PRISHTINË, 22 Janar/ATSH/.- Ministri i Diasporës Valon Murati priti sot në takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.
Sipas KosovaPress, ministri Murati e falënderoi ambasadoren Jacobson për vizitën dhe për gjithë punën që Ambasada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë në Kosovë, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, si dhe e informoi për prioritetet e Ministrisë së Diasporës për vitin 2015.
"Një shtyllë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe prioritet i Ministrisë së Diasporës është puna që bëjmë me bizneset në diasporë, duke krijuar ura lidhëse, në mënyrë që Kosova të mos jetë vetëm pranuese pasive e remitancave, por investimet e diasporës të kenë përfitime të dyanshme. Ne nuk kemi fuqi legjislative t'i ndryshojmë politikat fiskale të kompanive nga jashtë, por punojmë shumë me ministritë e linjës që të ushtrojmë ndikimin tonë për të krijuar kushte më të favorshme për investime afatgjata", tha ministri Murati, duke shtuar se Ministria e Diasporës është duke punuar ngushtë me diasporën në SHBA.
Ambasadorja Jacobson u informua edhe për projektet e tjera të Ministrisë së Diasporës, siç janë edhe krijimi i rrjetit të studentëve dhe të rinjve në diasporë, hartimi i regjistrit të diasporës dhe mërgatës, mësimi plotësues në gjuhën shqipe dhe projekte të tjera./m.m/