Me anë të një deklarate për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme shprehet se ka mirëpritur Raportin e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për hetimin e përdorimit të armëve kimike në Siri.

Në qëndrimin e saj kjo ministri dënon me forcë përdorimin e armëve kimike në Siri, për të cilat regjimi i Damaskut duhet të mbajë përgjegjësi në përputhje me detyrimet ndërkombëtare. “Republika e Shqipërisë, rishpreh angazhimin e saj në mbështetje të nismave të komunitetit ndërkombëtar, përfshi këtu plotësimin nga ana e Sirisë të kërkesave që vijnë nga marrëveshja ShBA-Rusi, apo të miratimit të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB, për të siguruar eliminimin e programeve të armëve kimike, nisma të cilat do të mundësojnë mospërsëritjen më të ngjarjeve të tilla”, thuhet në reagim. Ndërkohë që thirrjes së aleatëve tanë amerikanë, SHBA për ndihmë kundër sulmeve me gaz vdekjeprurës në Siri, vendi ynë i është përgjigjur pozitivisht. Kanë qenë vetë krerët e lartë të vendit të cilët janë shprehur pak kohë më parë se janë të gatshëm që të ndihmojnë SHBA me çfarë dolloji mundësie.


Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)