Musine Kokalari në letrat me
Lasgushin: I çmoj kritikët e mi…

Musine Kokalari në letrat me<br />Lasgushin: I çmoj kritikët e mi…
Pas pak ditësh është 100-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, femra dhe intelektualja emblemë e shoqërisë shqiptare, që i rezistoi me kurajë e guxim regjimit komunist dhe nuk i braktisi kurrë idetë dhe bindjet e saj deri ditën që vdiq, në një kënd të trishtë të atdheut të saj zhytur në mjerim e izolim total me 13 gusht 1983.

Periudha me më shumë dritë e jetës së saj është padyshim koha e studimeve në Itali, kur Musineja krijoi dhe botoi një pjesë të veprës së saj kërkimore, publicistike e letrare. E kesaj periudhe është edhe vepra e saj e parë “Siç më thotë nënua plakë” e botuar në vitin 1939.  Në fund të viteve’30-të, ndërsa ajo ishte prezente edhe me artikuj të tjerë në shtypin e Tiranës, mendimet e një femre mendjehapur e të emancipuar si ajo, nuk mirëpriteshin prej të gjithë lexuesve, një pjesë e mirë e tyre konservatorë e kundërshtarë të ideve që Kokalari përcillte me shkrimet e saj.

Por ajo ishte aq pozitive dhe e kulturuar sa shihte vlera dhe tek ata që e kritikonin dhe sulmonin. Për mendimet dhe ndjesitë e saj, por edhe për punët me të cilat ajo po merrej në fund të viteve’30-të, mësojmë nga një korrespodencë shumë e veçantë mes saj dhe poetit Lasgush Poradeci.

Korrespodenca, e vënë në dispozicion nga vajza e poetit, Marie Gusho, përveç letrës së parë është kryesisht e verës së vitit 1940. Në të, veç disa porosive e punëve personale mes saj dhe poetit, spikatin mendimet e saj mbi njerëzit që e kritikojnë opinionin dhe qëndrimin e saj intelektual. Letrat e shkëmbyera mes tyre (gjashtë gjithsej, ku e para dhe  fundit shkruhen nga Kokalari dhe katër të tjerat nga Lasgushi) zbulojnë shumë detaje interesante nga miqësia mes tyre dhe mendimet që shkëmbejnë mes tyre.

Veç kësaj korrespodence sjellim për lexuesit edhe një shënim kritik që Lasgushi kishte shkruar për librin e parë të Musine Kokalarit “Siç më thotë nënua plakë”.
 
Musine Kokalari Tiranë, më 23-3-37, I ndershmi Zoti Lasgush,
Me prurësin e kësaj letre po ju dërgoj dorëshkrimin t’uaj që përmban: Gjaja e Malsorëvet dhe Miku dhe, në bazë të bisedimit që patëm me Zoti Sherko ju lutem të përkëtheni në gjermanisht këngën që këndojnë gjatarët. Gjithashtu ju lutem të përkëtheni edhe këngën që ësht në fund të “Si vdiq Selman Todorusha”. Këtu poshtë po ju rjeshtoj të katër vargjet që janë në tekstin që jam detyruar t’a mbaj akoma:
U-tund mali, u tund fusha,
U-vra Selman Todorusha.
Katër xhika Zeliha
S’janë vark në dynja;
(vazhdimin e keni ju)
Gjithashtu ju lutem të më bëni të ditur, po të jet e mundur me prurësin e kësaj letre, se s’i mund t’a përkëthejmë fjalën aga. (Selman aga).
Me shumë të fala M.Kokalari
P.S. Nesër përkëthimet e mija të prozës do të jenë të gjitha gati.
  
Zonjushës Musine Kokalari, Via Garfagnano 8 int 12
Romë
Tiranë, më 6 Qershor 1940
Fort e nderuara zonjushë,
Po marr lejë t’Ju them të kini mirësinë të mirni prej Zotit Giovanni Baldaçi, inspektor i studentëve shqiptarë në Romë, via Cavour 191, teserën dhe libretin e s’ime shoqeje Nafije Mema e cila pas martesës mban mbiemrin t’im Gusho.
Ju lutem veçanërisht të bëni mundimin shumë të math të marrjes së nënshkrimeve për mos t’a humbur Nafija vitin akademik 1939-1940.
Këtë lutje më dha kuximin t’Ja-u bëj admirimi im nga zemra për veprën t’Uaj, për disa shënime mi të cilën i-a shpreva dëshirën t’ime, të më bëni përsonalisht, dy prej vëllezërve t’Uaj. Zoti Mumtaz më tha atëhere se nuk ishit në Tiranë, se kishit shkuar prapë në Romë, se do t’Ju thotë “kur të vijë tashi për Krishtlindje”. Nuk di në arthtë vitin e kaluar për pushimet e Krishtlindjes, mi një vepër letrare nuk është kurrë von që të shkruhet.
Pranoni nderimet dhe falenderimet e mija mirënjohëse që përpara.
Juaji Dr Lasgush Poradeci
Profesor në Liceun e Shtetit
Tiranë
 
Zonjushës Musine Kokalari, Via Garfagnano 8 int 12
Romë
Tiranë, 8 Korrik 1940.
Shumë e nderuar zonjushë kolege,
Ju falen nderit për pritjen e lutjes s’ime dhe kujdesin e menjëhershëm që më rrëfyet. Këtë po e marr vesh vetëm prej letrës s’Uaj të 1 Korrikut, përveç së cilës s’më ka rënë tjetër në dorë. Dhe më vjen keq si nuk më qënka dorëzuar edhe ajo e datës 12 Prill që më shkruani.
Me të vërtetë Zoti Baldaçi më dërgoj dëftesat kryesore të regjistrimit, dyke mbetur disa formalitete të vogëla për t’u plotësuar pak më pas.
Ju lutem të kini mirësinë të më shënoni listën e plotë, pa asnjë mungesë, të lëndëve të nevojshme për provimet e vitit të parë. Janë këto lëndë vetëm libra të shtypura, apo dhe në formë tjetër? Dhe të më caktoni çmimet e tyre të tanishme si dhe ku gjinden ose ku mund të prokurohen. Në ç’muaj të Vjeshtës dhe nër cilat ditë jipen provimet?
Për këtë Ju lutem nga gjithë zemra ime.
Nga tërë ç’më shkruani më pëlqen më shumë fjala që jini gati “për çdo bisedë letrare”, kisha dëshirën t’Ju pyes rreth disa pikave po siç munguat ahere jini dyke munguar dhe tashi dhe kështu në një revistë të kryeqytetit po del fatkeqësisht pa dritën e atyre shpiegimeve një shënim i im i vogël mi librën t’Uaj.
Nafija u gëzua kur i-a dhashë të falat të cilat i a u kthen me anën t’ime. Ajo më flet shpesh herë për Juve - për karakterin t’Uaj prej vajze shqiptare. Këtë Shtator do bëjmë përpara njerëzve bashkimin t’onë të bërë vjet në Qershor para Zotit.
Juaji me nderime të çquara kolegjiale Lasgush Poradeci
 
Zonjushës Musine Kokalari, Via Garfagnano 8 int 12
Romë
18 Korrik 1940.
E nderuara dhe e ndritur zonjushë,
Mbesoj se do t’a kini marë letrën t’ime të fundit, prej saj kuptuat brengën që kam gjer të ve në udhë çështjen e provimeve.
Sot po Ju lutem të më ndjeni për këtë çqetësim të ri. Besimi që kam ne mirësija e zemrës s’Uaj më bën t’Ju sillëm kësisoj dhe këtë m’a jep ndjenja se më jini shoqe e shkrimit.
Ju lutem të bëni edhe një herë mundimin dhe të blini e të m’i dërgoni librat si dhe dispensat e vitit të parë universitar 1939-1940) për magjisterin në pedagogji dhe filozofi. Të më shkruani njëkohësisht (në është e mundur) dhe kur, në ç’muaj e ç’datë bëhet kërkesa për të dhënë provimet e sesionit të Vjeshtës 1940. Këtu mbyllur po Ju dëgoj një çek prej -25- frëngash shqiptare për çmimin e librave dhe të dispensave.
Nuk mund t’Ju them me shkrim mirënjohjen t’ime për shërbimet t’Uaja fisnike, vete me shpresë se do të kem nderin t’Ju shoh një herë në kryeqytet.
Juaji me falenderime nga zemra ime
Lasgush Poradeci
 
Zonjushës Musine Kokalari, Via Garfagnano 8 int 12
Romë
Tiranë, më 24 Korrik 1940
Fort e ndritur dhe e dashur zonjushë,
Përgjigja Juaj më gëzoj shumë, ardhi shpejt siç e dëshironja dhe e kisha mendimin. Sapo e mora vajta në Durrës ta pyes Nafijen, ajo sgjodhi anglishten dhe më tha t’Ju shkruaj dhe të falat e saj. Mirë kini vënë istori në vend të latinishtes, për degën e pedagogjisë, edhe lëndët e tjera mirë janë vënë. Kështu Ju lutem të m’i dërgoni librat dhe dispensat, vetëm që nuk e di në Ju mjaftojnë të hollat, mua më thanë 20 fr, unë i bëra 25. Mos harroni të më shënoni mungesën.
Kur Ju shkrojta letrën e parë disa veta në kopshtin e Kursal-it, nuk Ju pranonin, i kundërshtova siç mendoja vetë, i-u bëri përshtypje kur muar vesh se ato mendime po botohen. Dje ishim në një mbledhje letrare edhe me ministrin e arësimit, Ernest Koliqi. Ra fjala për Juve, Koliqi foli mire, e dëgjuan dhe disa nga ata “mospranonjësit”. Një koleg i tha për recenzimin tim, Koliqit i ardhi mirë.
Pranoni të falat dhe mirënjohjet e mija nga zemra.
Juaji Lasgush
  
Romë, 30 korrik 1940, I ndershmi Zoti Lasgush,

Pas letrës së fundit që mora këto ditë dhe në bazë të degës së zgjedhur Nafijes i bleva librat dhe dispensat e duhura.
Të shtunën në mëngjes libra shitësi postoi paketën. Duke marë parasysh se Tirana është e vogël dhe njihen njerëzit jam e qetë se pakua do të vijë edhe duke pasur adresën e shtëpisë gabim. Në vënd të 34 vuri 54. Ishte vonë kur e mora vesh. Sidoqoftë më lajmëroni marjen, mbasi dua të dal nga meraku.
Ju falem nderit shumë për mendimet e mira dhe për përkrahjen që tregoni për mua. Në çdo gjë sundon pjesa e mirë dhe e keqe. Një gjë e tillë ndodh edhe në mendime. Si thoni dhe vetë janë disa që më pranojnë dhe disa jo. Gjith se kush ka arësyet e veta sipas mënyrës që shikon shkrimet.
Kjo gjë më gëzon shumë sepse mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri siç e dini dhe vetë rallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Zakonisht për të mos prishur qejfin e njerit e tjetrit, çdo gjë që botohet kritikohet jo në bazë të veprës, po të personit që shkruan duke i shtuar një barë lavdime. Letërsisë s’onë që sot po bje poshtë ose po humbet dal-nga-dal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka patur as rymë as kundërshtim mendimesh.
Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj positives.
Më lejoni të mbaroj me kaq.
Nafijes shumë të fala.
Me respekt Musine Kokalari
 
Musine Kokalari, siç më thotë nënua plakë[1]
Është një dhuratë e thjeshtë që na jep zonjusha Kokalari, sapo e dalë nga bankat e Institutit të Tiranës. Sapo e dalë. Sepse vepra në vetëvete paraqitet jo si një provë shkollore e klasave të larta, jo si një shëmbëll zotësije, si një hartim që ka fituar çmimin e parë, - ajo përmban së-kundrazi mê pak dhe mê shumë se kaq. Mê pak sepse ka mungesat e veta, të papranuarshme në një konkurs letrar të nxënëseve të shkollës së mesme; mê shumë, sepse na çfaqet, me këtë përjashtim, nënë kushtin e domosdoshmë të artit që domethënë krijim.

Librëza e z-shës Kokalari është pra një krijim origjinal, dhe si i tillë meriton të heqë për një shënim vërrejtjen t’onë.

Krijim origjinal? Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë me fjalë të thjeshtë, të pangatërruar, me fjalë drejt për drejt siç është jeta vetë, se autoresha e këtyre skicave rastore e ka zënë jetën mu në mezin e saj, në momentin kritik që është momenti i math i çdo manifestimi të jetës njerëzore, që përmbleth edhe çfaq, në një pikë tërësije, gjithë kuptimin e vërtetë të jetës të çfaqur rastësisht. Zënia e jetës, kapja e menjëherëshme e saj në fond dhe në formë dhe çfaqja imediate, pa asnjë ndërmjetësim, me anën e artit, kjo është origjinalitet - origjinalitet letrar.

Nënë mprojtjen e kësaj cilësije, që është cilësija e parë e çdo vepre shkrimi për të dëfryer shpirtin, qëndron siç thamë libra e shkrimtares s’ onë. Ky karakter, cilësija e origjinalitetit të kapur shpejtazi dhe mu në thelb të zhvillimit psikologjik të jetës, sjell me vete dhe pikë-së-pari të metën e vet, si drita që sjell pàs hijen. Përshtypja e efektit kryesor i ka mënjanuar hollësirat rrethonjëse, që janë siç kuptohet vetvetiu hollësira forme, çështje trajtimi të përjashtëm, kujdes me durim i gjithë atyre ndërtimeve, drejtpeshimeve dhe kundërpeshimeve të fjalës dhe të frazës, të cilave nuk i-a-u vuri dhe aq shumë veshin në shkollë, për hir të punës kryesore: origjinalitetit.

Dhe kështu vijmë tashi në gjënë që na intereson mê shumë për këtë shënim, në meritat artistike të shkrimtares së re shqiptare. Ato janë një virtut i pamohuarshëm i saj, ku mund të kënaqet me të vërtet nevoja jonë për një shijim estetik të plotshëm, ku gjejmë, si në bërthamë, premtimin e heshtur të shvillimit të mëpastajmë të atyreve që ajo mundet të na japë në kohën e duhur.

Me sa vërrejtje të përpiktë, plot gjallësi dhe plot freskësi, janë zënë këto miniatura të Musine Kokalares! Të thuash, si të kish këputur një copë të gjallë të jetës, një pjesë që rron më vetëvete gjithë jetën e organizmit shoqëror, një fragment që përfaqëson origjinalin dyke e përmbledhur. Janë skica këto, me një intuim psikologjik të math. Ato s’ venë, siç do t’ i detyronte lloji i tyre, rrugës në gjërësi.

Nuk çikin, nuk prekin vetëm. Nuk i afrohen sipërfaqes vetëm, për t’ a relevuar me një ngjyrë të lehtë, me një efekt pamjeje të çasit. Nuk përdorin frymën, as humorin, as ironinë ose sarkazmin e tharbët, të shkurtër, të një lloji letrar me qëllim dhe ekspresivitet të përcipshëm siç janë skicat nga natura e tyre. Nuk mbajnë, me fjalë të tjera, distancën subiektive të autorit kundrejt motivit që trajtojnë. Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik. Me-njëherë, ajo bashkëjeton me atë që na rrëfen. Nuk tall as nuk qesh përciptas, nuk vajton dyke spiritizuar. Situacioni komik i saj përmban një tragjedi, një tragjedizmë me të vërtet për të ardhur keq mi karakterin ose mi fatin, që është d h e  d e s t i n i  i njeriut, veçanërisht i njeriut - g r u a. Gruaja e l a g j e s - e dyerve dhe e portave, vizitonjësja e vatrës dhe oborit, fjalamania tradicionale që përfaqëson tipin e përbashkët dhe të përditshëm të intrigonjëses, të intrigantes, të asaj që bën intriga, që fut fitila, që shtje spica, që shan dhe heth në sherr dhe shtyn në ndarje - kjo: m ë h a l l a x h e s h a  shqiptare e pavdekur për gjithë herën dhe për gjithë kohën, përbën fondin e inspirimit të librës S i ç  m ë  t h o t ë  n ë n u a  p l a k ë. Epigon Mefistofeli femëror, Meduzë me gjarpërinjtë gati, ajo e ka për gjaku, prandaj di dhe përmbush mirë mjeshtërinë e saj. Ç’ bën ajo? - Atë që pat bërë, atë që do të bëjë: Fut fite andej, fut fite këndej, bjer e shpjer fjalë. Nga ato zënkat, zëniet, zihjet që përsëriten gjithnjë: Nga to e ma ta to, siç e ka fiksuar mirë me shprehjen e përshtatur zonjusha Musine Kokalari.

Dhe të gjitha këto në një stil origjinal, në një stil të saj, të çfaqur për së pari me kaq përmbledhje në letrat t’ona. Cilësija e tij është natura e tij. Dyke trajtuar një motiv çkëlqimërisht popullor, ay mban, përmban me paramendim, me paravendim, këtë karakter, që është karakteri primordial i vet: popullorësija. Sikundër janë marë, desha të them janë rrëmbyer, nga zemra popullore motivet e këtyre skicave kaq të hijshme, ashtu është marë dhe rrëmbyer nga goja popullore fjala që i vesh, robja e paraqitjes së tyre përpara lëçitësit.

Vetëm origjinalitet, vetëm popullorësi. Janë fjalë ekspresive, fjalë të urta, proverbe të vendosura, shprehje popullore, mënyra thënieje dhe foljeje, përgëzime, përvajtime, mallkime, urime, gjithë një thesar frazeologjije së gjallë, të marë drejt për drejt, si të këputur, si të çkëputur nga fryma dhe kraharori i atij që flet dhe të cilat përbëjnë kësisoj gjuhën dhe stilin e Kokalares.

Një përshkrim i gjallë, realist, dhe një rrëfim i freskët, plot ngjyrë, plot shije, i nxjerë krejt dhe befas nga momenti natural i burimit të tij: “Në këtë kohë dolli te porta teto Shekua, plakë cite mënt, e urtë që nuk ka shoqe, q’e dëgjojnë të mëdhenj e të vegjël: ju preftë Zoti ditën! si s’keni turp fare nga bota! moj nuk shikoni se si janë mbledhur dhe ju dëgjojnë se ç’thoni” (P ë r  m u s t a q e t  e  Ç e l o s, f. 15). Më duket akoma në si[2], sikur e gjej përpara të shkretën plakë; dhe kur e pyetja se ku vente: ja, thoshte, vete një çikë tek Mukadesi, s’e kam ditë pa parë, i shpie dhe një çikë gjë se s’na zihet t’a hamë vetë si mua ashtu dhe plakut; me zi e kemi, atë vështrojmë në si” (B u r r i  s h o k u  i  q e n i t, f. 19). Ajo moj Aishe, ajo që s’ t’a zë sinë[3]. Është thingjill i mbuluar, mësallë me di[4] faqe, shpon ndënë dhè. Pa... pa, s’ ke parë bushtër si ajo, nuk ka shoqe. Moj të keqen, se ku i gjen gjithë ato rena nuk di, pastaj se si i ndreq e i thotë... aqë të bën t’i besoç një-me-një. Gjë s’lë pa trazuar, vënd s’lë pa futur turitë. Dal, kthehem në darkë- na! Kështu e gjej sepetin [të trazuar]. S’lë haps e buqice[5] pa ndrequr. Në të mbaruar e sipër më heth një herë sitë[6], si e ka zakon, dhe më thotë: ej, hë! m’i vure dorë djalit sot? u bëre dhe ti të na kreç inatet kështu? e di ç’të bëj? që të këput kokën- trak, si të pulës! që të marr shpirtin të gjallë! që të marr frimën mu atje ku je! (Ë s h t ë  e  t h e l l ë, f. 26, 29). “Ç’e do, kush m’ a prishi punën e vajzës s’ ime mos pastë h a i r  në shtëpi, i rëntë së mirës me këmbë, mos e trettë balta, e gjeftë nga mos e pandeftë. (P a ç  f a t i n  e  s ë  l i g a v e t, f. 26). Ç’e do, kush ma prishi punën e vajzës s’ime mos pastë hair në shtëpi, i rëntë së mirës me këmbë, mos e trettë balta, e gjeftë nga mos e pandeftë  (U d h ë n  e  m b a r ë  p a s t ë, f. 45).

Ç’duhet përfunduar prej kësaj veprëze pa pretendime, prej kësaj prove shkrimi femëror shqiptar? Art domethënë realizim dhe ne nxjerim përfundimin e realizimeve të shkrimtares. Dyke lënë mënjanë të metat, pa rëndësi, të limosjes së gjuhës dhe të frazës, të cilat ajo, si k l a s i k e që janë, i pat lënë njëherë e përgjithnjë në k l a s ë n  e shkollës, ne i falemi nderit me gjith zemër për paraqitjen letrare të këtyre subiekteve të neveritura, veçanërisht për stilin e ri, substancial, që i-u ka përshtatur me aq vërrejtje shpirtërore dhe që është në gjithë kuptimin e fjalës shënja e një talenti të pamohuarshëm. Vazhdimi në këtë drejtim duhet të na japë masën e përsosjes së saj.
 

[1] Botuar te “Bota e re”, e përjavëshme politike e letrare, Tiranë, 30 Korrik 1930, f.5.
[2] sy
[3] synë
[4] dy
[5] bravë
[6] sytë

dosier lasgush

dosier lasgush

dosier lasgush
Lasgush Poradeci me bashkeshorten

dosier lasgush
Musine Kokalari

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale