PRISHTINË, 8 Janar/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa vizitoi sot Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku u prit nga ministri, Skender Hyseni.
Ministri Hyseni e informoi kryeministrin Mustafa me prioritetet dhe objektivat strategjike t? Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht për pjesën e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe për plotësimin e të gjitha obligimeve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Kryeministri Mustafa shprehu përkrahjen e tij për angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sundimin e rendit dhe të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të përkrahë MPB-në në arritjen e të gjitha objektivave të saj.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit u zotuan se do të punojnë me përkushtim në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në mënyrë që ata të jenë të sigurt në vendin e tyre, bëri të ditur Ministria e Brendshme në njoftimin e dërguar./b.j//m.m/











