KORCE- Me duartrokitje është pritur nga publiku musical-i “Katedralja” në skenën e teatrit të Korçës. Emra të njohur të skenës si Gerald Murrja, Amri Hasanlliu, Arsi Bako, Mateus Frroku, Donald Shehu etj interpretuan vokalisht dhe artistikisht veprën romantike me famë botërore.

Për regjisorin e ri Xhuliano Brisku shfaqja ishtë një cmenduri e madhe për tu vënë në skenë për shkak të vështirësisë dhe skenës së vogël.

“Në fakt ishte një çmenduri shumë e madhe ta vendosja në një skenë kaq të vogël, krahasuar me skenat ku është realizuar kjo vepër në botë. Është një kryevepër dhe një sfidë për të gjithë. Katedralja e Parisit dhe Korça kanë shumë të përbashkëta. Ideja ishte që Korça është Parisi i vogël dhe pse jo, të sillnim ‘Katedralen’ këtu. Vetë gjinia e musical-it është shumë e vështirë, sepse përmbledh muzikën, aktrimin, baletin dhe disiplinat e tjera artistike”, u shpreh regjisori.

Tenori Gerald Murraj, në rolin e kapitenit Febys, foli për vështirësitë e realizimit të veprës, duke theksuar se për herë të parë, përveç këndimit, interpretonte edhe në aktrim.

“Besoj se në Korçë ky është musical-i i parë që vihet në skenë. Për mua ishte një sfidë e madhe, pasi jam solist i Teatrit të Operës dhe Baletit. Në opera është ndryshe, sepse nuk përdoren mikrofonë, ndërsa në musical ato janë të domosdoshme”, tha tenori.

Një nga rolet më të vështira, Esmeralda, u interpretua nga Arsi Bako, e cila shprehet se përjetoi emocione të veçanta gjatë shfaqjes.

“Ishte një eksperiencë komplet ndryshe nga gjithçka që kam bërë deri tani. Unë këndoj, por bashkimi i këndimit me aktrimin dhe kërcimin ishte një sfidë e madhe, që shpresoj ta kem përballuar me sukses”, u shpreh Bako.

Ndërsa për aktorin Amri Hasanlliu, roli i Kuazimodos solli vështirësi të shumta fizike dhe psikologjike, duke e konsideruar atë si një nga rolet më të vështira të karrierës së tij.

“Nuk ka vetëm një personazh kryesor. Esmeralda është boshti që i vë të gjithë në lëvizje. Pa të, nuk do të kishte as Kuazimodo, as priftin, as kapitenin. Janë role që nuk funksionojnë pa njëri-tjetrin”, tha Hasanlliu.

Muzikali “Katedralja” do të shfaqet në Teatrin e Korçës për dy netë radhazi.