Mungojnë Sadiku dhe Manaj
Gianni De Biasi rikthen Çanin

Mungojnë Sadiku dhe Manaj<br />Gianni De Biasi rikthen Çanin
Kombëtarja shqiptare humbet shërbimet e Armando Sadikut dhe Rey Manajt për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2018, ndaj Lihtenshtajnit dhe Spanjës, më 6 dhe 9 tetor. Pas këtyre dy mungesave trajneri De Biasi është detyruar që të thërasë një sulmues tjetër dhe zgjedhja e tij ka qenë një emër i munguar prej tre vitesh tek kuqezinjtë, Edgar Çani.

Dëmtimet
“Sadiku, pasi bëri skanerin, rezultoi që menisku t’i ishte gërvishtur pak dhe kjo i jep dhimbje gjatë gjithë kohës, sidomos kur lëviz gjurin nga brenda kur vrapon. Kështu që i nevojitet të bëjë operacionin, sot ose nesër, dhe do të qëndrojë thuajse një muaj jashtë fushave të blerta”, shpjegoi Alban Bushi, menaxher i skuadrës kombëtare.

Ndërsa Rey Manaj do të qëndrojë për 10 ditë jashtë fushave, pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen e fundjavës në Serie A, Pescara-Chievo. Përveç dy dëmtimeve, menaxheri i kombëtares thekson se pjesa tjetër e kuqezinjve janë në formë mjaft të mirë. “Jemi në tetor tani dhe janë pothuajse të gjithë në formë. Trajneri e ka të vështirë të zgjedhë mes lojtarëve për këto dy ndeshje, sepse të gjithë lojtarët janë shumë mirë”, përfundoi Bushi.

Çani rikthim pas tre vitesh
Kjo situatë bëri që Gianni De Biasi të rikthejë pas 3 vitesh në Kombëtare sulmuesin Edgar Çani, aktualisht lojtar i Pisa-s. “Mendoj se Çani po kalon një formë të mirë te Pisa. Ka shënuar, jo shumë si lojtarët që kemi aktualisht në kombëtare, por gjithsesi po luan mirë atje.

Ka një ngritje gjatë këtij vitit të fundit, ndaj dhe unë mendoj se ka bërë mirë me këtë zgjedhje. Mendoj që konkurrenca i bën mirë sulmuesve, sepse janë më të karikuar dhe më të impenjuar në çdo stërvitje, e japin maksimumin e tyre”, shtoi më tej Alban Bushi.

Rreth 3 vjet pas ndeshjes së fundit me fanellën e Kombëtares Shqiptare, sulmuesi Edgar Çani rivishet kuqezi. 27-vjeçari që aktualisht është pjesë e ekipit të Pisa-s në Serie B. Çani do të jetë në dispozicion të skuadrës për ndeshjen ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës. Ndeshjen e fundit me Kombëtaren, sulmuesi i lindur në Tiranë e ka luajtur në muajin Tetor të vitit 2013 në Rejkjavik kundër Islandës, e vlefshme për eliminatoret e Btërorit 2014. Çani numëron 13 takime në total me ekipin kuqezi, 8 sfida zyrtare dhe 5 miqësore.

Dy golat e vetëm zyrtarë ai i ka realizuar ndaj Islandës në Tiranë dhe ndaj Qipros po në “Qemal Stafa”. Sulmuesi shtatlartë a realizuar gjithashtu edhe një gol në miqësoren e vitit 2012 ndaj Gjeorgjisë ku skuadra kuqezi u mund me rezultatin 2-1. Gjatë sezonit të shkuar ai u transferua te Pisa ku në 31 ndeshje arriti të realizonte 6 gola. Çani vazhdon të jetë pjesë e Pisas edhe për këtë sezon. Ai u aktivizua për rreth 20 minuta në sfidën e luajtur të Hënën mes Carpit dhe Pisas ku gjatë këtij sezoni është aktivizuar në 7 takime.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Protesta, militantët mblidhen në selinë blu! Pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë

Protesta, militantët mblidhen në selinë blu! Pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë