Mustafa Kruja: Ja pse Fan Noli
dështoi si shteta

Mustafa Kruja: Ja pse Fan Noli<br />dështoi si shteta
Pjesa e fundit e dorëshkrimit historik/ Kruja: Gabimet e gjashtë muajve qeverisje nga fan Noli. E mira e madhe e tij për atdheun ishte shërbimi në krye të kishës ortodokse shqiptare

Plumbat e revoles së Beqir Valterit, bashkvêndës i viktimës së shënueme dhe student në nji shkollë t’Evropës me nji bursë të blatueme prej këtij, s’e kapën mirë kryeministrin. Shpëtoi me ndonjë plagë të lehtë. E ndërsa ai mjekohej në shtëpi të vet, kolegët e tij s’patën mâ guxim me vazhduem në funksionet e tyne ase nuk e panë me vênd qi të pritshin shërimin e të plaguemit. Ky dha vetë dorhjekjen për gjithë kabinetin simbas rregullores kostitucionale e u formue nji qeverí tjetër nën kryesín’ e Shefqet Vërlacit po prej së njâjtës shumicë parlamentare.

Valteri, i torturuem, kallzon për Avniun. Mbas pak kohe ky vritet. Dorasi qe nji farë Isuf Reçit nga Tirana. Ishte nji kriminel i këputun. Motmot e gjymsë mâ parë i qe ofruem nji kundërshtari politik të Zogut për me vramë këtê për katërqind napoljona e qe dëbuem si qen. Opozita e shfrytoi deri në fund gjakun e Avniut. Të gjithë tok, opozitarët u nisën për në Vlonë tue shpallë se në Tiranë s’kishte mâ as sigurí jetet. Por shkaku e qëllim’i vërtetë ishte me përgatitun nji kryengritje kundra Zogut. Qevería qe paralizuem kryekëput. S’ishte mâ e zonja me marrë asnji masë kundra tundullueset. Posë qi krênët ishin të prûejtun prej imunitetit parlamentar, se ishin misa të Kuvêndit Kushtetues, vras’e Avni Rustemit kishte tronditun e egërsuem krejt nacjonalizmën shqiptare e qevería s’kishte guxim me vûmë dorë në kurrkênd.

Opozita ishte bâmë tym e flakë, e të mbërrîmen në Vlonë desh me i qitun kushtrimin gjithë popullit e forcave t’armatosuna të Shtetit. Por në gjî të saj gjîndej ndonji qi ishte i zoti me gjykuem me gjak të ftohtë e me peshuem të mirën edhe të keqen e nji pune t’atillë ku luente fati i kombit. Ky ishte Luigj Gurakuqi. I thellë n’arsyetime, psikolog e njohës i mirë i turmavet shqiptare si dhe i gjithë njerzvet qi kishte pasun rasë me u gjîndun në kontakt me ta, Gurakuqi s’pritte për Vêndin asnji përfundim të mbarë nga nji kryengritje n’ato rrethana. S’ishte ndonji punë e vështirë, mêndonte ai, me u shliruem prej Zogut për do kohë. Por, e mbasandaj ? Zogu kishte përmbrapa votat e shumicës së popullit qi e kishin konfirmuem për kryetar qeveríe.

E Gurakuqi nuk shihte e nuk besonte qi gjaku i Avni Rustemit t’i a kishte tronditun atij prestigjin e fituem gjatë katër vjetve të kalueme pranë turmavet popullore. Këto nuk i gjykojshin as nuk i ndjejshin do punë si patriotët intelektualë. Avni Rustemi kishte vramë, e i lumtë gishti, se kishte vramë nji fajtuer, o makar vetëm pse kishte qênë trim. Por malsori shqiptar ka ligjet e veta shekullore, qi i thonë “për faj gjaku s’jet pa u marrë” e se “edhe trimin e shpon plumbi”. Fjala ishte përhapun se Avniu qe vramë për gjak t’Esad Pashës, e shumkush do t’a besonte cilado t’ishte e vërteta.

Avniu kishte provokuem atentatin qi kishte shtruem kryeministrin në shtrat me plagë, e shqiptari thotë se âsht “mâ i keq gërgasi se dorasi”. Për të gjitha këto arsye, deputet’i Shkodrës mêndonte se vras’e Avni Rustemit nuk do t’a kishte cënuem thellë pozitën e Zogut në popull. Mb’anë tjetër, e tue qênë puna kështu, asnji ndër opozitarët me mênd në krye nuk besonte në nji kryengritje popullore. Gjithë shpresat e tyne mbështeteshin në nji rebelim t’ushtrísë. Por Gurakuqit s’i pëlqente me e bâmë ushtrínë vegël qëllimesh politike, tue vazhduem me metodat e Klikës, e aq mâ pak me bâmë protagoniste dramash revolucjonare. Nji arsye mâ tepër për atê politikan të hollë e patriot pa njollë ishte dhe fakti qi në krye t’ushtrís ndodheshin aso kohe dy kolonela secili mâ i pazoti se shoqi, të cilët sihurisht do t’a kishin tânë qeverín në dorë.

Summa summarum, Gurakuqi ishte i bindun qi me këto kushte e këto elementet e tjera, nji lëvizje revolucionare, edhe tue mbaruem në fillim me sukses të plotë, në fund të fundit do të dilte me dâm, sepse para se rênd’i ri  i dalë prej saj të ketë kohë e mundsí me u shestuem definitivisht, Zogu do t’ishte kthyem përsëri në fuqí e mâ i fortë sesa ishte. Por zâni i këtij t’urti qe nji predikim në shkretinë. Kurrkush s’pat veshë me e ndëgjuem e kushtrimi u dha në të katër anët.

Dhe Luigj Gurakuqi, i dëshpruem e kundra vullnetit të vet, s’mûndi me u damë shokësh. U nis për Shkodër për me i dhânë prej asaj ane ndihmesën e vet nji lëvizjeje qi s’kishte dashun e qi muer emnin “Lëvizj’e Qershorit” nga mueji i vjetës 1924 në të cilin po bâhej. Populli, në pjesën dërmuese të tij, tregoi mâ të plotën apatí kundrejt saj. Por të dy grupet e ushtrisë, i jugës me kol. Kasem Qafzezin në krye, dhe i Veriut me kol. Rexhep Shalën për komandar, u nisën për Tiranë, tue kaluem kudo përpara sŷvet të habitun të popullatave të mërzituna nga politikanët e tundullimet  politike të padame : ato dojshin vetëm qetsí e punë, dhe ishin gati me pritun me krahë hapët çdo qeverí qi t’u siguronte këto dý sênde vitale për nji popull. Por ende s’e kishin pamë qartas se kush mûnd t’ishte ai qi mûnd t’ua jepte, e kishin hûmbun besimin në të gjithë e tash do t’a hûmbshin edhe mâ tepër.

     Zogu ishte ende i pamëkâmbun mirë e prandêj nuk mûndi me bâmë nji qëndresë personale tue thërritun forca civile, as nga Matja, vêndi i tij. Qevería e Vërlacit e humbi pushtetin e besimin e vet ndaj forcat e sigurimit qysh atë çast qi u rebelue ushtría, e cila hŷni në Tiranë.... ngadhnjyese pa pushkë të shtime. Zogu, me pak besnikë të vet u nis për udhë kah Dibra e gjet strehë në Jugosllaví me gzim të madh t’asaj qeveríe.

     “Lëvizja e Qershorit” puell regjimin e Fan Nolit. Shqiptar i lemë, i rritun e i stërvitun përjashta Shqiníjet, Noli e ka dashun atdheun e kombin e vet sigurisht me gjithë zêmër e pa asnji interes personal dhe pa e pasë pamë kurrë me sŷ deri ditën qi vot e u bâ deputet i Korçës në të parin parlament shqiptar në 1920. Ishte aso here burrë i pjekun e i formuem me nji kulturë të gjânë perëndimore, plot 40 vjetsh. Lemë nga nji familje ortodokse në nji fshat shqiptarësh, Ibrik-Tepé, të mërguem kamot atje në guvernatoratin otoman t’Edrenesë, edukuem për prift ortodoks ndër shkolla greke, gjithçka, posë gjakut atnuer e gjuhës âmnore, e shtynte me u bâmë, si shumë të tjerë në të njimêndat kushte, nji propagandist i helenizmës.

Por ai jo ; ai ndëgjoi zânin e gjakut e të gjuhës dhe, përkundrazi, luftoi me të tânë energjinë e tij, me të tânë mjetet qi kishte në dorë, me gojë e me pêndë, kundra helenizmës gjithku kjo pretendonte me shuem shqiptarizmën. Kush e ka njohun Fan Nolin nuk mûnd të besojë qi ai ka qênë i grishun prej natyre të vet për prift. Por mbasi e shpunë rrethanat n’atë rrugë, misjoni i u duk i volitshëm për t’i shërbyem nji tjetër ideali gjithaqë të shênjtë, kombsís së vet. Ndër Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, ku e qiti fati edhe atê, kishte shumë shqiptarë ortodoksë të mërguem.

Këta faleshin ndër kisha greke, meshoheshin e predikoheshin greqisht. “Pse greqisht ndër kisha greke me priftën grekë ? nisi me mênduem vete me vete Theofani i ri e me ua bâmë këtë pyetje edhe kombshokve të tjerë me të cilët rrinte e flitte. “Pse jo shqip me gjuhën t’onë t’âmbël e të bukur ?” “S’ka priftën shqiptarë ? Po ja ku jam un ! S’na lên dhespoti, patriku grek ? Ç’punë kanë, ç’përzihen ata ndër punë qi s’u përkasin ? Mos vallë e ka folë Krishti ungjillin greqisht ? Mos e kanë shkruem apostujt greqishten ? Mâ parë e mâ dalë, vallë e kanë dijtun ata farë njiherë greqishten ?”  Kështu e filloi Fan Noli propagandën e kishës shqipe n’Amerikë, qi mbërrîni mâ në fund me u bâmë, po me zellin, mûndimin e zotsín e tij, Kisha autoqefale shqiptare, kryevepra  kombtare e atij burri.

E dijtun se për eprorët grekë të kishës ortodokse Fan Noli do të kishte mbetun gjithë jetën prift, në mos edhe prift i mallkuem. Prandêj i u desh t’a marrë  shugurimin për dhespot prej eprorësh të kishës ruse. Duen të thonë se s’ka asnji të keqe pa ndonji të mirë  dhe asnji të mirë pa ndonji të keqe : a thue mûnd të jetë edhe kujtimi i mirnjohës i shugullimit prej nji dhespoti rus njâni nga kushedi sa faktorë tjerë  të flirteve të mâvonshme qi, sidomos këto dhjetë vjet të fundit na e bânë Nolin t’onë gati të panjohshëm ?

     Fan Noli s’i ka shërbyem Shqipnís vetëm përmjet kishës e predikimevet kombtare. I ka shërbyem shumë fort edhe  përmjet  pêndës. Cilit shqiptar i asht dhânë deri sod  me lânë – por shpresojmë edhe mâ të tjera prej pêndës së tij – kaq vepra letrare, të përkthyeme e të shkrueme, sa Fan Noli ? Kombi shqiptar s’ka deri sod nji historí të veten, por ka nemose nji, të shkrueme prej këtij letrari të shquem, nji historí të mâ të shkëlqyeshmes periodë të jetës së vet, historín e Skënderbegut.

     Mjerisht, veç, si shtetist nuk mûnd të bâhet  asnji lavd për Fan Nolin. Gjashtë muej qeverí nën kryesín e tij na ka lânë kujtimet mâ të këqijat. E ishte dashun t’a njihshin shokët mâ t’afrit para se t’a vêjshin në krye të qeverís së Vêndit në nji kohë aq të vështirë. Por edhe këtu, si në Vlonë, s’u gjînd asnji tjetër posë Luigj Gurakuqit qi t’a kuptonte gjêndjen e t’a thonte haptazi, edhe ndër sŷ të Fan Nolit vetë : qi ky s’ishte për kryetar qeveríje, se nuk e njihte aspak Shqipnínë e Shqipníja atê. Mbasi dý dikasteret mâ të rândsishmet, ai i mbrêndshmi dhe ai i luftës, do t’u gjîndshin ndër duer të dý kufomave  ambulante, si Rexhep Shala e Kasem Qafzezi qi fati i keq i Shqipnis i kishte çuem mâ parë mbë krye t’ushtrisë e tash po i sillte ndër vênde përgjegjsíje kombtare, Gurakuqi ngulte kâmbë qi nemose përmbi ta të vêhet nji kryeministër i gjallë, me të gjitha virtutet e mêndjes e të shpirtit, i zoti me e bâmë natën ditë si Qazim Koculi.

Por jo, Gurakuqi as këtu s’ u ndëgjue. Nuk u ndëgjue sepse të tânë gati, sa ishin rreth Fan Nolit, rrojshin në tjetër botë, në republikën e Utopisë. Vetë Fan Noli s’ka qênë kurrë ambicioz, por vetëm nji  temperament i paqëndrueshëm e i lëshuem mbas çdo rryme qi të dinte me i folë fjalë  naltushtuese e të përshtatshme fantazivet të tija utopiste. Ishin miq me Gurakuqin e objeksjonet e këtij kundra emnimit të tij për kryetar s’i a ka marrë kurrë për të keq. Qe nji provë e modestisë e bujarisë së tij : nja motmot e sa mâ vonë, Gurakuqi ishte vramë në mërgim dhe Fan Noli gjîndej po i larguem prej atdheut. Nji shpirt i zi shqiptari, zêmra e të cilit s’kishte  dijtun kurrë  me dashtun kênd sinqerisht posë vetes së vet, e pat padijtun në nji fletore shqipe se s’kishte qênë tjetër në Tiranë veçse nji vegël e Gurakuqit. E si i përgjigjet Fan Noli ?

“Nuk besoj, shkruen, por edhe në qofsha bâmë ndonji herë  pa dijtun  vegël e atij burri e patrioti të madh, e kam për nder !” I citojmë këto fjalë ad sensum  , siç na kanë mbetun ndër mênd,  se nuk e kemi tekstin para sŷshë.

     Nja nji javë dit si pat hŷmë ushtría revolucjonare në Tiranë e disa qinda civilash me tê a mbas saj nga Juga, rrugët e qytetit gjëmojshin nga brohorítë e manifestuesve entuziasta nga fitimi. Kryesisht djelmníj’e asaj kohe qi i ndyemi Avni Rustemi kishte organizuem në nji shoqní me emnin Bashkim. Në krye kishin FuadAsllanin, qi mâ vonë, në nji kabinet të rijsh, mbreti Zog e pat emnuem ministër të punve të jashtëme. Të rij ishin e, si gjithmonë e gjithkund të rijt kishin të drejtë me u gzuem për nji sukses t’idevet përparimtare, demokratike e popullore pa mênduem mâ gjatë. Por nji punë e keqe ndodhi prej anës së tyne : me përdorë në Tiranë kundra zogistavet vojin e trashë e do foshnjí tjera, sikurse kishin bâmë turmat fashiste nëpër qytetet e Italêsë afro dý vjet parandêj. Ndryshe, me gjithë anarkinë qi mbretnonte ato ditë, asnji e ligë nuk ndodhi në Tiranë as gati kurrkund në Shqipní prej ndryshimit qi u bâ.

     Me gjithë anarkinë qi mbretnonte ato ditë, thamë. Por e vërteta me pasë për t’a shquem krejt regjimin e Fan Nolit në historí me nji karakteristikë të vetme për të gjashtë muejt qi ka ngjatun, asnji tjetër. Mâ e saktë e mâ e shkëlqyeshme s’mûndet me qênë veçse anarkí, por me kuptimin gati krejt rrânjuer të fjalës ase, të themi, me kuptimin doktrinar të saj : mungesë thuajse absolute e çdo pushteti ! Kurrë s’ka gzuem shqiptari nji lirí aq të plotë, kurrë s’ka mûndun me bâmë verevërte gjithë ç’ka dashun vetë e mos me bâmë atê qi s’ka dashun. E megjithë këtê, kurrgjâ e keqe për me trazuem rândë qetsín’ e Vêndit nuk ndodhi. Arsyeja, e vetmja arsye e vyeshme ka qênë, mbas mêndimit t’em, pritja e gjithkujt se si po dahet belegu i mbrapëm ndërmjet Ahmet Zogut, qi ishte shtruem  në Beligrad tue pritun orën e vet, dhe Opozitës, qi ishte shtruem në Tiranë kush në nji mënyrë e kush në nji tjetër, simbas shijes së secilit.     

     Se si do të mbaronte ky beleg ndritte si vetë dielli ndër sŷtë të gjithkujt. Vetëm qeveritarët vetë bâjshin pallë me mênd. Për kryeministrin çdo gjâ ishte në rregull e për tê s’kishte mbetun tjetër me bâmë veçse, si poet e artist qi ishte, me stërholluem nji grimë mâ tepër fakultetet muzikore të tij. Nji trupë e vogël koristash rusë kishin ardhun për kryekishën ortodokse të Tiranës e vetë kryetari ushtrohej me i ramë fyellit. Mâ shumë gjindej në zyrën e tij kishtare se qeveritare. Këtu mundimet burokratike  i a hiqte shef’i kabinetit presidencial, studenti Sejfullah Malishova.

     Por pandërgjegjsía mâ flagrantja e gjêndjes shihej ke dy kolonelat. Rexhep Shala, për arsye intime të tij, mâ të shumtën rrinte në Shkodër se në Tiranë, ku për barrët e rânda politike e zavêndsonte ministri pa ministrí Xhemal beg Bushati e punët e zakonshme i kryente sekretar’i përgjithshëm Haki Tofiku, nji specialist i shkollës otomane aq i zoti, sa i u dukeshin mênt deri përmbi flokët e dêndun e të blondë. Tjetri kolonel kishte tjera kujdese, nji pjesë analoge me ato të kolegut të tij, pjesa tjetër ishte botilj’e shkretë, gati gjithmonë në shoqní të kândshme me miq e shpesh herë edhe me ahêng në shtëpi të vet.

     Luigj Gurakuqi, brênte veten tue kundruem këto skena, por ç’me bâmë s’kishte. Sëmundja e pashërueshme e natyrës së tij ka qênë kjo, qi s’donte a, mâ drejt me thânë, s’mûjte me prishun qejf me askênd, aq mâ pak me miq e shokë të vet, e kishte tepër frikë nga kritikat. Ishte kjo e metë e tij qi i pat frymzuem shumë mâ parë nji kundërshtari të pamëshirshëm me ngjallë për tê se ishte “miku i gjithë botës”. Kjo dobsí e bâni me marrë pjesë kundra bindjes e vullnetit të vet në Lëvizjen e n’atë qeverí e po kjo e ndalonte me u shkëputun soje.

E mbasi asnji rol politik s’ishte i zoti me luejtun n’atë gjêndje kaotike, qe vûmë me mish e me shpirt mbas shestimit të financavet të vorfna të Shqipnís e i a pat dalë me krijuem për të parën herë nji buxhet të barazuem në 14 miljon frâng ar. S’kishte ç’të bânte kurrkush, si nji mallkim për qiellësh kishte ramë mbi atë regjim. Deri mêndet mâ të kthiellta, si ajo e nji Fan Noli, e nji Luigj Gurakuqi, e nji Stavro Vinjau, energjitë mâ të fortat, si ajo e nji Qazim Koculi kishin ngrîmë kryekëput. Duhej realizëm e guxim për nji ndryshim radikal të shpejtë, porsa nuk mbet kurrkush mâ, mbas pak javësh, pa e kuptuem se nji qeverí e tillë ishte e dënueme me mbaruem për turp të të gjithëve. Shqipnía ishte tue bjerrë çdo kredí e konsideratë edhe përjashta.

Sulejman Delvina, ministër i jashtëm, ish burokrat otoman e për mâ tepër i ngrîmë deri në trû prej nji lëngate të padukshme qi i a shkurtoi jetën pak mâ vonë, s’ishte për atë vênd. Mussolini, tue drashun se Zogu do të kthehej në pushtet i lidhun kushedi me çfarë kushtesh me Beligradin, i pat ofruem Tiranës në konfidencë absolute nji marrveshtje të përnjihershme me Romën për t’a forcuem qeverín e Fan Nolit me armë e municion pa asnji shpërblim, me nji hua të bâme me anën e Lidhjes së Kombevet e, po të donte Shqipnía, nji aleancë mbrojtëse. Ndërmjetës për t’i a kumtuem Tiranës këtë proponim, i ngarkuemi me punë i Shqipnís në Romë Tefik Mborja, i cili niset menjiherë për kryeqytetin e vet.

E përsërisim, oferta e Romës ishte bâmë në konfidencë absolute deri ditën qi Tirana të kishte vêndosun me dhânë nji përgjigje. Por nuk shkuen 48 orë e fjalët muerën dheun. Mussolini pati durim deri sa u kthye Mborja në Romë, për t’i thâne, me anën e Contarini-t, sekretar i përgjithshëm i ministrís jashtme, se gjithshka kishte mbaruem, si mos me pasë qênë kurrë me qeverín’ e Fan Nolit. Erdhi, tekembrâmja marríja  mâ solemne : Fan Noli lidhi marredhâna diplomatike me Bashkimin Sovjetik, dhe Moska po përgatitej me hapun në Tiranë nji legatë qi do të kishte nji personel 40 nëpunsash ! Shtetet ballkanike, Italía e deri Anglía mbetën të habitun e t’alarmuem prej këtij lajmi.

     Asnji çudi, pra, qi ky regjim u tret si krypa n’ujë mbrênda pak ditësh përballë sulmit të Zogut me pak forca civile të komandueme prej disa ish oficerash caristë të rekrutuem në Jugosllaví. Zogu i nisi veprimet sulmuese gjatë tanë kufînit shqiptar – jugosllav aty ka gjymsa e dhetorit 1924. Pa dyshim, forcat e tij ishin përqëndruem n’atê vênd nga do të fillojshin sulmin, n’anën e Dibrës. Gjithkund gjeti gjatë kufînit krisma pushket e mitralozash s’ishte veçse manovër diversjonesh për të shtrënguem forcat qeveritare qi të shpërndaheshin grima-grima gjithkund.

Ato pak forca qi ishin, sa me thânë e sa me auktorizuem të mbajtunit mbë kâmbë të nji ministríje lufte për Kasem Qafzezen. Këto demostrata gjatë kufînit i bâjshin vetë rojet jugosllave, se kush ishte tue i kontrolluem ? Se mos do të kishte Shqipnía nji shërbim spiuníje e kundërspiuníje ? Qe mjaft madje qi Ali pashë Kolonja, ministri fuqiplotë i Shqipnís në Beligrad dijti me marrë vesht me kohë e me lajmuem Tiranën disa dit përpara se Zogu po përgatitej me mbësŷmë.

     E vetmja qëndresë qi gjetën forcat e Zogut prej anës së qeverísë, qe ajo e dibranvet qeveritarë nën komandën e Elez Isufit, ku mbet dekun edhe ky vetë bashkë me të nipin, Isuf Xhelilin. Andej e mbrapa, deri në Tiranë, asnji përpjekje për t’u përmêndun nuk ndodhi. Deri qafat e shkallët malore, si qafa e Murrizës e shkalla e Tujanit u kapërcyen prej forcavet sulmuese pa hjekun keq aspak e pa derdhun pikë gjaku ! Ato u futën në Tiranë më 23 dhetuer e nesret, natën e Krishtlindjevet, mbërrîni edhe vetë Zogu. Vlen me u shënuem se qeveritarët e kishin lânë Tiranën të marrmen vesht, më 23, se anmiku kishte mbërrîmë te shkall’e Tujanit.

Zyra e telegrafës u zû menjiherë n’emën të Zogut prej partizanësh të tij, deri atë çast në shërbim të regjimit fanolist si oficera sigurimi botuer e si nëpunësa civilë. Ishte epilogu i nji drame kombtare qi kishte filluem, si u pa, me atentatin e Beqir Valterit te shkallët e parlamentit shqiptar kundra Ahmet Zogut, atëherë kryeministër  legal i Shqipnísë. Nji dramë e pikëllueshme për shqiptarët, gati nji tragjedí ; vênde – vênde, por, edhe me disa aspekte komike qi nji të huej, shum’a pak cinik mûnd t’a argëtojë, ndërsa nji patriot shqiptar nuk mûndet mos me e ndîem veten të therëm në zêmër edhe atje.

ahmet zogu
















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit