LEZHE- As rreshjet e shiut nuk i kanë penguar banorët e komunës Zejmen për të protestuar ndaj mungesës së energjisë elektrike, e para e këtij lloji pas një jave në errësirë.

Pas fshatrave të komunës Kolsh, tashmë janë banorët e komunës Zejmen që kanë përshkallëzuar protestën e tyre, pasi nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje ligjore gjatë këtyre diteve që nuk janë furnizuar me energji elektrike.

Banorët e komunës Zejmen në Lezhë kanë bllokuar autostradën Fushë-Krujë-Lezhë në shenjë proteste për mungesën 1 javore të energjisë elektrike. Për 30 minuta aksi rrugor që lidh Lezhën me Laçin është bllokuar plotësisht nga banorët, që kërkojnë rilidhjen e energjisë pasi sipas tyre janë vetëm 20 % e popullatës që nuk kanë paguar faturat, ndërsa pjesa tjetër ka vijuar rregullisht me pagesat.

Sipas banorëve, dënimi kolektiv nuk duhet zbatuar në zonat të cilat kanë debi mjaft të ulët, duke shtuar se do të vijojnë me protestat e tyre edhe në ditët në vazhdim.
(eç/shqiptarja.com)