DEVOLL- Me dhjetëra kuintal qepë kanë mbetur stok në Miras të Devollit. Mungesa e tregut për shkak të mosafrimit të grumbulluesve po çon produktin drejt kalbjes. Në këtë zonë kultivohet varieteti “qepa e ujit” që nuk i reziston kohës.

“Problemi ynë është se qepa ka mbetur stok, pak fare kemi shitur nëpër njerëz se makina të shumicës nuk vijnë. Deri tani me 240 lek/kg (të vjetra), por tregtarët edhe më lirë e kërkojnë”, tha një fermere.

“Kam mbi 90 kuintal qepë pa shitur, si do shkojë puna nuk e di, do t’i marrim  ato para që harxhuam apo do ti hedhim qepët në lumë?”, shprehet një tjetër.

Me 20 lekë për kg fermerët nuk arrijnë të mbulojnë as koston e prodhimit.

“Treg nuk ka, kërkesë nuk ka, qeveria nuk na mbështet këtu vijnë veç për të marrë vota”, tha një fermer. “Këtu është problemi se nuk shitet malli, ska asnjë lëvizje, nëse ngelet detyrohemi ta hedhim në lum”, u shpreh një tjeter.

Në Miras të Devollit vetëm 100 familje fermere kultivuan qepën këtë vit, një numër i ulët krahasuar me vitet e mëparshme ku gjithë fshati me rreth 600 familje merrej me këtë kulturë bujqësore.