Në hartën e Shqipërisë veriore, ekziston një vend ku koha duket se ka ndaluar, por ku dhimbja dhe shpresa jetojnë në të njëjtën shtëpi. Ky është Arrni. Një vend i bukur, i izoluar nga harresa e tmerrshme e infrastrukturës, por i mbajtur gjallë nga njerëz që refuzojnë ta lënë të vdesë.
Në mëngjesin e hershëm, kur dielli sapo prek majat e maleve, dëgjohen zilet e bagëtive që nisen drejt kullotave. Kjo është përditshmëria e Lulzim Drenit, një 28-vjeçar që ka zgjedhur të ndërtojë të ardhmen e tij aty ku shumë të rinj kanë vendosur të largohen.
Së bashku me vëllezërit, ai mbarështon rreth një mijë krerë dhi dhe keca, duke krijuar fermën më të madhe të bagëtive të imta në zonë. Puna nis para lindjes së diellit dhe përfundon vonë në mbrëmje.
“Ne punojnë non-stop me këto. Nga ora 8 e mëgjesit deri në 7 të mbrëmjes” tregon 28 vjeçari, baba i dy fëmijëve të vegjël.
Ferma nuk ka qenë gjithmonë kaq e madhe. Gjithçka nisi me një numër të vogël bagëtish dhe me bindjen se jeta në fshat mund të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për një familje. Me kalimin e viteve, puna dhe përkushtimi e kanë kthyer aktivitetin në një biznes të mirëfilltë familjar.
“Në 2010 bëra 250 kokë dele, më pas I zëvendësova me dhi. Kam pasur 900 krerë dhi. I kam bashkë me dy vëllezërit e tjerë. Tani ka filluar të zhvillohet blegtoria në zonën tonë.”shprehet Lulzim Dreni.
Për të mos u mjaftuar vetëm me shitjen e qumështit, dy vite më parë ai ndërtoi një baxho të vogël. Brenda saj, qumështi i mbledhur çdo ditë shndërrohet në djathë, një produkt që tashmë ka gjetur vend në tregun vendas. Kjo ka rritur të ardhurat e fermës dhe ka shtuar vlerën e prodhimit.
“Shesim djath në Tiranë e Kukës. E leverdishme është po ka shumë mund. Duhen njerëz” tregon Lulëzimi.
Para viteve '90, këtu gumëzhinte jeta — mbi 300 familje, shkollë, çerdhe, furrë buke dhe një spital që shëronte zonën.
“Këtu jetohet, por gjithmonë duke pasur në krah shtetin me infrastrukturë, energji, ujë”, thotë Fadil Marku, kryeplaku i fshatit.
Sot, dy rrugët që të sjellin këtu, ajo 35 kilometra nga Fushë-Dukagjini dhe rruga më e re prej 20 kilometrash, janë pothuajse të pakalueshme. Por, mes këtij izolimi, ka ende zëra që thërrasin për ringjallje.
“Vëllezërit kanë emigruar, unë jo. Më mjafton të merrem me blegtori. Kam dy vjet që kam hapur dhe baxhon Për mua s’ka si vendlindja jote."shprehet 28-vjeçari.
Por Lulzimi nuk është i vetmi që ka kthyer sytë nga pasuria bio e këtyre maleve. Pas 30 viteve jetë në Tiranë dhe emigrim në Greqi, rrugën e kthimit për te rrënjët e ka gjetur edhe Binak Coka. Ai është rikthyer familjarisht për të ringjallur tokat e babait.
"Kemi 3 vjet që jemi rikthyer. Se ikëm në Tiranë para 30 vitesh, që në vitin 1996. Kemi marrë disa bagëti.Tokat are janë të babit që ka ndërruar jetë. E gjithë familja ka 5 dynym tokë, kemi bërë dy stalla të reja. Kam 150 lopë dhe dua të arrij në 300 kokë. Mendoj që më pas të ndërtoj një baxho se edhe katundi i ka shtuar bagëtitë. Stallat nuk i kam afër, po t’i kisha në vend të përshtatshëm ia vlen shumë. Sa të punoj për tjetrin, punoj për veten. Kam qenë edhe në Greqi emigrant për 8-9 vite. Në Tiranë kam punuar duke mbajtur hekura gjithë ditën, rroga e mirë po jeta e shtrenjtë. Dhe vjen një kohë që lodhet njeriu, kam mbi 20 vjet që nuk i kam u ndarë hekurit."tregon Binak Coka, banor i rikthyer.
Kthimi i Binakut nuk është thjesht një sipërmarrje blegtorale. Është një pajtim me historinë e të parëve të tij. Në Arrën, të rrugëtosh do të thotë të prekësh historinë përmes kullave prej guri dhe dëshmive të një bashkëjetese të vjetër që i ka rezistuar kohës.
"Kulla që kemi këtu është e babagjyshit tim që e ka ndërtuar në vitin 1958. Xhaxhai e riparon aq sa ka mundësi. Ka akoma strukturën si është ndërtuar vite më parë” tregon Binaku.
Mulliri 100-vjeçar që ende bluan drithë, tregon forcën e një komuniteti që kur bëhet bashkë nuk njeh pengesa. Por sot, ky bashkim po përballet me plagën më të rëndë të kohëve moderne: zbrazjen e fshatit nga të rinjtë dhe koston e lartë të jetesës në qytetet e mëdha.
“Mulliri i fshatit është që në kohën e babagjyshit, rreath 100 vjeçar. Është akoma funksional. Aty e copëtoj drithin unë dhe gjithë fshatarët e tjerë. Me aq sa kam dëgjuar ka marrë pjesë i gjithë fshati në ndërtimin e këtij mulliri. I kanë vënë emrin e tre fiseve Doçaj-Kurtaj-Sefe. Por i gjithë fshati e ka mirëmbajtur në vitet që pasuan. Edhe në kohën e Enver Hoxhës ka qenë në funksion. Çfarë shikon këtu origjinale janë! Në 1985 u rregullua edhe furnizimi me ujë të pijshëm nga burimi. Sot kanë hapur edhe ca kanale që të mos shkojë dëm."
Binak Coka flet edhe për rikthimin e banorëve: "Kanë filluar të kthehen shumë, disa kanë ndërtuar shtëpi të reja. Edhe unë kam ndërtuar një shtëpi druri. Gjatë verës jemi 3 familje, se jemi 3 vëllezër. Ndërsa gjatë dimrit vetëm dy qëndrojmë. Këtu në fshat nuk ka shkollë për fëmijët."
Lodhja nga puna e rëndë e ndërtimit në qytet dhe malli për tokën janë të njëjtat ndjesi që kanë rrahur edhe shpirtin e Shkëlqim Markut. Si shumë të tjerë, ai e la Arrnin në shtatorin e vitit 1992, për të provuar kalvarin e gjatë të emigrimit në Greqi e Gjermani.
"Më 1 shator 1992 kam dalë nga fshati. Kam punuar gjatë gjithë këtyre viteve në ndërtim në Tiranë, në Greqi, në Gjermani ku kërkova dhe azil me familjen time. U riktheva përsëri në Tiranë” shprehet Shkëlqim Marku.
Por pas dekadash sakrifice, rrugët e jetës e sollën sërish këtu, ku dora e tij prej mjeshtri po ndihmon në ringritjen e shtëpive të reja.
“Në vitin 2023 jam rikthyer për të bërë punime këtu dhe kam parë familje që po linin fshatin. Unë kam shumë nostalgji dhe dashuri për vendin tim. Jam rikthyer se edhe mosha bën të vetën. Pas meje këtu janë ndërtuar edhe 5-6 shtëpi të reja që di unë, se kam punuar në to si mjeshtër. Unë kam shëtitur Evropën dhe këtu në Shqipëri shëtita një familje gjermane. Ata më kishin zili mua për këtë vend. Mirëpo ne nuk po ia dimë rëndësinë vendit tonë…” tregon Shkëlqim Marku.
Ky është paradoksi i madh shqiptar: aty ku syri i një të huaji sheh një parajsë të virgjër dhe magjepsëse, syri i vendasit sheh mungesë rrugësh, mungesë shkollash dhe një të ardhme të pasigurt.
“Këtu nuk është mundësia që të kthehen të gjithë bashkëfshatarët e mi se shkolla nuk ekziston, spital nuk ka. këtu mungojnë shumë gjëra. Pika kryesore për mua është infrastruktura, rruga.Dëshira ime është që secili që ka mundësi të vijë e të investojë sadopak këtu” thotë banori nga fshati Arrën.
Shkëlqimi e njeh mirë shijen e rrugëve të botës, por plagën më të madhe e ka tek fëmijët. Historia e tij po përsëritet tek brezi i ri. Një cikël i pafundëm ikjesh ku prindërit kthehen të rindërtojnë rrënjët, ndërsa rinia merr rrugët e Evropës prej mungesës së shpresës.
"Fëmijët e mi dhe rinia po largohen se nuk kanë shpresë... 3 fëmijë jetojnë në Gjermani. Këtu kam dy të tjerë, po s’ka shpresë, kjo është brenga ime më e madhe...” shprehet Shkëlqim Marku, banor i rikthyer në Arrën.
Pa një shkollë për fëmijët e Lulzimit e Binakut, dhe pa një qendër shëndetësore, rikthimi masiv mbetet vetëm një ëndërr në letër. E megjithatë, gurët e parë të shtëpive të reja dhe shtëpitë e drurit po vendosen. Janë themelet e një shprese që refuzon të dorëzohet.
"Fshati im është mikpritës, është i fjalës dhe i besës, janë bujarë. Secilit kujt t'i shkosh në derë të uron mirëseardhjen.”thotë Shkëlqimi me krenari.
Ndërsa dielli perëndon pas këtyre maleve, ky fshat mbetet pezull mes dy botëve: mes krenarisë së atyre që qëndrojnë si Lulzimi dhe mallit të atyre që ikin në emigrim. Arrni nuk po kërkon lëmoshë. Kërkon vetëm një rrugë, një shkollë dhe një mjek, për të mos lejuar që ky xhevahir i fshehur i Shqipërisë të kthehet në një kujtim të shkruar në gërmadha.
“Mirupafshim, ju përshëndes e ju mirëpresim përsëri. Ngrijeni zërin andej se këtu është vend përrallor. Na ndihmoni!"-është apeli i banorit të rikthyer në fshatin Arrën të Kukësit.
Komente









Respekt per popullin kuksian qe jo vetem patriot e luftetar por edhe shum puntor.pra kush punon ka,kush rri ter diten kafeneve me duhan ne goj dhe numron njerezit se ska ca ben kuptohet qe i varfer esht.
Përgjigju