Një sëmundje tropikale që shkakton dhimbje të forta dhe të zgjatura mund të transmetohet tashmë në pjesën më të madhe të Europës. Chikungunya, që dikur konsiderohej problem i vendeve tropikale, po fiton terren për shkak të rritjes së temperaturave dhe përhapjes së mushkonjës tigër aziatike.

Sipas një studimi të publikuar në revistën Royal Society Interface, infeksioni është i transmetueshëm për më shumë se gjashtë muaj në vit në Spanjë, Portugali, Itali dhe Greqi. Në Belgjikë, Francë, Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera europiane, rreziku shtrihet nga tre deri në pesë muaj në vit. Edhe në juglindje të Anglisë, transmetimi mund të ndodhë për rreth dy muaj në vit.Të dhënat tregojnë se kjo sëmundje mund të përhapet në 29 vende të Europës. 

Analiza, e para që vlerëson plotësisht ndikimin e temperaturës në kohën e inkubacionit të virusit brenda mushkonjës tigër, zbuloi se kufiri minimal i transmetimit është 13–14 gradë Celsius. Kjo është rreth 2.5 gradë më pak nga sa mendohej më parë, një diferencë që studiuesit e quajtën tronditëse.

Virusi u zbulua për herë të parë në vitin 1952 në Tanzani dhe për dekada ishte i kufizuar në rajonet tropikale, ku regjistrohen miliona raste çdo vit. Sëmundja shkakton temperaturë dhe dhimbje të forta në kyçe që mund të zgjasin për muaj apo vite. Tek fëmijët e vegjël dhe të moshuarit mund të jetë edhe fatale.

Në vitin 2025, Franca dhe Italia u përballën me shpërthime të mëdha me qindra raste. Deri një vit më parë, Franca kishte regjistruar rreth 30 raste në një dekadë, ndërsa vetëm vitin e kaluar numri kaloi mbi 800. Shumë prej rasteve u lidhën me udhëtarë që u kthyen nga territore franceze tropikale.

Shkencëtarët paralajmërojnë se Europa po ngrohet pothuajse dyfish më shpejt se mesatarja globale dhe se zgjerimi drejt veriut është çështje kohe. Mushkonja tigër, që pickon gjatë ditës, po lëviz gjithnjë e më në veri dhe është zbuluar edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndonëse ende nuk është vendosur përfundimisht atje.

Deri tani, dimrat e ftohtë kanë ndalur përhapjen nga një vit në tjetrin. Por në jug të Europës po shfaqet aktivitet i mushkonjës gjatë gjithë vitit, çka mund të çojë në shpërthime më të mëdha. Në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka pasur ende transmetim lokal, por vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025 u regjistruan 73 raste tek persona që ishin infektuar jashtë vendit, gati trefish më shumë se një vit më parë.

Ekspertët thonë se mbrojtja më e mirë mbetet shmangia e pickimeve, pasi vaksinat janë të kushtueshme. Rrobat e gjata me ngjyra të çelëta, solucionet kundër insekteve dhe eliminimi i ujërave të ndenjura ku shumohen mushkonjat janë masat kryesore për të frenuar përhapjen.