Administratori i OSHEE Adrian Çela ka qenë sot në Laprakë për të denoncuar dëmtimin e linjave dhe aseteve të OSHEE nga një kompani private.

Sipas tij, dëmtimi i linjave nuk është hera e parë që ka ndodhur dhe për këtë arsye janë lënë pa energji eklektike shumë banorë. Ai ka ngritur shqetësimin se me këtë situatë po përballen shumë ditëve të fundit ku vetëm në pesë ditët e para të muajit dhjetor janë dëmtuar 6 linja nga kompanitë private e ndërsa gjatë muajit nëntor janë regjistruar 15 dëmtime të tilla.

"Problemi është se OSHEE është duke përballuar ditët e fundit me dëmtime të shumta: Vetëm në pesë ditët e para të muajit dhjetor 2016, kemi 6 dëmtime të linjave tona nga operatorë të tillë,Në muajin Nëntor për qytetin e Tiranës kemi 15 dëmtime të kryera nga kompani private për llogari të institucioneve publike" deklaroi administratori i OSHEE.

Ai ka fajësuar dhe organet e Drejtësisë për këtë situatë. Çela është shprehur se pavarësisht i ka denoncuar këto kompani, çështjet kanë kaluar në Prokurori e më pas janë mbyllur hetimet.  

Administratori i OSHEE u ka bërë apel kompanive private që për të evituar çdo dëmtim, të kontaktojnë OSHEE-në për çdo suport, pasi me prezencën e OSHEE me informacionin ku janë shtrirë fidrat, evitohet dëmtimi i kabullit.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)