Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, CRCA Shqipëri dhe ANYN (Rrjeti kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri) bënë publike Indeksin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, i cili përmban vlerësimin që organizatat e shoqërisë civile në vend i kanë bërë punës së Qeverisë dhe Bashkive për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë në Shqipëri.
Indeksi është pjesë e Raportit Kombëtar “Rinia në Shqipëri”, i cili do të bëhet publik në 12 Gusht 2018, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Rinjtë. Raporti, që u përgatit përgjatë një periudhe dy vjeçare me pjesëmarrjen e mbi 15 organizatave të shoqërisë civile rinore, ngre shqetësimin se Plani Kombëtar i Veprimit për Rininë (2015-2020) ka mbetur thuajse tërësisht i pazbatuar dhe se Rinia nuk është një prioritet për Qeverinë dhe Bashkitë në Shqipëri.
Sipas Raportit, një ndër sfidat madhore të të rinjve në vendin tonë mbetet punësimi. Rreth 81% e organizatave Rinore deklarohen se nuk kanë mbështetjen e Qeverisë për promovimin dhe fuqizimin e programeve të nxitjes së punësimit të të rinjve. Të dhënat më të fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) për vitin 2018, tregojnë se Shqipërinë zë vendin e parë në Europë për papunësinë e të rinjve.
Të dhënat e raporteve të organizatave ndërkombëtare, tregojnë se rreth 70% e të rinjve në Shqipëri kërkojnë të emigrojnë në një vend të BE-së! Të rinjtë, përballen me mungesa të mundësive, politikave sociale dhe ekonomike dhe mospërfillje të tyre nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit, që ndikojnë në jetën e tyre.
Pjesëmarrja e të rinjve në proceset vendimmarrëse është shumë e ulët. Në bazë të Raportit të CRCA dhe ANYN, rreth 73% e të rinjve në vendin tonë, nuk gjejnë mbështetjen e Qeverisë në përfaqësimin e tyre në proceset vendimmarrëse dhe strukturat e qeverisjes vendore. Referuar këtij raporti të rinjtë, po përdoren vetëm si një sfond politik, nuk kanë pjesëmarrje efektive në politikë-bërje dhe vendimmarrje në të gjitha nivelet e politikës si dhe kanë një mungesë të theksuar të mbështetjes së saj.
Deri në fund të vitit 2017, Qeveria nuk shpenzoi asnjë lek për zbatimin e Planit të Veprimit për Rininë. Edhe pse Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, ka ngritur zërin për këtë problem thelbësor, Kuvendi i Shqipërisë dhe Qeveria pranuan të caktonin vetëm 0.01% të buxhetit të shtetit për të rinjtë, për rreth 35% të popullsisë në Shqipëri. Me përjashtim të Tiranës, Bashkitë e tjera në vend nuk kanë asnjë zë buxhetor specifik për të rinjtë.
Mbi 80% e të rinjve në mbarë vendin pohojnë se ka një mungesë të theksuar të shërbimeve miqësore dhe cilësore për ta. Këshillimi dhe ndihma psiko-sociale falas për gjimnazistët dhe studentët nuk ofrohet në asnjë qytet të Shqipërisë, ndërsa ky shërbim duhet ofruar në Qendrat Komunitare ose Rinore të Bashkive.
Një ndër shërbimet më të kërkuara nga të rinjtë është edhe Karta e Rinore. Në Qershor 2018, Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri protestoi para Ministrisë përkatëse për këtë çështje. Ndonëse ky premtim është sanksionuar si në Planin Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë në Shqipëri 2015-2020 ashtu dhe në nenin 100 të Ligjit të Arsimit të Lartë, ai mbetet ende i parealizuar, përfundon njoftimi./ Monitor/
Artikull shume realist,rinia Shqipetare ngelet e depresionuar nga mungesa e nje te ardhme,nje shkollimi cilesor,dhe nga drejtimi qe gjithmone e me shume meret ne dore nga kasta e injorantve,dhe femijet e baballarve hajduter qe kan investuar duke ju bler diploma femijve te tyre budallenj te cilet riciklohen dhe marin ne dore fatin e te rinjve qe studiojne dhe jan te shkelqyer,por skan fatin qe te ken prindit hajduter.
Përgjigju