Seanca paraprake për ish-presidentin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhin dështoi sërish, këtë herë për shkak të mungesës së gjyqtares Rudina Palloj. Në sallë, përplasja u zhvendos te bojkoti i avokatëve, pasi mbrojtësi i Metës refuzoi ta përfaqësonte nga frika se mund t’i hiqej licenca.
Avokatët e Metës dhe Kryemadhit ishin të pranishëm në sallë, por ishin ulur në vendet e rezervuara për pjesën e publikut. Kryesuesi i trupit gjykues, Erjon Bani i kërkoi avokatit të Ilir Metës, Bujar Musta, të shpjegonte përse nuk pranonte ta përfaqësonte klientin e tij, ndonëse ndodhej në sallë.
Musta deklaroi para gjykatës se Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka marrë dy vendime për bojkotin e seancave dhe ai rrezikon heqjen e licencës nëse e thyen atë.
Bani i bëri me dije se po cenohej administrimi i drejtësisë dhe se kjo përbën vepër penale, duke iu referuar nenit 264 të Kodit Penal, “Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë”. Ndërkohë, Meta tha se kjo situatë po cenonte interesat e tij për një proces gjyqësor.
Vetëm një ditë më parë Dhoma e Avoaktisë bëri me dije vendimin që nga e hëna avokatët do të nisin me bojkotin edhe të seancave për masat e sigurisë. Kjo do të ndodhte për herë të parë në vendin tonë, dhe mund të pasonte lirimin e të arrestuarve që sipas ligjit duhet të dalin për masë sigurie brenda 72 orësh.










Komente
Komento