PRISHTINË - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafës, ka vlerësuar faktin që ministri nga radhët e komunitetit serb Aleksandër Jabllanoviq, ka tërhequr fjalët, pasi i konsideroi dy ditë më parë protestuesit në Gjakovë "egërsira".
Sipas KosovaPress, kreu i ekzekutivit theksoi se askush nuk guxon të quajë qytetarët egërsira, pavarësisht mendimit të tyre të drejtë apo të padrejtë.
"Unë dëgjova sot një reagim të ministrit se ai në një formë është tërhequr nga ato që ka thënë, sepse nuk ka pasur informata të mjaftueshme dhe s'e ka menduar atë që ka thënë. Më vjen mirë që ai vetë është tërhequr, sepse nuk guxon të quhen të egër njerëzit të cilët shprehin mendimet e tyre, nëse është e arsyeshme apo nuk është. Unë mendoj se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin, veçmas nga ata që janë përgjegjës të pozitave publike dhe do të kujdesemi që maksimalisht të përmbahemi nga kjo", tha Mustafa.
Të mërkurën Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq i quajti egërsira protestuesit në Gjakovë, të cilët nuk kanë lënë një autobus me serbë që të futën në kishën e këtij qyteti për të kryer ritet fetare për Krishtlindjen ortodokse.
Ndërkohë, në kundërshtim të deklaratave të Jabllanoviqit, nesër në Gjakovë do të mbahet edhe një protestë, duke filluar nga ora 14:00./ATSH/