët e rinj<br />në SHBA, Kroaci e Poloni
TIRANE- Në tavolinën e Presidentit Nishani kanë mbërritur emrat e tre kandidatëve për ambasadorë në 3 nga vendet më të rëndësishme ku Shqipëria ka përfaqësitë diplomatike, thanë dje për Shqiptarja.com burime nga kabineti i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Bëhet fjalë për ambasadën në SHBA nga ku largohet Gilbert Galanxhi e do zëvendësohet me Floreta Luli-Faber, aktualisht Drejtore Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Ndërsa kandidatja për ambasadore në Poloni Shpresa Kureta, një diplomate karriere, ish-ambasadore në Austri, e aktualisht drejtore për rajonin e Ballkanit në MPJ, menjëherë sapo të marrë firmën e Nishanit do marrë vendin vakant të lënë nga Florent Çeliku, që u nda nga jeta muaj më parë.

Kandidat për ambasador në Kroaci është propozuar Ilir Melo, diplomat karriere dhe ish-shef kabinenti i MPJ, që do zëvendësojë në këtë detyrë Pëllumb Qazimin, më parë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA. Në Holandë pas shkarkimit të ambasadorit Gazmend Barbullushi, ende nuk është përcaktuar kandidati që do çohet për firme te Nishani.
Mësohet se për kandidatin për ambasador në Arabinë Saudite Ermir Gjinishi e atë në Vatikan Ardian Ndreca përfundimisht është ndërprerë mundësia për të marrë emërimin, të paktën për aq kohë sa të jetë president Nishani. Mësohet se MPJ s’ka ndërmend të paraqesë së shpejti ndonjë kandidat për këto dy ambasada, ndërsa pritet vetëm firmosja e tre kandidatëve të rinj për ambasadorë të SHBA, Kroaci e Poloni, në mënyrë që, pasi të kalojnë në Komisionin e Jashtëm, të emërohen e të fillojnë detyrën.

Ndonëse përplasjet për emërimin e ambasadorëve mes Nishanit dhe mazhorancës aktuale kanë qënë evidente, mësohet se ekziston besimi për emërimin e këtyre 3 ambasadorëve të rinj. Por historia më e veçantë është ajo e ambasadorit në ikje të Shqipërisë në SHBA Gilbert Galanxhi dhe e ambasadores që pritet të emërohet Floreta Luli-Faber. Galanxhi mbahet mend për historinë e denoncimit të mungesës së fondeve nëpër ambasada dhe të borxheve të akumuluara. Ndërkohë, në librin për armët kimike “Heshtja e dyfishtë”, me autor gazetarin  e mirënjohur Carlo Bollino, është zbuluar edhe fakti që Galanxhi ka qënë personi që ka telefonuar e informuar lidhur ne qendrimin amerikan Presidentin Bujar Nishani në lidhje me armët kimike, duke bërë një lidhje të shkurtër, në vend që të telefononte më parë ministrinë e Jashtme apo kryeministrin Edi Rama siç e ka dhe për detyrë funksionale e ligjore.

Ndërkaq Floreta Luli-Faber mbahet mend për përplasjen që bëri me Berishën në prag të fushatës së 2013-shit, kur u shpreh se rimbursimi i TVSH, rritja e bazës së tatimpaguesve e pagesa e taksave për të gjithë entet që zhvillojnë biznes janë tre problemet kryesore, çka solli vënien më pas të saj para sulmit të Berishës, që i cilësoi pretendimet e Floreta Luli-Faber si “emocione personale që dëmtojnë biznesin”.

Shkrimi u publikua sot (29.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim