Një rast i dyshuar i murtajës pulmonare në Siberi ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, pasi një laborante 28-vjeçare humbi jetën dhe tashmë janë ngritur dyshime për një person të dytë me pneumoni të rëndë. Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka kërkuar Rusisë të japë më shumë informacion për atë që ka ndodhur në institutin e specializuar kundër murtajës në Irkutsk.
Darya Shipilova, 28 vjeçe, punonte në Institutin Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk, ku studiohen baktere dhe viruse që mund të shkaktojnë sëmundje të rënda. Ajo u sëmur me pneumoni të rëndë dhe pas shtrimit në spital ndërroi jetë më 2 tetor në Shelekhov raportojnë mediat e huaja.
Vdekja e saj mori një tjetër përmasë pasi mediat raportuan se laborantja mund të ishte ekspozuar aksidentalisht ndaj një bakteri të rrezikshëm gjatë punës. Në institutin ku ajo punonte studiohet edhe Yersinia pestis, bakteri që shkakton murtajën.
Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmim zyrtar se 28-vjeçarja ka vdekur nga murtaja pulmonare. Autoritetet ruse e kanë përshkruar shkakun si pneumoni me origjinë të panjohur dhe kanë kryer testime te personat që kanë pasur kontakt me të.
Situata u bë edhe më e paqartë pas raportimeve për një person të dytë gjithashtu me pneumoni të panjohur. Ky rast nuk është konfirmuar si murtajë, por OBSH ka kërkuar nga autoritetet ruse të sqarojnë nëse bëhet fjalë për një rast të lidhur me ngjarjen në laborator.
Ndërkohë, Rusia thotë se deri tani nuk ka prova për një shpërthim të murtajës në rajonin e Irkutskut. Autoritetet shëndetësore kanë testuar personat që kanë qenë në kontakt me laboranten dhe kanë marrë masa monitorimi dhe izolimi.
OBSH kërkon tashmë të dhëna më të plota për shkakun e sëmundjes, patogjenin e mundshëm dhe arsyen e masave të marra nga autoritetet ruse. Deri në këtë moment, nuk ka prova për një përhapje të qëndrueshme të sëmundjes nga personi në person.






Komente
Komento