Për Juventusin e mërkura në Champions League do jenë një 90 minutësh tepër delikat, pasi për shpresën më të vogël duhet të mposhtë me patjetër Benfica-n në transfertë. Madje nuk duhet thjeshtë fitore, por të paktën me dy gola diferencë, pasi ndeshja e parë në Torino është fituar 1-2 nga portugezët.

Gjithsesi për t’ia dalë Allegri nuk e ka aspak fatin me vete. Kjo sepse së fundmi Leandro Paredes i është shtuar listës së gjatë të dëmtimeve te ‘zonja’. Mesfushori argjentinas ka pësuar një tërheqje muskulore në stërvitjen e djeshme dhe do t’i duhet të mungojë për 15 ditë.

Kjo do të thotë se humb jo vetëm Benfikën, por në të njëjtën kohë edhe duelet e tjera me Leçen e Interin në kampionat, ashtu sikurse me PSG-në në ndeshjen e fundit të grupeve. Ai mund të rikthehet për dy duelet e fundit përpara pauzës së Botërorit, ndaj Veronës dhe Lacios.

Me Paredesin në infermieri, praktikisht të gjitha blerjet e kësaj vere janë të dëmtuar aktualisht, duke qenë se i bashkohet mbrojtësit Gleison Bremer dhe sulmuesit Angel di Maria. Të vetmit nga investimet e merkatos që i kanë shpëtuar dëmtimeve aktualisht janë anësori i majtë Filip Kostiç dhe sulmuesi Arkadiuzh Milik.

Për Alegrin mungesat ndaj Benfikës do të jenë 6, duke kujtuar se përveç Paredes, Bremer e Di Maria të dëmtuar janë edhe De Shiljo, Kieza e Pogba.