TIRANE, 28 Dhjetor/ATSH/- Ministria e Jashtme njofton se 22 shtetas shqiptarë gjenden në bordin e tragetit "Norman Atlantic", e cila u përfshi të dielën në mëngjes nga flakët.
Por, sipas një njoftimi të ministrisë së Jashtme numri i pasagjerëve shqiptarë në bordin e tragetit mund të jetë më i lartë si rezultat i mbajtjes së dyshtetësisë. Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se pala shqiptare është angazhuar në operacionin 3-palësh të shpëtimit.
"Pas marrjes së këtij informacioni, me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme, janë urdhëruar Ambasada shqiptare në Athinë dhe Konsullata në Janinë që të ndjekin pranë autoriteteve greke operacionin e shpëtimit. Autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke dhe italiane për të mundësuar dhënien e ndihmës për pasagjerët e ndodhur në bord.Autoritetet shqiptare do të informojnë në vazhdim opinionin publik për ecurinë e operacionit.", thuhet në deklaratën për shtyp të MPJ-së.
Pasagjerë në bordin e tragetit "Norman Atlantic" për transport makinash dhe njerëzish, mes të cilëve edhe 22 shqiptarë, janë duke luftuar me flakët e zjarrit që përfshinë këtë traget prej mëngjesit të së dielës me t'u nisur nga brigjet greke me destinacion Italinë. Ata luten për ndihmë, ndërkohë që anijet e shpëtimit kanë hasur vështirësi të mëdha për t'iu afruar tragetit, për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të detit.
"Norman Atlantic", i cili mban 466 pasagjerë dhe ekuipazh, si dhe më shumë se 200 mjete, ka qenë 44 milje në veriperëndim të ishullit të Korfuzit, kur dërgoi sinjalin e alarmit SOS, pas rënies së zjarrit në pjesën e pasme të tragetit, siç bënë të ditur zyrtarë të Rojes bregdetare greke.
Nga burime zyrtare mësohet se si autoritetet italiane edhe ato shqiptare janë duke marrë pjesë në operacion/a.gjonaj/ /a.g/