Qindra banorë të fshatit Nikël të Fushë- Krujës, protestuan paraditen e sotme për ndërprerjen e energjisë elektrike duke bllokuar qarkullimin në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë për afro pesë orë.

Për shkak të protestës trafiku u rëndua duke krijuar radhë të gjata makinash nga Fushë Kruja deri në Kamzë. Banorët janë larguar nga rruga vetëm në momentin që kompania CEZ Shpërndarje u ka rilidhur energjinë elektrike.

Nuk është hera e parë që banorët e kësaj zone protestojnë për ndërprerjen e energjisë pasi pretendojnë se CEZ-i po tregohet i padrejtë me ta duke bërë shkëputje kolektive të energjisë. Sipas banorëve jo të gjithë janë debitorë ndaj ata që paguajnë kërkojnë që të mos kenë probleme me dritat.

Nga ana tjetër, në lidhje me protestën e banorëve të Nikël, kompania CEZ Shpërndarje ka njoftuar se ndërprerja e energjisë është bërë si pasojë e mospagesës së faturave dhe se debia në total është mbi 92 milion lekë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)