Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për çështjen bllokimit të pagave të magjistratëve, pasi ditën e djeshme Gjykata Administrative siguroi padinë dhe urdhëroi Ministrinë e Financave dhe degën e thesarit të Tiranës të zhbllokojë menjëherë pagat për gjyqtarët dhe administratën e Gjykatës së Posaçme të shkallë së parë, si edhe për Gjykatën e Durrësit. 

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Rama ka shkruar se me sigurimin e padisë, Gjykata Administrative bëhet e para gjykatë në historinë botërore, që sipas tij jo vetëm kërkon rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjykatësit, por edhe rritjen e pagave ‘të prapambetura’, që nga prilli i vitit 2023.

Rama thekson se Gjykata Administrative pretendon se pagat e magjistratëve duhet të ishin rritur që në prill të vitit 2023, aq sa sipas tij duan t’i rrisin vetë tani. Ndërkohë në reagimin e djeshëm pas vendimit të Administratives, kryeministri Rama tha se dyert e Thesarit i hap vetëm Kuvendit dhe sipas tij ngërçi do të marrë zgjidhje më 17 shtator, kur pritet të votohet formula e re e pagave të magjistratëve.

Reagimi i Ramës për çështjen e pagave të magjistratëve:

Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi kuturisjen e djeshme të Gjykatës Administrative, e cila përmes sigurimit të parë të padisë në historinë botërore jo për të ndaluar një akt po për të kryer një akt, nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjykatësit, po edhe “të prapambeturat” që nga prilli 2023, sepse sipas tyre pagat duhet t’u ishin rritur që atëherë aq sa duan t’i rrisin vetë tani.

Gjeni në tabelën bashkëngjitur sa do të merrte çdo gjykatës personalisht në dorë nesër si shumë të prapambetur, sikur ministri i financave të shkelte ligjin dhe të shkonte pas berihajit të kësaj vendimmarrjeje ekstra-parlamentare.

Lajm në përditësim...