Ish-zvëndës trajneri i kombëtares shqiptare, por edhe trajner i shumë skuadrave në Shqipëri, Shpëtim Duro, thotë se futbollisti Ernest Muçi është denigruar në dy vitet e fundit kur trajner ishte Sylvinho. Në ‘Studio Live’ të Report TV Duro thotë se Muçi do të jetë shumë i rëndësishëm për trajnerin e ri Rolando Maran.

“Muçi është një futbollist me shumë talent. Duhej që të paktën para dy viteve të merrte përgjegjësinë e numrit 10. Nuk kishte pse të ishte stabël në çdo ndeshje të kombëtares, mund të luante në pjesën e dytë, por ai është denigruar. Ka patur momente që nuk është ftuar fare. Ishte shumë në formë në Turqi, por nuk e shihnim në Kombëtare. Një lojtar me atë talent, kur gjithë opionioni e donte, më çudiste të mos ishte me radhët e ekipit kombëtar. Ndoshta si trajner s’e donte për arsye taktike, por një lojtar më ate talent kërciste. Lojtari i mirë duket pavarësisht se si e përdor ti si trajner.

Maran e ka studiuar mirë lojën e tij. Është futbollist që vjen rallë. Shumë kualitativ. Në sulm është shumë i rrezikshëm. Luan me të dy këmbët dhe jep asist. Ndoshta duket pak i ngadaltë, por është shumë i shpejtë dhe I saktë në mendim. Mund të shënonte edhe gola të tjerë. Ai në çdo ndeshje është protagonist edhe nëse nuk luan mirë. Është shumë i rëndësishëm për lojën e Kombëtares tonë.”

Duro tha se për Shqipërinë ndeshja që luhet sonte kundër San Marinos duhet fituar patjetër. Sipas trajnerit kuqezinjtë ndeshjen vendimtare në Ligën e Kombeve e kanë të shtunën kundër Finlandës.


Lajmi kryesor:

Shqipëria zhbllokon rezultatin në San Marino! Mehmeti shënon për kuqezinjtë, goli i parë me Kombëtaren