MTKRS: 160 mijë euro për
ekspozitën? Të justifikuara

MTKRS: 160 mijë euro për<br />ekspozitën? Të justifikuara
TIRANE - Ekspozita e thesareve të kulturës shqiptare në sallën “Vittorianon” të Romës, që u çel me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, edhe pse ka kushtuar plot 160 mijë euro, plus shpenzimet e tjera të panjohura, justifikohet nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit Kulturës dhe Sporteve dhe nga institucionet vartëse të saj.

“Kostoja për një aktivitet të tillë madhor në Romë e Torino, jo vetëm është e justifikuar, por nëse do të ishte ndërmarrë nga ndonjë shtet tjetër, do të kishte qenë më e madhe”, vjen reagimi nga Arbër Kadia, Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit dhe Kulturës.

Një ditë më parë deputetit i PS-së Auron Tare, njëkohësisht anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë ka reaguar për “Shqiptarja.com” me një artikull ku bënë të qartë shpenzimet prej 160 mijë euro, për të cilat shprehet se “140 mijë euro të paguara nga ministria jonë e Kulturës për këtë sallë, plus 20 mijë euro siguracionet plus shpenzimet e zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie për udhëtimet në Itali, janë të barasvlershme me restaurimet e një sërë kishave, siteve arkeologjike apo me pagën disavjeçare të sistemit të rojtarëve të moumumneteve, sistem i cili u hoq në vitin 2006.

Madje deputeti i PS-së, Auron Tare është shprehur se thesaret mund të ekspozohen në çdo muze të botës pa pagesë. Dje, burime nga MTKRS, kanë folur për Shqiptarja.com se ekspozita e Thesareve që ka udhëtuar nga Roma në Kosovë, e çelur më 6 maj, është bërë pa asnjë pagesë.

Pse duhej me pagesë në Romë?! Lidhur me këtë drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe është shprehur për Shqiptarja.com se “këto që fliten për shpenzimet e shumta janë të gjitha budallallëqe, sepse ekspozitën e thesareve në Romë e kanë vizatuar politikanë dhe diplomatë të lartë, koka të mëdhaja europiane dhe mijëra vizitorë”.

Duke justifikuar shumën e harxhuar për ekspozimin thesareve shqiptare jashtë vendit, drejtori i Institutit të Monumenteve Kulturore, i cili ka ndjekur edhe zhvillimin e këtij aktiviteti, është nervozuar, kur e pyetëm se a është e vërtetë se më këtë shumë “mund të restaurohen 10 monumente të trashëgimisë, sipas deputetit Auron Tare”.

Në vend që t’i përgjigjej pyetjes ai tha, “Më lini rehat, ju lutem!”, dhe mbylli telefonin, pa dhënë asnjë shpjegim më tej. “MTKRS e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Romë organizuan një ekspozitë që i kushtoi buxhetit të kulturës një shifër jo të vogël, ndërkohë që monumentet e trashëgimisë kulturore janë lënë nën mëshirën e fatit”, shkruante deputeti Tare në artikullin e një dite më parë.

Tare, ndër të tjera ka sjellë faksimile dokumentesh, ku MTKRS paguan 160 mijë euro të provuara me faturat përkatëse. Sipas deputetit Auron Tare, këto dokumente hedhin dyshime të forta mbi qëllimin e vërtetë të këtyre pagesave në emër të kompanive private italiane.

Pyetjeve a a duhet shteti shqiptar të paguajë për një ekspozitë, e cila në çdo vend të botës shteti pritës e mundëson falas në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit, kur ish ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi pranoi publikisht se Ministria e Kulturës nuk kishte asnjë fond për të paguar pagat modeste të ish rojtareve të dikurshëm të Monumenteve, drejtori i Trashëgimisë Arbër Kadia reagon me një përgjigje zyrtare, të cilën do ta botojmë më poshtë:

REAGIMI ZYRTAR

Përgjigje për Ekspozitën e Thesareve të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në Itali

Po Ju përcjellim këtë reagim ndaj shqetësimit të përpjekjes, gërmimit dhe hulumtimit të shkresave’, të cilat janë publike dhe që zoti Tare, falë transparencës sonë, mund t’i publikonte si gërmimi i tij i radhës. I bëjmë me dije opinionit publik se kjo ka qenë ekspozita më e suksesshme dhe më e rëndësishmja ndër vite e trashëgimisë sonë kombëtare.

Mundi dhe energjia për ta arritur këtë sipërmarrje, me angazhime nga Shqipëria dhe Italia, në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, e bëjnë atë akoma më të veçantë, një arritje e nivelit europian. Kostoja për një aktivitet të tillë madhor në Romë e Torino, jo vetëm është e justifikuar, por nëse do të ishte ndërmarrë nga ndonjë shtet tjetër, do të kishte qënë më e madhe.

Falë përkushtimit dhe punës së ekspertëve më të mirë të diplomuar në fushën e trashëgimisë dhe me një eksperiencë të gjërë mbi 250 objekte arkeologjike dhe ikonografike u ekspozuan fillimisht nga Palazzo Vittoriano, vendi më prestigjioz i ekspozimeve, në qendër të Romës dhe pastaj, po kështu në Palazzo Madama në Torino.

Presidenti Italian Napoletano, nën patronazhin e të cilit ishte ekspozita, dhe Presidenti Nishani, Ministri Italian i Kulturës, Ornaggi dhe Ministri Bumçi si dhe shumë personalitete të rangut më të lartë, e vizituan në ceremoninë e hapjes krahas dhjetra mijrave vizitorëve nga Italia dhe e gjithë bota.

Buja i kaloi parashikimet, vizitorët ishin më të shumtë se në stadiumet më të mëdha të Italisë, sipas medias vendase. Nëse përpjekjet e “sinqerta” të zotit Tare, një mik i vetëshpallur I Trashëgimisë, nuk do të kishin të bënin me datën 6 Maj apo me ndonjë listë apo pjesë dokumentare të këtyre ditëve, ne do të kishim marrë për bazë këtë shqetësim.

Për t’i kursyer kohë gërmuesve të këtij lloji dhe për të shpjeguar detajet e pazbuluar ende të shpenzimeve të shumta që ai aludon, i bëjmë me dije se këto fonde dolën nga fondi i veçantë për 100- vjetorin dhe jo nga buxheti ministror, i cili falë thithjes së investimeve të huaja, vetëm vjet në masën 3.5 milionë euro vetëm nga fondet IPA, jo vetëm që ka shtuar investimet në menaxhimin e monumenteve të kultures, por gjithashtu ka ulur barrën ndaj taksapaguesve shqiptarë pa i dëmtuar trashëgiminë dhe xhepat e tyre.

Theksojmë se vende të tjera të botës presin me vite që të mund të hapin një ekspozitë të tillë në qendrën e metropolit të “Qytetit të Përjetshëm”, Romës. Shumë shpejt po kjo ekspozitë madhore do të hapet dhe në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, si shpalosje e thesareve të trashëgimisë së përbashkët kombëtare.

Nuk janë llogaritur fitimet, por nuk do të ketë shpenzime të tjera, mjafton që vlerat të shkojnë në të gjitha trevat, që ta duam më shumë vendin dhe historinë tonë. Mbetemi të hapur si gjithnjë për bashkëpunim me të gjithë miqtë dhe profesionistët e fushës për kurimin, mbrojtjen dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.

Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore në MTKRS

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013

Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset