Kombëtarja shqiptare do të luajë sonte ndeshjen e dytë në grupin 1 të Ligës C të Ligës së Kombeve, teksa përballet në transfertë kundër San Marinos. Këta të fundit janë kundërshtari më pak i vlerësuar në botë sipas renditjes të FIFA-s, pasi nga 211 përfaqësuese gjithsej mbajnë pikërisht vendin e 211. Për të treguar forcën e tyre mjafton ndeshja e pak ditëve më parë me Finlandën, që u fitua 0-7 nga këta të fundit. Megjithatë Shqipëria nuk ka luksin të nënvlerësojë askënd.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Rolando Maran e nisën me këmbën e mbarë kompeticionin. Të shtunën e 26 shtatorit mposhtën 2-0 Bjellorusinë, duke përmbushur kushtin që të luftojnë për vendin e parë. Ky objektiv në grup jo vetëm që sezonin e ardhshëm të dërgon në Ligën B të Ligës së Kombeve, por edhe të jep mundësi për të tentuar kualifikimin në Evropian.

Si trajneri Maran ashtu edhe kapiteni Gjimshiti kanë këmbëngulur se duhet vlerësim për kundërshtarin, pasi në të kundërt ndeshja do të bëhet e vështirë. Trajneri ndërkohë ka njoftuar se do të ketë disa ndryshime në formacion në krahasim me sfidën kundër Bjellorusisë, ndërsa ka dërguar në tribunë Naser Alijin, Feta Fetain dhe Saba Kerjotën.

Formacioni titullar i San Marino-Shqipëri

Gjashtë ndryshime në formacion ka bërë trajneri Rolando Maran në ndeshjen që kombëtarja shqiptare do të luajë në orën 20:45 kundër San Marinos në raport me sfidën e parë në Ligën e Kombeve kundër Bjellorusisë. Sonte në portë luan Alen Sherri në vend të Berishës, ndërsa titullar në mbrojtje është kthyer Mitaj. Samuele Sina debuton në vend të Hysajt, ndërsa në mesfushë nga minuta e parë luan Julian Shehu. Në sulm kanë ‘mbijetuar’ Manaj e Muçi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:16
‘Muçi u denigrua kur ishte Sylvinho’, Shpëtim Duro për Report TV: Maran e ka studiuar, lojtar i rrallë

 

Ish-zvëndës trajneri i kombëtares shqiptare, por edhe trajner i shumë skuadrave në Shqipëri, Shpëtim Duro, thotë se futbollisti Ernest Muçi është denigruar në dy vitet e fundit kur trajner ishte Sylvinho. Në ‘Studio Live’ të Report TV Duro thotë se Muçi do të jetë shumë i rëndësishëm për trajnerin e ri Rolando Maran.

“Muçi është një futbollist me shumë talent. Duhej që të paktën para dy viteve të merrte përgjegjësinë e numrit 10. Nuk kishte pse të ishte stabël në çdo ndeshje të kombëtares, mund të luante në pjesën e dytë, por ai është denigruar. Ka patur momente që nuk është ftuar fare. Ishte shumë në formë në Turqi, por nuk e shihnim në Kombëtare. Një lojtar me atë talent, kur gjithë opionioni e donte, më çudiste të mos ishte me radhët e ekipit kombëtar. Ndoshta si trajner s’e donte për arsye taktike, por një lojtar më ate talent kërciste. Lojtari i mirë duket pavarësisht se si e përdor ti si trajner.

Maran e ka studiuar mirë lojën e tij. Është futbollist që vjen rallë. Shumë kualitativ. Në sulm është shumë i rrezikshëm. Luan me të dy këmbët dhe jep asist. Ndoshta duket pak i ngadaltë, por është shumë i shpejtë dhe I saktë në mendim. Mund të shënonte edhe gola të tjerë. Ai në çdo ndeshje është protagonist edhe nëse nuk luan mirë. Është shumë i rëndësishëm për lojën e Kombëtares tonë.”

Duro tha se për Shqipërinë ndeshja që luhet sonte kundër San Marinos duhet fituar patjetër. Sipas trajnerit kuqezinjtë ndeshjen vendimtare në Ligën e Kombeve e kanë të shtunën kundër Finlandës.