Tetori është edhe muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit. Në Shqipëri numri i grave të prekura është në rritje, ndërkohë që është ulur edhe mosha e femrave të prekura nga kjo sëmundje. Por, në shumë raste sipas mjekëve është diagnostikimi në kohë një ndër faktorët kryesorë në mposhtjen e kësaj sëmundje.

Ina Balla është edhe një ndër personat që ka arritur ta mundë këtë sëmundje. E diagnostikuar me kancer në vitin 2016 Ina sot, e ftuar në emisionin “Repolitix” me Denis Mingën , flet si një fitimtare. Ajo tregon vështirësitë që kaloi, duke shtuar se burim motivimi dhe force kishte dy vajzat e saj.

“Doktori fillimisht dyshoi se mund të kish kancer, më pas unë bëra edhe ekon. Në fillim dyshoi se mund të kisha kiste, por pas ekos doli që ishte kancer. Më pas u operova. Në fillim hoqa vetëm masën kanceroze nga gjoksi. Por pas analizave doli që ishte kancer femër prandaj u desh të hiqej i gjithë gjoksi. Nuk i jam pishman. E rëndësishme është që jam mirë. Çdo gjë e kam përballuar për fëmijët”, tregon Ina.

ina balla
 (Ina Balla sëbashku me dy vajzat e saj)

Ashtu sikurse shumica e femrave shqiptare, edhe Ina tregon se nuk kishte bërë më parë ndonjë vizitë apo kontroll rutinë.

Nuk kisha bërë më përpara kontrolle. Gjithmonë e kisha në mendje por nuk shkova.”, thotë Ina.

E në fakt është pikërisht neglizhenca ajo që rrit mundësinë që kjo sëmundje të agravojë. Sipas doktoreshës Alketa Pere një femër duhet patjetër që të bëjë mbi të gjitha edhe një vetëkontroll për të parë për shenjat dalluese të kancerit. Sipas doktoreshës është vetë gruaja ajo që i vjen në ndihmë vetes së saj me anë të ekzaminimit të hershëm të sëmundjes.

Pjesë e kësaj neglizhence ndonjëherë është edhe fakti që shumë gra kanë turp të kontrollohen tek doktori, por për fat të mirë ky nuk ishte rasti i Inës. Ajo tregon se një moment shumë i vështirë ishte kimioterapia. 6 seanca kimioterapi të cilat Ina tregon se nuk i kaloi të gjitha me sukses.

Në fillim bëra tre seancat e para të cilat i përballova mirë. Më pas në seancën e katërt fillova të kish probleme me mëlçinë. Mora disa ilaçe dhe e ndërpreva kimioterapinë. Pas disa muajsh e fillova sërish. Kam qenë shumë keq në atë kohë. Nuk lëvizja dot fare, edhe një gotë uji nuk e pija dot dhe aty pastaj kërkova dhe ndihmë”, thotë Ina.

ina balla
 (Ina Balla në studion e "Repolitix")


Jo më pak e lehtë për tu kaluar është edhe ana psikologjike. 

"Në momentin e njoftimit të diagnozës duhet prania e psikologut. Jashtë kufijve tanë pacientë të tillë bëjnë edhe terapi familjare për të treguar edhe ndryshimet fizike dhe emocionale. Mua më vjen mirë që Ina është një model frymëzimi pasi ka shumë femra që po kalojnë në të njëjtën situatë që ina kaloi para dy vitesh. Duhet kurajë për tu përballur dhe është e nevojshme prania e një psikologu”, thotë psikologia Anxhela Peza.

Por tashmë për Inën ditët e këqija kanë ngelur mbrapa. Sot ajo vazhdon një jetë normale duke vazhduar edhe aktivitetin me të cilin rriti edhe dy vajzat e saj. Ina punon shitëse ambulante dhe për fat të mirë gëzon edhe lejen e Bashkisë së Tiranës.
Sipas inës ka vetëm një mënyrë për ta mposhtur këtë sëmundje, dhe ajo është: Kurajo.

ina balla
 (Dy vajzat e Inës në studion e "Repolitix")

ina balla