Mustafa: Austria, partner i rëndësishëm i Kosovës në rrugën evropiane


PRISHTINE, 3 Nëntor /ATSH/.- Austria është partner i rëndësishëm i Kosovës në rrugën evropiane, tha sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa, në takim me ambasadorin e ri austriak në Prishtinë, Gernot Pfandler.
Kryeministri Mustafa, gjatë takimit me ambasadorin Pfandler, shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që Austria ka dhënë dhe po vazhdon të japë për Kosovën, duke veçuar mbështetjen në proceset integruese evropiane.
Gjithashtu, kryeministri Mustafa foli për rëndësinë e nënshkrimit dhe ratifikimit të MSA-së, duke theksuar se Kosova tashmë pret edhe vendimin për liberalizimin e vizave, si një hap të rëndësishëm që i destinohet qytetarëve të Kosovës. "MSA-ja është një pikënisje e re dhe e arritur shumë e madhe që krijon shumë fusha të bashkëpunimit me vendet e BE-së në ekonomi, marrëdhënie tregtare, krijon mundësi për zhvillim të demokracisë dhe të shtetit ligjor, si dhe hap një perspektivë të re për Kosovën në të gjitha fushat", tha Mustafa.
Mustafa, po ashtu, ka vlerësuar lartë vizitën e presidentit të Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, javën e kaluar, së bashku me një delegacion të bizneseve austriake, duke shprehur vullnetin e qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Austrinë, në veçanti në ekonomi.
Ndërsa ambasadori i Republikës së Austrisë, Gernot Pfandler, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtejshme të Austrisë në proceset integruese evropiane, për anëtarësim në UNESCO dhe proceset tjera, si dhe shprehu përkushtimin e Austrisë për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, duke e konsideruar nënshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së një hap që krijon impulse të reja në këtë drejtim
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Forcat e armatosura ukrainase janë gati për një sulm të ri në Kursk